Hutbeja e Medinës 20.Dhul Hixheh.1439 31.82018
Të drejtat e prindërve
Shejh Ali el Hudhejfi
Falënderimet i qofshin Allahut i Cili ua qartësoi robërve të Tij obligimet dhe të drejtat, i ftoi për në të mira dhe u tregoi se e urren të keqen, ndërsa vepërmirët i shpërblen pa masë.
Falënderimet qofshin për Allahun, i cili e bëri Mekën vend të sigurt dhe të shpërblyeshëm, i Lartësuar qoftë Allahu i Cili i përgëzoi hanxhinjtë me falje prej Madhështisëë së tij.
Dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka Zot tjetër të adhuruar me të drejtë përveç Allahut një i vetëm dhe i pashoq Ai i Cili u përgjigjet lutjeve, sikurse se dëshmoj se zotëria ynë Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, i cili u dërgua me mrekulli.
Paqja dhe bekimet Tua, o Zot qofshin mbi Muhamedin, familjen e tij, shokët e tij që ishin mbrojtësit e fesë, si dhe mbi mbarë ata që e ndjekin fenë dhe luftojnë për të deri në ditën e fundit!
O ju besimtarë! Kijeni frikë Allahun dhe mos i shkelni kufijtë që ai ka vendosur, ai që i përmbahet kufijve të tij ka shpëtuar, e kush ndjek egot e tij ka dështuar!
Të nderuar besimtarë! Vepra dëshmon për njeriun, e mira nuk i shton gjë Zot sikurse e keqja nuk e dëmton Atë.
Thotë Allahu i Madhëruar: “Kush punon mirë e ka për veten e tij, e kush punon keq ia bën vetes së tij, më pas tek Zoti juaj do të ktheheni” el Xhathije 15.
Dhe thotë : “Kush vepron ndonjë të keqe do ndëshkohet për të, e kush punon ndonjë të mirë, mashkull, apo femër qoftë duke qenë besimtarë në të, ata janë prej atyre që hyjnë në xhenet, ku shpërblehen e furnizohen pa masë” Gafir 40.
Ndërsa në një hadith kudsij thotë: “O robërit e Mi! Ju nuk mund të më bëni dëm apo dobi, Mua, ajo është jeta juaj dhe unë ju lë të lirë të veproni, më pas ju ballafaqoj me veprat tuaja, ndaj kush gjen mirë le të falenderojë Allahun e kush përjeton të keqen, të mos fajësojë vetëm se veten e tij” Muslimi.
Dobia e kryerjes së detyrave që njeriu ka, është po ai që përfiton prej shpërblimit të tyre në këtë botë dhe në ahiret.
Thotë Allahu: “Atij që bën vepra të mira dhe është besimtar, përpjekja nuk do t’i mohohet, dhe këtë Ne do t’ia shënojmë” Enbija 94.
Dhe thotë: “Sa për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, sigurisht që Ne nuk do t’ua humbim shpërblimin punëmirëve” Kehf 30.
Po ashtu edhe personi që len pa kryer ndonjë detyrë prej detyrave që e ka obliguar Zoti, nuk dëmton vetëm se veten e tij, pasi që Zoti është i panevojshëm për krijesat e Tij.
Thotë Allahu i Lartësuar: “Nëse ju e mohoni Atë, dijeni se Allahu nuk ka aspak nevojë për ju. Megjithatë Ai nuk është i kënaqur me mosmirënjohjen e robërve të Tij, por kënaqet me ju nëse e falënderoni.” Zumer 7.
Dhe thotë: “O ju njerëz! Ju jeni të varfër e nevojtarë për Allahun, kurse Allahu s’ka nevojë për asgjë dhe është i Denjë për çdo lavd” Fatir 15.
Dhe thotë: “Ja juve ju bëhet thirrje të shpenzoni në rrugën e Allahut, por disa prej jush janë koprracë. Kush tregohet koprrac, ta dijë se i bën dëm vetëm vetes së tij” Muhamed 38.
Dhe Thotë: “Kush bën gjynah, ai ia ka bërë shpirtit të vet. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë” Nisaë 11.
E drejta e Zotit që kërkon prej robit të Tij, është ta njehsojë dhe të mos i bëjë shok Atij.
Thotë Allahu i Madhëruar: “Dhe jo larg prej aty, Xheneti do t’u afrohet besimtarëve të devotshëm. Kjo është premtuar për ju, për këdo që është penduar dhe ruajtur nga gjynahet” Kaf 31-32.
Ndërsa ai që nuk i përmbahet kësaj të drejte, por zhytet në idhujtari, duke adhuruar tjetërkënd veç Allahut me pretekstin e afrimitetit, duke ju lutur për mirësi, apo largim të së keqes, duke ju mbështetur plotësisht, ky është i refuzuari prej të cilit Allahu nuk pranon asnjë vepër, dhe nëse nuk do të pendohet do jetë ndër të humburit.
Në një hadith përcillet: “Do i thuhet xhehenmliut: -A do jepje gjithçka kishe për të shpëtuar prej zjarrit?
Ai thotë: -Po!
-Prej teje u kërkua më pak se kaq, të mos i bëje shok Allahut por s’ju përmbajte.” Buhariu.
Prej shpërblimit të mirësisë është dhe mirësia e njëpasnjëshme, thotë Allahu i Madhëruar: “Sa për ata që ndjekin rrugën e drejtë, Ai ua shton udhëzimin dhe u jep devotshmëri e vetëpërmbajtje” Muhamed 17.
Ndërsa ndëshkim për të keqen është e keqja e vazhdueshme, thotë Allahu i Lartësuar: “Në zemrat e tyre ka një sëmundje, të cilën Allahu ua shton dhe ata i pret një dënim i dhembshëm” Bekare 10.
Kush i kryen pesë kohët e namazit, e ka kryer detyrën e ditës, e kush e kryen xhumanë e ka kryer detyrën e javës, kush e agjëron Ramazanin e ka kryer detyrën e vitit, kush e jep zekatin e ka kryer detyrën dhe Zoti ia ruan pasurinë, e kush e kryen me përpikmëri Haxhin, e ka kryer detyrën e jetës, e kush e ruan besimin, Zoti i garanton atij xhenetin.
Personi që nuk kryen detyrimet që ka karshi krijesave, ai privohet prej mirësisë, apo prej një pjese të mirësisë, po aq sa ka lënë pa kryer.
Jeta kalon, me rehati apo me vështirësi dhe njerëzit do qëndrojnë para Zotit, i Cili do gjykojë mes tyre, duke i dhënë të drejtën të shtypurit.
Transmeton Ebu Hurejre se Profeti a.s ka thënë: “Ditën e kiametit do lahet çdo hak, derisa delja shyte do marrë hakun e saj prej deles me brirë” Muslimi.
E drejta më e madhe pas të drejtës së Zotit dhe të dërguarit të Tij, është respektimi i prindërve, për të cilin ka thënë Allahu: “Zoti yt ka urdhëruar që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Tij dhe që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre, ose që të dy arrijnë pleqërinë tek ti, mos u thuaj as “uf”, mos i kundërshtoni, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im! Mëshiroji ata ashtu siç më kanë rritur kur isha i vogël” Isra 23-24.
Dhe thotë: “Ne e kemi urdhëruar njeriu që t’i nderojë prindërit e tij. Nëna e vet e ka mbajtur atë duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij prej gjirit është bërë brenda dy vitesh. Ne i thamë atij: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë” Lukman 14.
Zoti e ka renditur detyrimin ndaj prindit, pas detyrës që kemi ndaj Zotit, dhe kjo për vetë faktin se ata ishin shkak i ekzistencës së tij në këtë jetë, ndërsa vuajtjet e nënës janë të papërshkrueshme, thotë Allahu: “Njeriun e kemi porositur të jetë i sjellshëm me prindërit e tij. Nëna e mbart atë me vështirësi dhe me mundime e lind” Ahkaf 15.
Gjidhënënia është një tjetër mrekulli e Zotit, ndërsa babai lodhet për rritjen tënde, ata të dy rrinë zgjuar për rehatinë tënde, privojnë veten vëtëm e vetëm që ti të mos privohesh, ata durojnë dhe mbrapshtitë e tua, ata janë që dëshirojnë të të shohin më lart se vetja e tyre.
Mos u habit o ti djalosh, përse Zoti ka porositur kaq shumë për respektimin e prindërve dhe ka paralajmëruar shumë për mosrespektimin e tij, dhe se fëmija nuk mund të barazohet me ta vetëm se në një rast.
Transmeton Ebu Hurejra se Profeti a.s ka thënë: “Kurrë fëmija nuk mund ta shpërblejë prindin e tij, vetëm nëse ai është rob dhe ky e blen dhe i dhuron lirinë” Muslimi.
Dy prindërit janë dy dyer xheneti, kush i respekton hyn në të. Ebu Hurejre përcjell se Profeti a.s ka thënë: “I poshtëruar është, i poshtëruar është, i poshtëruar është!
i thanë: -Kush o dërguar i Zotit?
Ai tha: -Ai person që i ka gjallë dy prindërit, apo njërin prej tyre dhe nuk hyn në xhenet” Muslimi.
Dije se kënaqësia e Allahut është në kënaqësinë e tyre, thotë Profeti a.s: “Kënaqësia e Allahut është tek kënaqësia e prindit, e zemërimi i Tij është në zemërimin e prindit” Tirmidhiu.
Respektimi i tyre bëhet në veprat e lejuara, në kryerjen e porosive dhe amaneteve të tyre, të jesh i butë me ta, t’i rehatosh dhe t’i gëzosh, të jesh i mëshirshëm me ta, të pikëllohesh për pikëllimin e tyre, t’ua respektosh shokët e miqtë, të mos i afrohesh asnjë vepre që i zemëron, dhe të mos bësh gjëra që atyre s’u pëlqejnë, të lutesh për ta dhe t’u dëshirosh jetë të gjatë e falje pas vdekjes!
Mosrespektimi i tyre do të thotë çdo gjë në kundërshtim me atë që u përmend, sikurse është dhe prej shenjave të kiametit.
Ndër veprimet më të këqija në lidhje me prindërit është strehimi i tyre nëpër azile, ose nxjerrja e tyre prej përgjegjësive që ke ndaj tyre, dhe kjo nuk është prej virtyteve dhe moralit të myslimanit.
Sjellje akoma dhe më e pahijshme është dhe ngritja e dorës ndaj tyre, sharja dhe ofendimi i tyre.
Ebu Hurejra përcjell se Profeti a.s ka thënë: “Aroma e Xheneti ndjehet 500 vite larg, ndërsa aromën e tij nuk e ndjen mosrespektuesi i prindërve.” Taberaniu.
Thotë Zoti ynë: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë, silluni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët, të varfrit, fqinjët e afërt dhe më të largët, me atë që keni pranë, me udhëtarin dhe me ata që janë robër nën pushtetin tuaj. Në të vërtetë Allahu nuk i do njerëzit arrogantë e mburravecë” Nisaë 34.
Zoti më begatoftë mua dhe ju, me atë që gjendet në Kuranin Famëlartë dhe në synetin e Profetit a.s, i kërkoj falje Zotit për vete dhe ju dhe ju kërkojini falej,vërtetë Ai është Falës dhe Mëshirues i Madh.
Falënderimet dhe lutjet i takojnë Allahut! Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut i Paortak dhe i Gjithëpushtetshëm, sikurse dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, i dërguar, me fenë e drejtë!
Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, familjen e tij , shokët dhe mbarë ndjekësit e rrugës së tij deri në ditën e fundit!
Premtimi për haxhiun që ka thënë Profeti a.s: “Umreja deri në Umre, është shlyese e gjynaheve, ndërsa Haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër veç xhenetit” Mutefekun Alejhi.
Të nderuar besimtarë! Frikësojuni Zotit ashtu sikurse e meriton, kapuni fort pas fesë së tij!
Respektimi i prindërve, pavarësisht shpërblimit të madh që ka në të, por tregon për moral dhe virtyte të larta, tregon se njeriu i tillë zotëron devotshmëri në zemrën e tij, dhe se shpërblimi i të mirës bëhet me të mirë, pohimi i vlerës është prej drejtësisë, dhe se mirësinë nuk e mohon vetëm se njeriu i pamoralshëm, që s’ka burrëri e njerzillëk.
Thotë Allahu i Lartësuar: “Mos harroni të jeni bamirës midis jush! Vërtetë Allahu e sheh mirë se çfarë bëni” Bekare 237.
Dhe thotë për Isain a.s: “…dhe që të jem i mirë ndaj nënës time dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm” Merjem 32.
Thotë për Jahjanë a.s: “I sjellshëm ndaj prindërve të tij, nuk ishte i ashpër dhe i padëgjueshëm” Merjem 14.
Dhe thotë: “Mirëpo ndonjëri u thotë prindërve të vet: -Uf, ju! A po më premtoni se do të ringjallem, ndonëse para meje kanë kaluar brezni?
Kur ata i drejtohen Allahut për ndihmë duke i thënë: -Mjerë për ty! Beso, sepse premtimi i Allahut është i vërtetë”Ahkaf 17.
Ebu Hurejra përcjell: “Një person erdhi tek Profeti a.s dhe i tha: -O i dërguar i Allahut! Cili është personi që e meriton të shoqërohem me të e ta respektoj?
Ai i tha: -Nëna jote, nëna jote, nëna jote, më pas babai e kështu me radhë, në bazë të afërsisë” Mutefekun Alejhi.
O robër të Zotit! Allahu bekon Profetin e Tij, edhe melaiket luten për të, o ju që keni besuar, lutuni për të dhe dërgoni selam të pandarë!
Dërgoni salavatë mbi vulën e profetësisë, dhuratën më të bukur, Profetin tuaj Muhamedin a.s, zotërinë e mbarë krijesave.
Zot bekoje, begatoje e jepi mirësi pafund, robit dhe Profetit Tënd të përzgjedhur Muhamedit a.s, familjes tij të ndershme, bashkëshorteve të tij që janë nëna për besimtarët, katër kalifëve të drejtë,Ebu Bekrit, Umerit, Uthmanit dhe Aliut, si dhe mbi mbarë sahabët dhe ata që e ndoqën rrugën e tyre, përfshina dhe ne me ta me Mëshirën Tënde të gjerë!
Ji i kënaqur dhe prej nesh bashkë me ta, na pajis me devotshmëri, na i pastro zemrat Ti je Ai që i ke në dorë ato!
Zoti ynë! Mbrojtjen tënde kërkojmë prej sjelljeve , moraleve dhe virtyteve të këqija, o Zot i gjithësisë!
Zot ne kërkojmë të na e ruash fenë, besimin, shëndetin, familjen dhe ditën e kiametit.
Zot mbulona të metat tona, na jep siguri, mbrona nga çdo e keqe dhe pabesi ngado që të na vijë!
Zot na jep mirësi në mbarë veprat tona, na ruaj nga nënçmimi në këtë botë dhe nga dënimi në botën tjetër!
Zoti ynë! Ty ta kërkojmë xhenetin dhe çdo punë që të afron për nga ai, mbrojtjen Tënde kërkojmë prej zjarrit dhe çdo vepre që afron për në të!
Zot mbrona ne dhe mbarë pasardhësit tanë prej shejtanit, pasardhësve të tij dhe mbarë aleatëve dhe ushtarëve të tij!
Zot na ruaj prej të ligave të vetes dhe veprave tona dhe mbrona nga çdo e keqe!
Zot mbrona ne dhe mbarë myslimanët prej shejtanit dhe kurtheve të tij!
Zot mere përsipër çdo mysliman e mysliman, zgjidhja hallet e brengat, ndihmoji ndaj armikut Tënd dhe tyrin, na e mundëso qëndrueshmërinë në rrugën e drejtë dhe kapjen pas synetit të profetit Tënd!
Zot largoje prej nesh shtrenjtësinë, epidemitë, kamatën, imoralitetin, tërmetet dhe çdo sprovë tjetër e dukshme apo e padukshme!
Zot shlyeja borxhet mbarë borxhlinjve myslimanë, lehtësojua brengat, shëroji të sëmurët e tyre!
Zot pranoja Haxhin haxhilerëve, ktheji në trevat e tyre shëndoshë e mirë e me gjynahe të falura!
Zot ruaje vendin tonë prej çdo të keqe e ligësie, mbroje nga padrejtësitë e arrogantëve o Zoti i botëve, e për të paudhët zbrit ndëshkimin Tënd!
Zot përmirësoje gjendjen e myslimanëve kudo ndodhen, ruaji dhe mbroji ushtarët tanë,familjet dhe pasuritë e tyre!
Zot lartësoje islamin dhe myslimanët, mbroje fenë tënde, poshtëroji mosbesimtarët dhe të padrejtët, shkatërroji armiqtë dhe agresorët kudo qofshin dhe kudo gjenden!
Zoti ynë jepna të mira në këtë botë, jepna të mira në botën tjetër dhe mbrona nga dënimi i zjarrit!
Besimtarë të nderuar, Allahu urdhëron për drejtësi, bamirësi, ndihmesën e të afërmve, ndalon nga e keqja, e liga dhe padrejtësia, ju këshillon në mënyrë që të zini mend.
Kujtojeni Allahun t’ju kujtojë, falënderojeni për begatitë t’ua shtojë, vërtetë që përmendja e Allahut është gjëja më me vlerë dhe se Zoti e di se çfarë ju veproni!