Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa 26-09-1445 H 05-04-2024 D
Shejh Muhamed Hysejn
Tema Porosi për të qenë të durueshëm, të qetë, për të jetuar netët dhe orët më të mira
Lavdërimet janë për Zotin, ka zbritur Kuranin në muajin e Ramazanit, Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja).” (El-Bekare 185) Allahu i Madhërishëm ka veçuar në këtë muaj të begatë një natë të mirë dhe të bekuar, natën e Kadrit, në të cilën ka filluar të zbresë ky Kuran Famëlartë, Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar.” (Ed-Duhan 3) Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit.” (El-Kadr 1)
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm pa shok, i Tij është pushteti, për Të janë lavdërimet, në Dorën e Tij është çdo e mirë, me të vërtetë Ai është i Fuqishëm të bëjë çdo gjë!
Dëshmoj se zotëria dhe i dashuri ynë, ndërmjetësuesi, shembulli dhe modeli ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij, të parët e të mirëve, mbi të gjithë që kanë ecur në rrugën e tyre dhe kanë ndjekur gjurmët e tyre deri në ditën e Fundit. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi dëshmorët dhe mbi të rënët, mbi të rënët robër dhe të burgosurit, mbi agjëruesit dhe të lidhurit e të vendosurit në xhaminë e bekuar të Aksasë, në të gjithë tokën Palestineze dhe në të gjitha vendet muslimane.
Në vijim
O ju muslimanë! O ju agjërues! O ju që keni marshuar për në xhaminë e bekuar! Vërtetë ky marshimi i juaj i nderuar është argument i qartë për dashurinë tuaj për xhaminë e bekuar të Aksasës dhe për besimin tuaj se ju o populli Palestinez, durimtarë dhe i lidhur me këtë vend, atje në Gaza ku ka krenari, ku ka dëshmorë, ku ka uri që po gllabëron fëmijët, gratë dhe popullin tonë. Nuk ka forcë dhe fuqi tjetër përveç Fuqisë së Allahut, Zoti i Ramazanit, Zoti i të gjithë muajve të vitit dhe Zoti i të gjithë botës mbarë. O ju durimtarë, të lidhur dhe të vendosur në Gaza, ju themi: Durim o ju të dashurit tanë, sepse Allahu i Madhërishëm e sprovon besimtarin për ta nxjerrë nga kjo botë të pastër nga të gjitha gjynahet. Ju keni shpërblimin e qëndrueshmërisë dhe lidhjes, keni shpërblimin e durimit përballë të gjitha fatkeqësive. Ndërsa ju përcillni bijtë tuaj dëshmorë për në gradët dhe pozitat më të larta, fashoni plagët dhe bëni durim përballë të gjitha dhimbjeve. I vërtetoni të afërmit dhe të largëtit, armikut dhe shokut se jeni të denjë të jeni njerëzit e kësaj toke të bekuar, dhe të përmbushni porosinë, emaneti e të dashurit tonë, të përzgjedhurit të Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ku thotë: “ Do të vazhdojë një grup nga umeti im të jetë i qëndrueshëm në të vërtetën, përballë armikut të tij zullumqarë, nuk ju intereson se kush i braktisën apo i tradhton ata, deri sa të ju vijë urdhri i Allahut duke qenë në këtë gjendje.”
Po, ju jeni të tillë në besëlidhjen tuaj me Allahun e Madhërishëm, me umetin, popullin tuaj, me vendet tuaja të shenjta. Prandaj bëni durim të mirë, e Allahu i Madhërishëm është Ai që Ndihmon. Neve na mjafton Allahu, Ai është Mbrojtës i mrekullueshëm!
O ju muslimanë! O bijtë e tokës së Israsë dhe Miraxhit! O bijtë e Bejtul Makdisit, Kudsit dhe rrethinave të tij! Shpeshtoni udhëtimin tuaj për në këtë xhami në këto ditë të bekuara dhe në këto netë madhështore, nga netët e muajit të Ramazanit, i cili është afruar për të na dhënë lamtumirën, po përfundon, shpeshtoni udhëtimin tuaj për në këtë xhami. E kjo ditë e xhuma është e fundit e muajit të bekuar të Ramazanit. Ajo është e veçantë në kohë, vend dhe individë. Prandaj, urime për ju o bijtë e Bejtul Makdisit, Kudsit dhe rrethinat e tij, nga toka e Palestinës së dashur, të pastër dhe të bekuar. E ju, me këtë masivitetin tuaj vërtetoni ndaj Kudsit dhe Aksasë tuaj, se jeni ju rojet dhe kujdestarët e tij besnik. Jeni ju ata që e ruani dhe kujdeseni për të në të gjitha rrethanat, në çdo kusht dhe kohë, pavarësisht nga intensiteti i agresionit dhe mizorisë së botës, por se përballë komplotit të kësaj bote dhe bashkëpunimit të saj në të gjitha krimet e bëra kundër popullit tonë të duruar dhe të vendosur. Nuk ka forcë e as fuqi përveç Zotit, neve na mjafton Allahu, Ai është Mbrojtës i mrekullueshëm!
O ju muslimanë! O bijtë e tokës së Israsë dhe Miraxhit! Nga lartësia e këtij minberi të ndershëm lutemi për shpirtrat e dëshmorëve tanë të pafajshëm, dhe me lejen e Allahut të Madhërishëm i përcjellim ata në gradët më të larta në Xhenet, atje nën mëshirën e Allahut të Madhërishëm. Sikurse lutemi për lirinë e robërve tanë me lejen e Atij, Allahut të Madhërishëm, që të kthehen tek bijtë e familjeve të tyre, për në shtëpitë e tyre, për në qytetet, fshatrat dhe kampet e tyre. Prandaj, bëni durim o ju heronj të dashur dhe të nderuar!
Nga lartësia e këtij minberi, e lusim Allahun e Madhërishëm për qëndrueshmëri dhe vendosmëri për të gjithë bijtë e popullit tonë, në të gjitha vendet ku ata janë të pranishëm, në Gaza, në Kud’s, dhe në të gjitha qytetet, fshatrat dhe kampet Palestineze.
O ju të dashur! Gjithashtu përshëndesim të gjithë bijtë e këtij populli për durimin e tyre, për lidhjen dhe vendosmërinë e tyre, kujdesin e tyre për xhaminë e bekuar të Aksasë, ku pavarësisht hundës së atyre që urrejnë dhe pavarësisht hundës së atyre që përgjojnë, ata deklarojnë me ikjet dhe ardhjet, udhëtimet e tyre, dhe lutjet e tyre se xhamia e bekuar Aksasë është vetëm për muslimanët, askush nuk mund të jetë ortak me ata. Gjithçka që thuhet, publikohet ose transmetohet në mediat armiqësore në lidhje me planet që synojnë xhaminë e bekuar të Aksasë se ato janë një dështim, në dashtë Zoti i Plotfuqishëm. Sigurisht që ato nuk do të thyejnë vendosmërinë tuaj, nuk do ta dobësojë lidhjen tuaj dhe nuk do ta ndryshojë qëllimin tuaj për të mbrojtur xhaminë Aksa dhe vendet e tjera të shenjta në këtë tokë të bekuar dhe të pastër.
O ju muslimanë! O bijtë e tokës së Israsë dhe Miraxhit! Dita e sotme është dita e njëzetë e gjashtë nga muaji i bekuar i Ramazanit, jemi në prag të portave të një prej netëve të tij të bekuara. Ajo është nata e njëzetë e shtatë, e cila është një natë, siç përmendet në Kuranin Famëlartë, që ka mundësi të jetë nata e bekuar e Kadrit. Kjo është nata që Zoti e nderoi dhe e vlerësoi më së shumti. Në Ethare, hadithe, ka ardhur se kjo natë është me vlera të mëdha, sepse ky Kuran është me vlerë të madhe, sepse ky popull është një popull me vlera të mëdha, dhe sepse i dërguari i tij i nderuar është i dërguar me vlera të mëdha. Për këtë arsye në këtë natë të nderuar janë bashkuar cilësi madhështore dhe të larta. Çfarë fitoreje për atë që e ka arritur këtë natë, duke e përjetuar atë me adhurim dhe lutje, me përmendje të Zotit dhe me salavate ndaj të dërguarit, dhe me lutje të drejtuara Allahut të Madhërishëm që të largojë vështirësitë e muslimanëve, të bashkojë forcat e tyre, të njësojë rrallët e tyre, të ndihmojë të dobëtit në tokën e Israsë dhe Miraxhit, e kjo nuk është punë e rëndë për Allahun Fuqiplotë. “Vërtet, Allahu e ndihmon këdo që e ndihmon Atë. Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm.” (El-Haxhxh 40) “Sigurisht, Ne do t’i ndihmojmë të dërguarit Tanë dhe besimtarët, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në Ditën, kur do të sillen dëshmitarët.” (Gafir 51)
O ju muslimanë! O bijtë e tokës së Israsë dhe Miraxhit! I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, është pyetur rreth të kërkuarit e natës së Kadrit dhe ka thënë: “ Kërkojeni atë në dhjetë ditëshin e fundit të Ramazanit dhe në netët teke nga dhjetë netët e fundit të Ramazanit.” Nga netët teke të muajit të Ramazanit na kanë ngelur nata e njëzet e shtatë, që është sonte, dhe nata e njëzetë e nëntë para se të mbarojë muaji i Ramazanit.
Përpiquni, o ju të dashurit e mi, o ju të nderuar, o ju agjërues, o ju vizitor që e populloni xhaminë e Aksasë, përpiquni, që të shfrytëzoni të gjitha këto momente të bekuara dhe këto netë të begata, duke ju drejtuar dhe e lutur Allahun e Madhërishëm që ta bëj këtë muaj të mirësisë, muajin e Ramazanit, muaj të nderit, lavdisë, dhe të fitores për muslimanët dhe për bijtë e Palestinës. Kjo nuk është punë e rëndë për Allahun Fuqiplotë.
O ju muslimanë! O bijtë e tokës së Israsë dhe Miraxhit! Zonja jonë e nderuar, Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka pyetur të dashurin tonë të nderuar, Muhamedin, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, duke i thënë: “ O i dërguari i Allahut, e ke parë nëse do e arrija natën e Kadrit, çfarë të lutem, çfarë të them në të?” I dashuri ynë, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, i ka thënë: “ Thuaj; O Zot, Ti je falës e do faljen më fal mua.”
O Zot, Ti je falës e do faljen na fal ne, o Bujar! O Zot, na fal ne dhe muslimanët në xhaminë e bekuar të Aksasë dhe në çdo vend Islam. O Zoti i botëve, të lutemi që të pranosh agjërimin tonë, namazet tona të natës, adhurimet tona, përmendjet tona për Ty, madhërimet tona për Ty, namazet tona të teravive, e çdo gjë të mirë nga fjalët dhe veprat, me të vërtetë Ti, o Zoti ynë je i fuqishëm për të bërë çdo gjë dhe i denjë për përgjigje. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi zotërinë tonë Muhamedin, mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij.
Luteni Allahun duke qenë të bindur në përgjigje, fitorja është për ata që tek Zoti kërkojnë falje, tek Allahu kërkoni falje.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë vetëm për Zotin. Lutje dhe përshëndetje për zotërinë tonë Muhamedin, s’ka të dërguar pas tij.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok.
Dëshmoj se zotëria dhe i dashuri ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi zotërinë tonë dhe familjen e tij, Muhamedit, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë shokët e tij, dhe mbi ata që ecin në rrugën e tyre deri në Ditën e Kijametit.
Në vijim
O ju muslimanë! Do të falim namazin e xhenazes në mungesë për shpirtrat e dëshmorëve tanë të pafajshëm pas namazit të xhumasë.
Ju themi, o ju të dashurit tonë, bijtë e Bjetul Makdisit, Kudsit dhe rrethinave të tij, vërtetë se Zoti i Ramazanit është në muajin e Ramazanit dhe se Ai është në të gjithë muajt, ditët dhe vitet e tjera. Prandaj kujdesuni për një pendim të sinqertë që na shpëton nga ndëshkimi i Allahut të Madhërishëm. Kujdesuni për shpeshtimin e udhëtimit për në xhaminë e Aksasë, që ta populloni atë në të gjitha kushtet, situatat, ditët dhe kohët. Sepse ju sot jeni pararoja, grupi që është në ballë, në emër të të gjithë bijve të umetit Islam, në popullimin e xhamisë së Aksasë dhe shpeshtimin e udhëtimit për në të për në të për gjatë të gjitha kushteve, situatave dhe kohëve. O ju të dashurit e mi! Themi gjithashtu se mirësia e ditës së xhuma, mirësia e muajit të Ramazanit, mirësia e agjërimit, dhe mirësia e shpeshtimit të udhëtimit për në xhaminë e bekuar të Aksasë, të gjitha këto mirësi bashkohen tek ju duke qenë në ambientet e xhamisë së Aksasë. Prandaj, kujdesuni për përjetimin e kësaj nate të bekuar nga netët teke të muajit të Ramazanit, me shpresën se do arrijmë natën e Kadrit në të. Natë në të cilën zbresin Melaiket dhe Xhebraili që përshëndesin njerëzit e mirë të Zotit, u japin atyre përshëndetje dhe lajmërojnë Allahun e Madhërishëm, dhe pse Ai është më i ditur për atë që e lajmërojnë, se ata kanë gjetur robërit e Tu në sexhde, në ruku dhe duke të thirrur dhe u lutur tek Ti, o Zoti i botëve.
O ju vëllezër të dashur! Kujdesuni për pastërtinë e xhamisë së Aksasë, për qetësinë në të, dhe që të mos përzihen rreshtat, burrat me femra, gjatë namazit të jacisë dhe teravive, dhe gjatë kërkimit të kësaj nate në namazin e tehexhudit, namazit të natës.
O ju të dashurit tanë! Ju themi dhe u kujtojmë për dhënien e Sadakas së Fitrit. Sadakaja e Fitrit nuk vlen dhënia e saj pas namazit të Bajramit. Prandaj në këto ditë të mira dhe të begata bëni kujdes për dhënien e zekatit të pasurisë tuaj, sadakanë e Fitrit tuaj, dhe për të gjitha veprat e mira, sepse shpërblimi i veprave shumëfishohet në muajin e Ramazanit. Sikurse ju kujtojmë, o të dashurit e mi, se orari i namazit të Fitër Bajramit këtë vit do të jetë në orën 05;50, pesë e pesëdhjetë minuta, në mëngjesin e ditës së Bajramit, sipas orarit dimëror për xhaminë e bekuar të Aksasë.
Zoti pranoftë nga ne dhe ju adhurimet, Zoti e pranoftë namazin dhe agjërimin tonë, rukutë dhe sexhdet tona, na bëftë nga ata që e dëgjojnë fjalën dhe e pasojnë me më të mirën.
O Zot, jep për të gjithë muslimanët rrugëzgjidhje të shpejtë dhe të afërt, udhëheqës besimtarë dhe të mëshirshëm, që të njësojë rrallët e tyre, të bashkojë forcat e tyre, që të japi fitore për ne dhe për të gjithë të shtypurit.
O Allah, o Zoti i botëve, bëj vendin e Israsë dhe Miraxhit dhe bijtë e popullit të Israsë dhe Miraxhit nën kujdesin Tënd, o Zoti i botëve. O Zot, ruaj ata me mbrojtjen Tënde të mirë, dhe mbuloi ata me mbulojën Tënde madhështore, me të vërtetë, o Zoti ynë, Ti je i fuqishëm për të bërë çdo gjë dhe i denjë për përgjigje
O Zot, fali muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të gjallët dhe ata që kanë ndërruar jetë prej tyre.
O Zot, bëj që përfundimi ynë të jetë me vepra të mira. Ndërsa ti që thërret për namaz, fto për në namaz.
Afrim Smakaj