Falënderimet i takojnë Allahut, në dorën e të Cilit është gjithçka i cili është i mundshëm për çdo gjë, Ai është mbi këdo, gjithsecilin e shpërblen me atë që meriton.
“S’ka dyshim se Allahu nuk bën padrejtë as sa grimca, e nëse ajo vepër është e mirë, Ai e shumëfishon atë dhe Vetë Ai i jep shpërblim të madh” Nisaë 40.
Zotin e falënderoj për mirësitë e Tij të shumta, dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, i Vetëm dhe Paortak, Ai di gjithçka, sikurse dëshmoj se profeti dhe zotëria ynë Muhamedi, është rob dhe i dërguar i tij, lajmëtar dhe përgëzues, kandil ndriçues!
Zoti ynë bekoje e madhëroje robin dhe të dërguarin Tënd Muhamedin, që u dërgua me shpalljen vezulluese, mbi familjen dhe shokët e tij, nëpërmjet të cilëve Zoti e triumfoi këtë fe dhe e poshtëroi idhujtarinë e ndyrë.
Kini frikë Allahun, nxitoni për në të mira, largohuni prej të ndaluarave, të arrini gradët më të larta në xhenet e të shpëtoni prej ndëshkimit.
Të nderuar besimtarë, Allahu ju ka premtuar drejtësisht dhe nuk e thyen premtimin e Tij, e as nuk e ndërron, ai i ka premtuar robërve Tij të mirë për një jetë të mirë në këtë botë e në botën tjetër, i përgëzon me kënaqësinë e Tij dhe me begatitë e vazhdueshme në xhenetet e përjetshme, bashkë me profetët dhe njerëzit e ndershëm që e ndoqën udhën e drejtë.
Allahu i Madhëruar thotë: “E sikur banorët e këtyre vendbanimeve të kishin besuar dhe të ishin ruajtur, Ne do t’ju hapnim begati nga qielli e toka” Araf 96.
Dhe thotë: “Sikur ithtarët e librit të besonin dhe të ruheshin, Ne do tua shlyenim mëkatet e tyre dhe do t’i fusnim në xhenete me përjetime të begatshme, dhe sikur ta zbatonin Teuratin, Inxhilin dhe Kuranin që u zbritën nga Zoti i tyre, ata do të kishin furnizim me bollëk nga qielli dhe toka” Maide 65-66.
Që do të thotë se nëse ata do zbatonin Kuranin, ashtu sikurse u pati ardhur urdhër dhe në librat e tyre, ne do t’i furnizonim në dynja, e do i fusnim në xhenet.
Allahu i Madhëruar thotë: “Unë u thashë: Kërkoni falje Zotit tuaj, se Ai vërtet fal shumë, Ai ju lëshon nga qielli shi me bollëk, ju shumon pasurinë e fëmijët, ju bën të keni kopshte dhe ju jep lumenj” Nuh 10-12.
Ebu Hurejre r.a, përcjell se Profeti a.s ka thënë: “Allahu i Madhëruar thotë: ‘Kush armiqëson ndonjë mik Timin, Unë atij i kam shpallur luftë, vepra më e mirë që njeriu mund ta bëjë për t’mu afruar Mua, janë obligimet që e kam obliguar, ndërsa me kryerjen e vazhdueshme të suneteve, njeriu arrin kënaqësinë Time, e kur ta dua do jem dëgjimi me të cilin dëgjon, shikimi me të cilin shikon, dora të cilën e lëviz, këmba me të cilën ecën, e nëse më kërkon diçka do t’ia jap, e nëse kërkon mbrojtjen Time do e mbroj, dhe nuk luhatem në gjë tjetër vetëm se për besimtarin që urren vdekjen, ndërsa Unë urrej të keqen për të” Buhariu.
Hadithi tregon se Allahu i Madhëruar me mëshirën, mirësinë dhe faljen e Tij, merr në përgjegjësi gjithçka për besimtarët, i sistemon si mos më miri gjatë jetës, por dhe pas vdekjes së tyre.”
S’ka dyshim se premtimi i Zotit tonë është i gjithi i garantuar, Allahu thotë: “Zoti ynë, Ti je ai që një ditë do t’i tubosh njerëzit, ditë për të cilën nuk ka dyshim. Allahu nuk shkel premtimin e Tij” Ali Imran 9.
Dhe thotë po ashtu: “Zoti ynë, jepna atë që nëpërmjet të dërguarve të Tu na e premtove dhe në ditën e kiametit mos na turpëro! Vërtet Ti je Ai që nuk e shkel premtimin.” Ali Imran 194.
Allahu u ka premtuar premtim të drejtë për jetën tjetër ku thotë: “Besimtarëve dhe besimtareve, Allahu u premtoi xhenete nën të cilat rrjedhin lumenj, në to do të jenë përgjithmonë, u premtoi dhe vendbanime të bukura në xhenetin e Adnit, edhe një zotërim nga Allahu që është mbi të gjitha. Ky pra është ai shpëtimi i madh” Teube 72.
Besimtarët e shohin me sy atë që Zoti u premtoi, ashtu sikurse thotë i Lartmadhërishmi: “Ndaj Allahu ua dha atyre shpërblimin e kësaj bote dhe shpërblimin më të mirë të botës tjetër, Allahu i do punëmirët” Ali Imran 148.
Ata me sytë e tyre do shohin shpërblimet e mëdha në botën tjetër, sikurse thotë Allahu: “A është ai të cilit Ne i kemi dhënë një premtim të mirë, sikurse ai të cilit i kemi dhënë kënaqësi të kësaj jetë, kurse në ditën e kiametit do të jetë prej të dënuarve” Kasas 62.
Ashtu sikurse i ka përgëzuar besimtarët, po ashtu i ka paralajmëruar dhe mosbesimtarët e mohuesit dhe se dënimi i premtuar do i kaplojë, thotë Allahu i Madhëruar: “E ata që nuk besuan përjetojnë kënaqësi dhe hanë ashtu si hanë kafshët, e vendi i tyre është zjarri” Muhamed 12.
Dhe thotë po ashtu: “Kush e kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij, i tij është zjarri i xhehenemit aty do të jetë përgjithmonë pambarim” Xhin 23.
Ndërsa jeta e tyre në këtë botë do të jetë më e liga, Allahu i Madhëruar thotë: “E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kiametit do ta ringjallim të verbër” Taha 124.
Edhe sikur t’u jepej e tërë bota, thotë Allahu i Madhëruar: “Prandaj mos ju mahisë pasuria e as fëmijët e tyre, Allahu do vetëm t’i dënojë me to në jetën e kësaj bote e t’ju nxjerrë shpirtrat duke qenë jobesimtarë” Teube 55.
Njeriu është sprovuar me angazhimin me gjëra të pavlera ndaj atyre të dobishmeve dhe si pasojë bie në gjëra që e dëmtojnë dhe e gjitha kjo si sprovë dhe tundim ku vështirësohen adhurimet dhe zbukurohen mëkatet, kjo që Zoti të veçojë ata që luftojnë egon ndaj atyre që janë pre e epsheve të vetes dhe ndjek të shejtanin.
Zoti i ka veçuar dhe të udhëzuarit me gradë, ndërsa mëkatarët i dënon me shkallë në zbritje, thotë Allahu i Madhëruar: “Ne do t’ju sprovojmë juve, derisa t’i njohim luftëtarët dhe ata që ishin të qëndrueshëm nga mesi juaj, po edhe do të sprovojmë veprat tuaja” Muhamed 31.
Dhe thotë po ashtu: “E ata të cilët luftuan për hir Tonin, ne me siguri do t’i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se Allahu është në krahun e bamirësve” Ankebutë 69.
Nuk ka dyshim se vetja është armiku më i madh i njeriut, madje shejtani nuk depërton tek njeriu vetëm se nëpërmjet saj, thotë Allahu i Lartësuar: “S’ka dyshim se epshi është shumë nxitës për të keqen, përveç atë që e ka mëshiruar Zoti” Jusuf 53.
Dhe thotë: “Po ata nuk ndjekin vetëm se paragjykime dhe çka duan vetë” Nexhm 23.
Dhe thotë: “E kush është i ruajtur prej lakmisë së vet të tillët janë të shpëtuarit” Hashr 9.
Kur vetja ngarkohet me injorancë e padrejtësi e largon njeriun nga të besuarit premtimin e Zotit, e lajthit nga rruga e drejtë dhe e devijon.
Ibn Kajimi ka thënë: “Kush e njeh realitetin e vetes dhe natyrën e saj, arrin të kuptojë se ajo është burim e çdo të keqeje dhe paudhësie dhe se çdo e mirë që gjendet në të është prej mirësisë së Zotit ndaj njeriut dhe jo se është prej vetes.”
Allahu i madhëruar thotë: “E sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, askush prej jush nuk do të pastrohej” Nur 21.
Vetja e njeriut nuk mund të boshatiset prej injorancës, vetëm nëse mbushet me dituri të dobishme prej asaj të besimit, nuk shpëton prej padrejtësisë vetëm se me vepra të mira, myslimani duhet të kthehet për nga Zoti vazhdimisht e ta lusë për përmirësimin e pastrimin e vetes.
Zejd ibn Erkami r.a, përcjell se Profeti a.s thonte: “Zoti im, pajise shpirtin tim me devotshmëri, pastroje se askush nuk e pastron më mirë nga Ti, Ti je Zoti dhe përgjegjësi i saj, Zoti im mbromë prej diturisë së padobishme, prej zemrës që nuk dridhet, prej vetes që nuk ngopet si dhe prej lutjes që nuk merr përgjigje” Muslimi.
Imran ibn Husajni tregon se Profeti a.s i ka mësuar Husajnit dy fjalë me të cilat të lutet: “Zoti im pajismë me të vërtetën dhe ruamë nga e keqja e vetes sime” Tirmidhiu.
Kur vetja nuk pajiset me dituri fetare, sundohet nga injoranca që bashkohet me padrejtësinë në pasimin e epsheve, përgënjeshtron premtimet e Zotit dhe zbret kështu shkallët për në dështim, humbje e dënim duke humbur kështu dynjanë dhe ahiretin.
Allahu i Madhëruar thotë: “E kush është më i humbur se ai që duke mos pasur fakt prej Allahut ndjek epshin e vete? S’ka dyshim se Allahu nuk udhëzon popullin zullumqarë” Kasas 50.
Por kur vetja pastrohet e pajiset me dituri të dobishme, ajo shndërrohet në një besuese ndaj premtimeve të Zotit, e sigurt, e kthyer për nga Zoti përgëzohet me të mirë gjatë vdekjes.
Allahu i Madhëruar thotë: “O ti shpirt i bindur plotësisht! Kthehu te Zoti yt i vetëkënaqur e i pranuar, hyr në turmën e robërve Mi të mirë dhe hyr në xhenetin Tim” Fexhr 25-30.
Ai që u pret rrugën njerëzve dhe i devijon, shejtani i mallkuar është një sprovë prej Allahut për krijesat e Tij të përgjegjshme, ai që e pason do ketë fundin më të pështirë e ai që e kundërshton rrugën e tij do jetë në vendbanimet më të larta.
Kënaqësia dhe hobi i tij arrihet kur njeriu përgënjeshtron premtimin dhe paralajmërimin, ia zbukuron të ndaluarat, e pengon nga obligimet dhe të pëlqyeshmet, e mbush me premtime të kota dhe vesvese të ndyra.
Allahu i Madhëruar thotë: “Shejtani është armiku juaj, ndaj konsiderojeni armik, ai e thërret grupin e tij për t’i bërë banorë të zjarrit” Fatir 6.
Dhe thotë duke na treguar për ligjërimin e shejtanit para banorëve të zjarrit: “E pasi të kryhet gjykimi, shejtani u thotë: Vërtet Allahu ju pat premtuar premtim të vërtetë, e unë ju pata premtuar dhe që nuk e zbatova premtimin ndaj jush. Po unë nuk pata kurrfarë pushteti ndaj jush përveç se ju thirra e ju m’u përgjigjët, atëherë mos më qortoni mua por qortoni vetet tuaja. Unë nuk mund t’ju shpëtoj ju, e as ju nuk mund të më shpëtoni mua. Unë mohoj shoqërimin tuaj që më bëtë më parë. S’ka dyshim se jobesimtarët kanë dënim të dhembshëm” Ibrahim 22.
Shejtani përdor 7-të metoda me njeriun: e fton për në mohim Zoti na ruajtë, e nëse i bindet njeriu atëherë shejtani e ka arritur synimin dhe e bashkon me grupin e tij.
Nëse ky nuk i përgjigjet, ai e fton për në bidate, por nëse kësaj i shpëton duke u kapur fort pas Kuranit dhe sunetit, ai e fton për në gjynahe të mëdha, ia zbukuron ndërsa pendimin ia fikson për në të ardhmen, dhe kështu zhytet në gjynahe të mëdha, derisa të përfundojë në humbje.
Por nëse nuk i përgjigjet për në gjynahe të mëdha, ai e fton për në gjynahe të vogla, ia bën të lehta në mënyrë që të zhytet në to e t’i shtojë, dhe me anë të vazhdimësisë bëhen të mëdha.
Nëse nuk i përgjigjet në gjynahe të vogla, ai e fton të angazhohet me gjëra të lejuara në vend që të angazhohet me adhurime dhe përgatitje për në ahiret.
Por nëse dhe prej kësaj shpëton, ai e fton për në gjëra të dorës së dytë në vend të atyre të shkallës së parë, në mënyrë që të marrë sa më pak shpërblim, pasi që punët e mira kanë shpërblim të ndryshëm.
Nëse dhe kësaj nuk ia arrin, shejtani ia vërsul ushtrinë dhe aleatët e tij kundra besimtarit që t’i bëjnë keq dhe t’ia vështirësojnë, dhe prej kësaj mund të shpëtohet duke kërkuar mbrojtjen e Allahut prej shejtanit, duke e përmendur Zotin vazhdimisht, duke i falur namazet me xhemat pasi që një vepër e tillë është kënaqësi dhe shpëtim.
Duke iu mbështetur Zotit dhe duke pasur kujdes nga të bërit padrejtësi të tjerëve, Allahu i Madhëruar thotë: “E nëse ty të vjen ndonjë ngacmim prej djallit, ti kërko mbrojtje prej Allahut, se vërtet Ai është dëgjuesi, i dijshmi” Fusilet 36.
Ndër gjërat që të ndalin nga veprat e mira është dhe dashuria për jetën dhe dhënia përparësi asaj ndaj ahiretit, mbledhja e pasurisë prej hallallit dhe haramit dhe harrimi i ahiretit.
Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që nuk presin takimin Tonë, që janë të kënaqur me jetën e dynjasë dhe kanë gjetur prehje në të, dhe ata që janë indiferentë ndaj argumenteve tona. Vendi për të tillët është zjarri, për shkak të asaj që punuan” Junus 7-8.
Dhe thotë gjithashtu: “A mos ishit më të kënaqur me jetën e kësaj bote se sa me atë të ardhmen? Përjetimi i jetës së kësaj bote ndaj asaj të ardhmes nuk është asgjë” Teube 38.
Dynjaja është një tjetër armik për njeriun, kur Ia pushton zemrën dhe e ndalon nga të punuarit për ahiret, pasi që shumica e banorëve të tokës i japin përparësi jetës.
Allahu i Lartësuar thotë: “Po ju po i jepni përparësi jetës së kësaj bote. E dihet se jeta e botës tjetër është më e dobishme dhe e përjetshme” Ala 16-17.
Dhe thotë: “Është mjerim për mohuesit për dënimin e ashpër që i pret. Ata që i japin përparësi jetës së kësaj bote ndaj botës tjetër, pengojnë nga rruga e Allahut dhe kërkojnë shtrembërimin e saj. Të tillët janë qartas në humbje” Ibrahim 2-3.
Nuk ka shpëtim prej të keqes dhe dëmit të saj, nuk mund të mbrohesh nga gjendjet e saj të ndryshme vetëm se duke e fituar pasurinë me mënyra të lejuara, duke u dëfryer me hallall, por pa shpërdoruar, pa arrogancë, shtypje dhe tirani ndaj krijesave, si dhe të mos përdorë forcën ndaj tyre.
Duhet medoemos që të njohë realitetin e saj, dhe se ajo është dëfrim mashtrues, kalon shpejt, gjendjet e saja ndryshojnë dhe duhet që diçka të tillë t’ia përkujtojë zemrës vazhdimisht në mënyrë që ta ruajë të pastër.
Musteurid el Fihrij përcjell nga Profeti a.s i cili ka thënë: “Shembulli i dynjasë në krahasim me ahiretin është, sikur ndonjëri prej jush të fusë gishtin në det dhe të shohë se sa ujë mund të nxjerrë” Ahmedi.
Duhet të jetë vigjilent ndaj të keqes së saj, dhe të bëjë kujdes që shejtani të mos e mashtrojë duke i thënë: “Zoti t’i ka dhënë këto mirësi si pasojë e aftësive dhe diturisë tënde, ashtu sikurse u mashtrua Karuni dhe pati fundin për të cilin keni dëgjuar.”
Një tjetër gjë me rëndësi është dhe kryerja e obligimeve të Zotit dhe obligimet ndaj krijesave, si dhënia e zekatit, shpenzimi për familjen, mikpritja, të ndihmuarit e nevojtarëve dhe të varfërve.
Të japësh në rrugë të Zotit me sinqeritet, pa kërkuar falënderim apo famë, pasi që syfaqësia ta shkon dëm mundin dhe të privon prej shpërblimit.
Sahabë të mëdhenj ishin të pasur, e megjithatë bënin një jetë modeste, tregon Ebu Sulejmani: “Uthmani r.a dhe Abdurrahmani kanë qenë si dy magazinier të Zotit në tokë, të cilët shpenzonin në rrugën e Tij, duke treguar sjelljen e tyre modeste.”
Në hadith thuhet: “Jeto modest në këtë botë të të dojë Zoti, ji modest ndaj pasurisë së njerëzve të të duan njerëzit” Ibn Maxhe.
Të jesh zahid ndaj pasurisë së të tjerëve do të thotë të mos i cenosh, të mos u bësh padrejtësi, të mos dëshirosh privimin e tyre prej pasurive që kanë dhe të heqë dorë nga ajo që ata kanë.
Grada më e lartë e zuhdit është të mos dëshirojë poste në këtë botë, Allahu i Madhëruar thotë: “Atë vend të përjetshëm ua kemi caktuar atyre që nuk duan as mendjemadhësi e as ngatërresë në tokë, e përfundimi i këndshëm u takon atyre që i frikësohen Allahut” Kasas 83.
Zotit më bekoftë mua me atë që gjendet në Kuranin Famëlartë, na e mundësoftë të përfitojmë prej ajeteve dhe mësimeve të tij, si dhe prej traditës së zotërisë së mbarë profetëve, kërkojini falje Allahut për çdo gjynah, vërtet Ai është Falës dhe Fortmëshirues!
Allahun e falënderojmë në fillim e në fund, Atij i takojnë emrat dhe cilësitë më të mira, dëshmojmë se nuk ka zot tjetër veç Allahut, i Vetëm dhe i Pashoq, Atij ia dedikojmë emrat dhe cilësitë e mira, dëshmoj se zotëria dhe profeti ynë Muhamedi, është rob dhe i dërguari i Tij i përzgjedhur, Zot bekoje e lartësoje Muhamedin, familjen dhe shokët e tij që ishin të devotshëm!
Besimtar të nderuar, kini frikë Allahun sikurse e meriton, kapuni fort pas fesë së Tij, Zoti ynë ka thënë:”O ju njerëz, s’ka dyshim se premtimi i Allahut është i vërtetë, pra të mos ju mashtrojë ju jeta e kësaj bote dhe të mos ju mashtrojë ju ndaj Allahut i mashtruari-shejtani” Fatir 5.
Ndërsa në një hadith përcillet: “I fituar është ai që e fajëson veten dhe punon për pas vdekjes, ndërsa i humbur është ai që pason epshet e vetes dhe Zotit i drejtohet me dëshira të ndryshme.”
Abdullah ibn Abasi përcjell një hadith: “Meleku ka ndikim në zemrën e njeriut, nxitje për të besuar premtimin dhe të vërtetën, po ashtu dhe shejtani nxit zemrën e njeriut, por nxitja e shejtanit synon përgënjeshtrimin e të vërtetës dhe premtimit të Zotit, ndërsa myslimani duhet t’i kërkojë llogari vetes e ta drejtojë rrugës së drejtë, të bëj kujdes prej kurtheve të shejtanit dhe epsheva personale, si dhe nga të dhënurit dhe mashtruarit pas kësaj bote, pasi që ajo është e kufizuar”.
“Vërtet Allahu dhe melaiket e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin, o ju që keni besuar, madhëroheni pra atë dhe përshëndeteni me selam” Ahzab 56.
Profeti a.s ka thënë: “Kush dërgon salavate mbi mua njëherë, dërgon Zoti për të dhjetë herë”.
Ndaj dërgoni sa më shumë salavate mbi zotërinë e bijve të Ademit, mbi zotërinë e mbarë profetëve.”
Zot madhëroje Muhamedin dhe familjen e Muhamedit, sikurse e madhërove Ibrahimin dhe familjen e tij!
Bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, sikurse e bekove Ibrahimin dhe familjen e tij, vërtetë Ti je i lavdëruari dhe fort madhëruari!
Zot ji i kënaqur me mbarë sahabët, me tabiinët dhe këdo që e ndjek udhën e tyre, deri në ditën e fundit, ji i kënaqur dhe prej nesh bashkë me ta o mëshiruesi i mëshiruesve.
Zoti ynë lartësoje islamin dhe myslimanët, shkatërroji armiqtë e fesë, s’ka dyshim se për Ty s’ka gjë të pamundur!
Zoti ynë jepna gjithë të mirën, atë që e dimë dhe jo, mbrona nga çdo e keqe e ditur dhe e paditur!
Zoti ynë jepna xhenetin dhe çdo fjalë e vepër që të afron për tek ai, ruana nga zjarri dhe çdo fjalë e vepër që të shpie në të!
Zoti ynë na jep fund të lumtur në veprat tona, pastroi zemrat tona dhe na i mbush përplot me devotshmëri!
Zoti ynë jepna dituri të dobishme dhe vepra të vyera, fali të vdekurit tanë dhe të vdekurit e mbarë myslimanëve, fali myslimanët dhe myslimanet, besimtaret dhe besimtaret, të gjallët dhe të vdekurit prej tyre!
Zoti ynë na e bëj të qartë fenë tonë dhe mbarë myslimanëve, largoja hallet myslimanëve, largojua sprovat e brengat!
Bashkoi zemrat e tyre në të vërtetën, mos lejo që t’i mbështetemi vetes as sa hap e mbyll sytë, na e trego të vërtetën të vërtetë dhe bëna prej pasuesve të saj, na e trego të kotën si të tillë dhe na e mundëso t’i largohemi, mos na huto me të në mënyrë që të mos devijojmë!
Zoti ynë, largoja hallet dhe brengat çdo myslimani, shëroi të sëmurët tanë dhe të sëmurët e mbarë myslimanëve!
Zoti ynë, mbrona ne dhe pasardhësit tanë prej shejtanit, aleatëve dhe pasardhësve të tij!
Zoti ynë, ruaje vendin tonë nga çdo e keqe, mbroje ushtrinë tonë, Ti gjithçka e ke në dorë!
Zot largoja vendit tonë ligësinë dhe intrigat e intrigantëve, udhëzoje shërbëtorin e dy haremeve për në punë që të pëlqejnë Ty, udhëzoje për nga e vërteta, veprën e Tij bëje të drejtë dhe ndihmoje në punën e tij!
Zot jepi vizion të qartë e të drejtë, udhëzoje dhe princin e kurorës, jepi vigjilencë e mençuri, dhe gjithë falënderimet të takojnë Ty!