Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 21-06-1447 H 12-12-2025 D
Shejh Salih Ibn Abdullah Ibn Humejd
Tema Burrëria: kuptimi dhe ndikimet e saj
Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin, i Cili për çdo gjë ka përcaktuar masë dhe ka përfshirë të gjitha gjërat në njohjen, dijen e Tij. Zotin e Madhërishëm e lavdërojmë dhe Atë e falënderojmë, na ka dhuruar mbrojtje prej mbrojtjes së Tij.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, dëshmi që do ta ruaj si thesar për në ditën e Gjykimit.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i dërguari për të dy botët, të njerëzve dhe xhindëve, përgëzues dhe paralajmërues, këshillues dhe qortues. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjarët dhe shokët e tij, Zoti u dhëntë atyre shpërblim të madh dhe përjetësoftë kujtimin e tyre, mbi tabi’inët dhe mbi ata që i pasojnë në vepra të mira deri në Ditën e Gjykimit, lutje dhe përshëndetje të bollshme dhe të vazhdueshme.
Në vijim
O ju njerëz! Këshilloj juve dhe veten time që ta kemi frikë Zotin. Kini frikë Zotin, Zoti ju mëshiroftë, dijeni se kush ka zemër të pastër do të ketë mendime të mira për Zotin dhe shpresat e tij do të lulëzojnë me lajme të mira. Kush ka qëllim të sinqertë emri i tij do të përmendet midis njerëzve dhe kush mbështetet në atë që është tek Zoti i tij mbi të do të zbresi qetësia.
O adhurues të Zotit! Mësoni gjuhët tuaja të thonë: “Zoti im, më fal”, sepse ka momente, orë që lutjet e tuaja pranohen tek Zoti juaj. Trajtoni njerëzit sipas asaj që shikoni, jo sipas asaj që dëgjoni. Dy gjëra nuk duhet t’i përmendni: Mirësinë tuaj ndaj njerëzve dhe keqbërijen e njerëzve ndaj jush. Butësia është kreu i mençurisë dhe asgjë nuk është më e vlefshme se shëndeti i mirë. “Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë. Ky virtyt u dhurohet vetëm atyre që durojnë dhe vetëm atyre që kanë një fat të madh.”(Fussilet 34-35)
O ju muslimanë! Cilësi fisnike, e trashëguar dhe përfitim i lavdërueshëm që e vendosën shoqërinë në një pozicion dinjitoz nga ngritjeja, emri, fama, respekti, edukata e lartë dhe krenarie për fenë, atdheun, historinë e kombit, gjuhën dhe trashëgiminë e tij. Cilësi që kombinon forcën, mëshirën, vendosmërinë, butësinë, guximin dhe përkushtimin ndaj të vërtetës tek vetja dhe tek të tjerët, në forcën e zemrës, idetë e shëndosha dhe pastërtinë e mendjes.
O ju muslimanë! Ajo është cilësia e burrërisë. Përmes burrërisë vendoset forca e shoqërisë, familjet ruajnë kohezionin e tyre, mbrohen brezat, vendet janë të sigurta nga infiltrimi dhe përçarja, me lejen e Zotit, përfitimet dhe dobitë do jenë të vazhdueshme dhe largohen dëmet dhe shthurja.
O muslimanë! Nga frytet e urtësisë dhe rrugët e maturisë është respektimi i burrërisë, cilësive të lavdërueshme dhe tipareve fisnike, si dhe kultivimi i virtyteve në të cilat konkurrojnë të ndershmit, me anë të të cilave bëhen të njohur njerëzit e vlerave. Kështu, brezat trashëgojnë këto morale, virtyte, zakone, tradita dhe praktika të mira. Në Kuranin Famëlartë thuhet: “Ibrahimi ua dha këtë porosi fëmijëve të tij; po ashtu edhe Jakubi: “O bijtë e mi! Pa dyshim, Allahu ka zgjedhur për ju fenë e vërtetë, prandaj mos vdisni ndryshe veçse duke qenë muslimanë të nënshtruar ndaj Atij!” A ishit ju të pranishëm kur Jakubit iu afrua vdekja dhe i pyeti të bijtë: “Çfarë do të adhuroni pas vdekjes sime?” – Ata u përgjigjën: “Ne do të adhurojmë Zotin tënd, që është edhe Zoti i etërve të tu: Ibrahimit, Ismailit dhe Is’hakut, një Zot të vetëm. Ne Atij i nënshtrohemi!”(El-Bekare 132-133)
Vëllezër të dashur! Kur burrëria të jetë rrënjosur fort, me lejen e Zotit, ajo do të jetë burim ndihme në kohë vështirësish dhe shpëtim në kohë fatkeqësish.
Burrëria është vijë e gjatë dhe e drejtë që rregullon dijen, punën, të bërit mirë, mirësinë dhe gjithçka që është e mirë dhe e bukur. Burrëria e vërtetë hedh poshtë të metat dhe i urren qortimet. Burrëria e vërtetë është përgjegjësi dhe mbajtja e saj me të gjitha kërkesat e saj materiale dhe morale. Burrëria e detyron zotëruesin e saj të marrë përsipër çështjet më të larta dhe e ngre atë larg nga gjërat e parëndësishme.
Më e mira në të cilën duhet të përqendrohet arsimi është brumosja, ngritja e burrërisë dhe edukimi i burrave. Burrëria nuk do brumoset dhe nuk do të rriten burra përveçse në hijen e besimit të saktë dhe virtyteve, vlerave të larta.
O muslimanë! Burrëria ka komponentët, përbërësit, dhe manifestimet, shfaqjet e saj. Nga gjërat më të mëdha që ruan identitetin dhe burrërinë është të kapurit, besnikëria e fort ndaj fesë dhe identitetit, dhe krenaria për përkatësinë familjare dhe zakonet, tradita e mira. Ajo është rrugë e fortë nëse shoqëria dhe kurrikulat arsimore e mbështesin atë. Me lejen e Zotit, ajo ëshë mbrojtësi i brezave nga shpërbërja, brishtësia dhe devijimi.
Adhurues të Zotit! Nga gjërat që brumosin burrërinë janë: Edukimi i fortë që ngjallën ndjenjën e përgjegjësisë dhe një përkushtim të fortë ndaj fesë, ruajtjen e arritjeve dhe nderimin, vlerësimin e historisë dhe trashëgimisë, që është thelbësore për një fillim të zgjuar drejt një të ardhmeje krenarie dhe lavdie. Rrënjosja e ndjenjës së përgjegjësisë, me lejen e Zotit, rritën breza të fortë që janë të vendosur për të arritur qëllimet e tyre. Atëhere preokupimi, angazhimi me luksin dhe ekstravagancën nuk do të ketë më një efekt të madh në dobësimin e aspiratave për përsosmëri dhe ambicie të larta.
Vëllezër të dashur! Nga gjërat që brumosin burrërinë është ulja me dijetarë, mendimtarë, biznesmenë dhe me përvojë. Gjë që ruan për brezat autenticitetin e tyre, lidhjen e tyre me atdheun e tyre, lidhjen e tyre me familjet e tyre dhe krenarinë e tyre që u përkasin atyre.
Një nga gjërat e bukura me të cilat janë mësuar disa familje është hapja e ligjëratave, tubimeve dhe klubeve që fëmijët e tyre nuk i humbasin kurrë. Ligjërata, tubime në të cilat ata presin burrat e shoqërisë dhe të diturit e saj për të paraqitur vizionet, përvojat dhe udhëzimet e tyre, në të cilat nderohen ata që meritojnë të nderohen nga njerëzit e vlerave dhe arritjeve.
E gjitha kjo përforcon burrërinë e vërtetë me parimet dhe efektet e saj shkencore, praktike, edukative dhe psikologjike. Por se, nëpërmjet këtyre tubimeve dhe ligjëratave, zhvillohen aftësitë e anëtarëve të familjes, djemve ashtu dhe vajzave, rriten aftësitë e tyre dhe zgjerohen botëkuptimet dhe horizontet e tyre. Sikurse mësojnë sjelljen, etikën, moralin e mirë, respektin për të moshurarit, vlerësimin për ata me status të lartë dhe respektimin e njerëzve. Për të mos harruar nga diskutimet, mendimet dhe përfitimet që zhvillohen në këto tubime, të cilat kanë një ndikim të thellë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë.
O vëllezër të besimit në Zot! Nga aspektet më të rëndësishme të burrërisë është ruajtja e gjuhës së umetit nëpërmjet të folurit, të mësuarit dhe mësimdhënies. Aq më tepër kur ajo është gjuha e Kuranit Famëlartë dhe bartëse e shpalljes së madhe, Kurani Famëlartë dhe suneti i pastër! Biseda, të flasësh në një gjuhë të huaj është një gabim, e situata bëhet gjithnjë e më e rëndë, e dobët dhe injorante kur kjo shfaqet tek ata që janë në një pozicion udhëzimi, drejtimi dhe modeli. Udhëheqësit e Kurejshëve i dërgonin fëmijët e tyre të vegjël në shkretëtirë për të mësuar gjuhën elokuente dhe të pastër. Kombet nderohen me nderimin e gjuhës së tyre.
Autenticiteti, identiteti, dhe burrëria e vërtetë kërkojnë një nivel të pakompromistë të integritetit gjuhësor dhe aftësisë gjuhësore që mbron nga asimilimi, nga të menduarit sipërfaqësor dhe nga dobësia në shkrim dhe në të shprehur.
O të rinj! Vendet ku manifestohet burrëria janë të shumta; Në dituri, shkencë, ekonomi, tregti dhe në teknologji. Kush dëshiron të mbështesë Islamin, të ngrejë atdheun, të ngrejë statusin e umetit, t’i përkasë Muhamedit, Zotit të tij dhe fesë së tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, atëherë rruga e burrërisë është e qartë. Kush nuk ka qenë në gjendje ta bëjë këtë duhet të vendosë ta bëjë kur të jetë e mundur për të.
O muslimanë! Këto janë disa shembuj të tubimeve, edukimit dhe brumosjes së burrërisë nga traditat e paraardhësve tanë të drejtë, selefëve.
Omer Ibn El Hatabi, Zoti qoftë i kënaqur me të, futën Abdullah Ibn Abasin, Zoti qoftë i kënaqur me të, një i ri, me sahabët e vjetër që luftuan në Bedr, sa që disa prej tyre thanë: “Pse e përfshini atë kur kemi djem në moshën e tij?” Omeri u përgjigj: “Ai është siç e dini.” Pastaj një ditë e thirri dhe e përfshiu me taIbn Abbasi tha: “Mendova se ai më thirri atë ditë vetëm për t’u treguar atyre diturinë time.” Omeri tha: “Çfarë thoni për fjalët e Zotit, të Lartësuarit dhe të Lavdëruarit: “ Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës).” (En-Nasr 1) Disa prej tyre thanë: Na u urdhërua të lavdërojmë Zotin dhe të kërkojmë falje tek Ai kur të na japin fitore dhe çlirim. Pastaj ai më ka thënë: Kështu thua dhe ti për këtë, Ibn Abas? Unë thashë: Jo. Ai më ka thënë: Çfarë thua? Unë thashë: Është koha e caktuar e të dërguarit të Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i cili ia bëri të ditur atij. Ka thënë: “ Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës).” (En-Nasr 1) Kjo është shenjë e kohës suaj të caktuar: “atëherë madhëroje me falënderim Zotin tënd…” (En-Nasr 3) Omeri ka thënë: Nuk di asgjë tjetër për të përveç asaj që thua ti.
Adhurues të Zotit! Sa i përket të rinjve, merrni parasysh këtë efekt edukativ të njëpasnjëshëm të rritjes së tyre të mirë, ruajtjes së të drejtave të tyre dhe mbjelljes së sjelljeve të mira tek ata. Tirmidhiu transmeton me një zinxhir të saktë transmetimi nga Sajari, i cili thotë: Po ecja me Thabit El Bunanin kur ai kaloi pranë disa djemve dhe i përshëndeti. Thabiti tha: “Po ecja me Enesin kur ai kaloi pranë disa djemve të ri dhe i përshëndeti. Enesi tha: Po ecja me profetin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kur ai kaloi pranë disa djemve të ri dhe i përshëndeti ata.”
Në vijim
Zoti ju ruajtë! Nëse burrëria e vërtetë brumoset siç duhet, atëherë, me lejen e Zotit, ajo është një valvul sigurie për shoqërinë, familjet dhe atdheun. Ajo çon në garim drejt gjërave të lavdërueshme, të mira, dhe eliminon negativitetin, shpërbërjen, dobësinë dhe humbjen. Veçanërisht përballë thirrjeve të dyshimta për të shkatërruar shoqëritë, për të dobësuar përkatësinë, origjinën, për të minuar besimin tek udhëheqësit e umetit, si dhe për t’u kapur pas rrënjëve të tij dhe për t’u krenuar me to.
Ruajtja e burrërores dhe identitetit është rruga e drejtësisë dhe metoda e suksesit. Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “ Midis besimtarëve ka të atillë, që e kanë mbajtur besëlidhjen me Allahun. Kështu që disa prej tyre e kanë kryer zotimin (duke vdekur në luftë për Çështjen e Allahut), kurse të tjerët presin, pa ndryshuar asgjë nga besnikëria e tyre.”(El-Ahzab 23)
Zoti na bëftë dobi me udhëzimet e librit të Tij, Kuranin Famëlartë, dhe me synetin e të dërguarit të Tij, Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.
Zotit i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah dhe gabim, Zotit kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirues.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, me mëshirën e Tij mbulon të gjithë robërit dhe ka veçuar njerëzit që i binden Atij me udhëzim dhe drejtësi. Zotin e Madhërishëm e lavdëroj dhe Atë e falënderoj për mirësitë dhe begatitë e Tij, të cilat shtohen me mirënjohjen, falënderimin ndaj Tij.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai është shumë larg çdo ngjashmërie ose barazie, asgjë nuk i përngjanë Atij.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij, Zoti kompletoi me të fenë, ngriti dhe forcoi flamurin e monoteizmit, besimit në Një Zot. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij, njerëzit e mirësive, vlerave dhe lumturisë, mbi tabi’inët dhe mbi ata që i pasojnë në vepra të mira deri në ditën e Gjykimit.
Në vijim
O muslimanë! Nga gjërat që ndikojnë dhe dobësojnë burrëroren është ajo që shfaqet në disa rrjete të mediave sociale nga zhytjet në anën sipërfaqësore, ekzagjerimi në luks dhe në çështjet e parëndësishme, mbivlersimi i vetes, prishja e shijes, lavdërimi i momentit kalimtar dhe ngritjes së njerëzve me gjëra të parëndësishme dhe të përbuzshme, derisa standardi për këta njerëz të jetë bërë numri i admiruesve, numri i pjesëmarrësve dhe mburrja me numra, dhe jo me identitet, me burrëroren dhe me ndërtimin e vërtetë të qenies njerëzore.
Kur gjërat e parëndësishme dhe sipërfaqësore janë më të njohurat, opinioni publik formohet sipas këtyre vizioneve të vogla, të dobëta dhe të pafuqishme. Njeriu bëhet konsumator dhe jo prodhues, i mundur dhe jo fitues, ndjekës dhe jo i pavarur. Përdoruesi i këtyre mjeteve mendon se është i lirë të zgjedhë sipas dëshirës. Nëse do të mendonte dhe do të shikonte, do të kuptonte se ai është rob i asaj që është përgatitur për të paraprakisht. Ai është i shtyrë drejt saj, pavarësisht nëse e di apo jo.
Kjo sjellje pengon të menduarit e thellë dhe çon në reagime të nxituara në të cilat njeriu nuk shprehet, por përkundrazi e shfaq veten. Ai nuk është në kërkim të identiteti, as të burrërores apo të një jete serioze, por se ai është në kërkim të mburrjes, popullaritetit dhe tërheqjes së numrit më të madh të mundshëm të ndjekësve dhe shikuesve. Në vend që të jetë njeri mendimtar, ai kthehet në një njeri i ndjekur, i shikuar, shqetësimi i tij i vetëm është ruajtja dhe promovimi i imazhit të tij. Nuk ka shqetësim për rritjen personale, burrërore apo pasurimin intelektual. Ai e shet veten e tij siç shitet malli në treg.
Në sytë e të rinjve: Imazhi ka përparësi mbi përmbajtjen, ndjekësit janë më të rëndësishëm se origjinaliteti, identiteti, dhe shpejtësia e përhapjes ka përparësi mbi substancën. Rezultati është: Largimi nga atdheu dhe populli i tij, nga devotshmëria, drejtësia, integriteti dhe identiteti i tij, nënçmimi i trashëgimisë, historisë dhe identitetit të tij, dhe distancimi nga idealet dhe aspiratat e larta.
O ju prindër, o ju mësidhënës! O ju të gjithë që jeni në pozita përgjegjësie! Përmbushni përgjegjësitë tuaja, mbillni vlerat tek bijtë dhe bijat tuaja, edukoni mirë ata dhe mbrojini nga shtigjet e dobësisë dhe e të qenit frikacakë.
Kini frikë Zotin në kujdesin për brezat, në formësimin e të rinjve, në mbrojtjen e shoqërisë dhe në brumosjen e burrërisë. Udhëzoni të rinjtë dhe të rejat drejt vlerave, modestisë, dëlirësisë dhe karakterit fisnik. Mbroni ata nga humbja dhe shthurja. Mbani ata larg rrugëve të imoralitetit, krimit dhe çështjeve të parëndësishme.
Zoti ju mëshiroftë! Kini frikë Zotin! Dijeni se nga shembujt e gëzueshëm dhe imazheve fisnikejanë fëmijët tanë, fëmijët e vegjël të Palestinës. Fëmijët tanë, fëmijët e Palestinës së dashur, ata janë fëmijë në moshën e tyre, burra në veprimet e tyre, heronj në qëndrimet e tyre. Fëmijë heronj, baballarët e të cilëve u vranë ndërsa shikonin dhe shtëpitë e të cilëve u shembën ndërsa dëshmonin. E megjithatë ata qëndruan me trupat dhe me gjokset e tyre, me shkopinjtë dhe me gurët e tyre përballë armikut shtypës, tiranit sionist, me armët e tij të ndryshme superiore dhe vdekjeprurëse. Ata qëndruan me një burrëri që refuzon të dorëzohet dhe hedh poshtë poshtërimin dhe turpin.
Gjaku i martirëve, qëndrimet e burrave dhe qëndrueshmëria e heronjve, me lejen e Zotit, do të brumosin njerëz dhe zemra krenare që nuk e pranojnë poshtërimin. Palestina dhe Kudsi do të mbeten në zemrat e arabëve dhe muslimanëve krenare dhe të lartësuara.
Lutuni dhe përshëndeteni mëshirën e dhuruar, mirësinë e dhënë, të dërguarin tuaj, Muhamedin, të dërguarin e Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, për këtë ju ka urdhëruar Zoti juaj në librin e Tij, Kuranin Famëlartë, Ai ka thënë, e është i vërtetë në thënien e Tij: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, të dërguarin tonë Muhamedin, të zgjedhurin e dashur, profetin e dalluar, mbi familjen e tij të mirë dhe të pastër, dhe mbi bashkëshortet e tij, nënat e besimtarëve.
O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër Halifet e parë të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tij, me tabi’inë, me ata që i pasojnë me mirësi deri në ditën e Fundit, dhe me ne së bashku me ta, me Faljen, Bujarinë dhe Mirësinë Tënde, o më i Madhi Bujar.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë dhe idhujtarët, mposht tiranët, ateistët dhe të gjithë armiqtë e tjerë të umetit dhe fesë.
O Zot, na jep siguri në vendin tonë, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona, bëj udhëheqjen tonë në duart e atyre që të frikësohen, janë të devotshëm ndaj Teje dhe që kërkojnë kënaqësinë Tënde, o Zot i botëve.
O Zot, jepi sukses udhëheqësit dhe kujdestarit të çështjeve tona, kujdestarit të dy xhamive të shenjta. O Zot, jepi atij sukses nga suksesi Yt, lartësje atë me lartësinë Tënde, lartëso me të fjalën Tënde dhe bëje atë burim fitoreje për Islamin dhe muslimanët. O Zot, jepi sukses atij, zëvendësit të tij, vëllezërve dhe ndihmësve të tyre në atë që Ti do dhe je i kënaqur, dhe udhëzoi ata drejtë të mirës dhe devotshmërisë.
O Zot, jepu sukses kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve që të punojnë me Librin Tënd, dhe me sunetin e të dërguarit Tënd, Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, bëji ata mëshirë për robërit e Tu besimtarë, bashko fjalën e tyre në të vërtetën dhe udhëzimin, o Zot i botëve.
O Zot, përmirëso gjendjen e muslimanëve në çdo vend që janë. O Zot, mbro gjakun e tyre dhe bashko fjalën e tyre në të vërtetën, në udhëzim dhe në sunet.
O Zot, të lutemi të merresh me jehudët uzurpues dhe pushtues, sepse ata nuk mund t’i shpëtojnë pushtetit Tënd, ata kanë shkelur dhe shtypur. O Zot, lësho mbi ta zemërimin Tënd, i cili nuk mund të shmanget nga populli kriminel. O Zot, kërkojmë strehim tek Ti nga e keqja e tyre dhe të lutemi Ty të na mbrosh nga dëmi i tyre.
O Zot, na shto dhe mos na pakëso, na jep dhe mos na privo. O Zot, të lavdërojmë dhe të falënderojmë për shiun që na ke dërguar, ke hapur për ne dyert e mëshirës Tënde dhe ke dërguar nga bujaria Jote re mbi ne, me Mirësinë Tënd, shiu i qiellit ka mbuluar fushat dhe kodrat e tokës dhe ka lehtësuar shpirtrat tanë nga shqetësimi dhe pikëllimi i tyre. Ne jemi shpresëplotë për shkak të bekimeve Tua dhe të lumtur për shkak të mirësisë, begatisë dhe mbështetjes Tënde. Të lutemi për më shumë nga favori dhe mirësia Jote, jemi shpresëplotë për ndikimin e mëshirës Tënde mbi robërit dhe tokën. Prandaj, o robër të Zotit, falënderojeni shumë Zotin tuaj, dhe madhërojeni Atë mëngjes e mbrëmje. Kërkoni prej Tij më shumë shi të dobishëm që Ai ta pasojë atë me më shumë nga bujaria dhe favori i Tij. Sepse bujaria e Zotit tonë nuk ka kufij as masë. Sa herë që Zoti juaj ju rinovon bekimet, rinovoni lavdërimet dhe falënderimet ndaj Tij. Sa herë që Ai largon prej jush atë që nuk ju pëlqen, përmbushni të drejtën e Tij duke iu bindur Atij duke e lavdëruar dhe duke e kujtuar Atë. O Zot, zbrit shi mbi ne dhe mos na bëj prej të dëshpëruarve. O Zot, na jep shiun. O Zot, kërkojmë falje nga Ti, sepse Ti je Falës i Madh. Dërgo shi të bollshëm mbi ne dhe bëje atë që dërgon burim force për ne në bindjen Tënde dhe furnizim për një kohë. O Zot, dërgo shi të bollshëm, të begatë dhe të përhapur, me të cilin gjallëron tokën, shuan etjen e robërve të Tu dhe bëje furnizim për ata që janë të pranishëm dhe ata që do vijnë. O Zot, mos na e moho mirësinë Tënde për shkak të gjynaheve tona. Ne jemi mbështetur tek Allahu.
“ O Zoti ynë, mos na bëj sprovë për popullin keqbërës (duke i lënë të na shkatërrojnë).”(Junus 85)
“O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.”(El-A’raf 23)
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
“I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Saffat 180-182)
Afrim Smakaj