Vlera e dijes në Islam dhe obligimi për të respektuar mësuesin

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     28-06-1447 H   19-12-2025 D

Shejh Urvetu Ikrime Sabri   

Tema    Vlera e dijes në Islam dhe obligimi për të respektuar mësuesin

Vërtetë lavdërimi i takon Zotit. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe udhëzim kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e drejton Zoti  ai është i udhëzuar, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili, me anë të penës ia mësoi, ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte. Lavdërimet janë për Zotin, që dërgoi tek ne më të mirin e njerëzimit, Muhamedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mësues, edukator dhe udhërrëfyes.

“Krenaria e vërtetë u përket vetëm njerëzve të dijes, vërtetë ata janë udhërrëfyes për këdo që kërkon udhëzim.

Vlera e personit matet nga ajo në të cilën ai shkëlqen, ndërsa injorantët, të paditurit, janë armiq të të diturve.

Nëse u tregoni atyre vlerë me prejardhje fisnike, vërtetë prejardhja jonë është vlerë dhe fisnikëri.

Prandaj, fito dituri do të jetosh përgjithmonë me të, njerëzit janë të vdekur ndërsa njerëzit e dijes janë të gjallë.”

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Atij i takon pushteti dhe lavdërimi, Ai është i fuqishëm për të bërë çdo gjë.

Dëshmoj se Muhamedi  është i dërguari  i Zotit, udhëheqësi i njerëzve të devotshëm, model për dijetarët aktiv, punëtorë, dhe shembull i predikuesve të sinqertë deri në Ditën e Kijametit.

O Zot, fale dhe mëshiroje zotërinë tonë, Muhamedin, në këtë botë,  fale dhe mëshiroje atë në botën Tjetër,  fale dhe mëshiroje atë në pozitën më të lartë deri në Ditën e Gjykimit.

“Bekimet e Zotit qofshin mbi ju, o më i miri i njerëzimit, sa kohë që lind dhe perëndon dielli.

Melaiket në qiell janë lutur për ty, duke iu përgjigjur urdhrit të shpallur në Kuran.

Lutuni për të dhe parfumosuni me lutjet për të, e kush nuk lutet për të është koprac.”

“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102)

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, e nga ai krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej atyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”(En-Nisa’ 1)

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab 70-71) 

Në vijim

Zoti  i Lartësuar dhe Fuqiplotë në librin e Tij, Kuranin Famëlartë, thotë: “O besimtarë! Kur ju thuhet t’u bëni vend të tjerëve në tubim, atëherë hapni vend, se Allahu do t’ju bëjë vend (në Xhenet)! E kur ju thuhet të ngriheni, atëherë bëni kështu, se Allahu do t’i ngrejë në shkallë të lartë ata midis jush që besojnë dhe që u është dhënë dija. Allahu di çdo gjë që veproni.”(El-Muxhadel 11)

Adhurues të Zotit! Feja jonë madhështore Islame është kujdesur për përhapjen e dijes, për nxitjen në kërkimin dhe në nxënien e saj. Me fillimin e thirrjes Islame ajetet e para të shpallura urdhëruan leximin që është rruga drejt dijes. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh, i Cili, me anë të penës ia mësoi, ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte.” (El-‘Alak 1-5) Ky shqetësim, kujdes u përkthye në veprim. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, u mësoi shokëve të tij parimet e Islamit dhe kuptimet e Kuranit Famëlartë, pavarësisht rrethanave të jashtëzakonshme që kërcënonin thirrjen Islame. Ai e përdori shtëpinë e Erkam Ibn Ebi Erkam si një qendër të fshehtë për mësimin e parimeve të Islamit gjatë periudhës Mekase. Kjo vazhdoi dhe pas emigrimit të profetit dhe themelimit të bashkësisë muslimane, në Medine. Ky interes nuk u shua dhe në rrethana që është e pakonceptueshme të mendosh për kërkimin e dijes. Në Betejën e Bedrit, pasi që Zoti mundësoi fitoren për profetin e Tij dhe muslimanët, u diskutua fati i të burgosurve të politeistëve. Një nga mundësitë për lirimin e tyre ishte që t’u mësonin lexim dhe shkrim dhjetë fëmijëve të muslimanëve, për ata të burgosur që e kishin të mundur këtë gjë, që dinin.

LEXO  Mbrojtja dhe imunizimi kundër magjisë dhe syrit të keq

O ju muslimanë! Ky kujdes për të kërkuar dije është i justifikuar, sepse dija është e rëndësishme në ndërtimin e të menduarit të shëndoshë. Dija e lartëson njeriun dhe është arsye për ekzistencën e vetëdijes, që është një nga faktorët më të rëndësishëm të forcës dhe kohezionit të umetit. Në të vërtetë, dija e dobishme, e cila është e lidhur me besimin Islam, është themeli mbi të cilin u ndërtua qytetërimi Islam gjatë gjithë epokave të tij të rilindjes, që zgjati për qindra vjet. Kështu, ne gjetëm superioritetin e umetit Islam mbi kombet e tjera në shkenca të ndryshme. Prandaj dhe gjejmë interesimin e halifeve të Islamit dhe sulltanëve të tyre për dijetarët, shkollat ​​shkencore dhe bibliotekat, pasi ata konkurruan në një mënyrë të lavdërueshme në këtë fushë. Çështja nuk u ndal në këtë pikë, por disa nga halifet kërkuan dije për veten e tyre dhe kujdesej për arsimimin e fëmijëve të tij dhe edukimin e tyre. Ata zgjidhnin një mësues për fëmijët e tyre që i ndihmon në edukimin dhe arsimimin e tyre.

Adhurues të Zotit! Bashkë me inkurajimin që Islami i ka bërë kërkimit të dijes, Zoti i Plotfuqishëm i ka nderuar dijetarët, veçanërisht dijetarët e sinqertë dhe të përkushtuar të ligjit Islam. Shfaqje e këtij nderimi është se e ka lidhur dëshminë e tyre me dëshminë e Zotit të Plotfuqishëm dhe të Melekëve në lidhje me Njëshmërinë e Zotit. Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “ Allahu dëshmon, e po ashtu engjëjt dhe njerëzit e dijes, se nuk ka zot tjetër (që meriton të adhurohet), përveç Tij, duke mbajtur drejtësinë. S’ka zot tjetër (që meriton të adhurohet), përveç Tij, të Plotfuqishmit, të Urtit.” (Al ‘Imran 18)

Nga shfaqjet e nderimit të tyre janë: Zoti i Plotfuqishëm ka përcaktuar shpërblimin për kërkimin e dijes dhe e ka bërë atë një nga veprat që të çojnë në Xhenet, nënshtrimi Melaikeve ndaj tyre, kërkimin e faljes për ta nga shumë krijesa nga ku nuk e presin dhe nderimin e tyre me trashëgiminë e profetësisë. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kush ndjekën  rrugën për kërkimin e dijes Allahu me të ia hapën rrugën për në Xhenet. Melaiket shtrijnë krahët e tyre për kërkuesin e dijes si kënaqësi për atë që ai vepron. Për dijetarin kërkojnë falje çka ka në qiej dhe toke, madje dhe peshqit në det. Vlera e dijetarit ndaj një robi adhurues është sikurse vlera e hënës ndaj yjeve tjera. Vërtetë dijetarët janë trashëgimtarët e të dërguarve. Me të vërtetë profetët nuk lënë trashëgimi dinar as dirhem, por ata lënë trashëgim dije. Kush e kapën atë merr një pjesë të madhe.”  Sikurse i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kush merr rrugën për të kërkuar dituri, Zoti do t’ia lehtësojë rrugën për në Xhennet.”

Dijetari gjithashtu ka sevape dhe shpërblime, efekti i të cilave nuk ndalet kurrë. Nga Ebu Hurejra tregohet se i dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kur vdes njeriu i ndërpriten veprat e tij përveç tre gjërave: Lëmosha vazhdueshme, dituria nga e cila përfitohet dhe një fëmijë i mirë që lutet për të.”

LEXO  Vlerat e Mekes së bekuar dhe detyrat e muslimanëve ndaj saj

Adhurues të Zotit! Për shkak të rëndësisë së dijes, feja jonë Islame e ka obliguar për muslimanët mësimin e shkencave të dobishme, veçanërisht shkencat fetare. Nga Enes Ibn Maliku tregohet se i dërguari, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kërkimi i diturisë është obligim për çdo musliman.”

Njerëzit e dijes, dijetarët, kanë thënë: Ekzistojnë disa shkenca që janë  detyrim individual (fard ‘ajn), të cilat çdo musliman duhet t’i mësojë. Këto janë shkenca që lidhen me çështjet fetare, legjislacioni fetar Islam, qoftë në çështjet e adhurimit apo të marrëdhënijeve ndërnjerëzore, janë nga çështjet që muslimani ka nevojë për ta në jetën e tij të përditshme. Në rast se ai nuk është në dijeni të ndonjërës prej këtyre çështjeve, ai është i detyruar t’i pyesë ata që kanë njohuri rreth tyre.

Sa i përket specializimit në shkenca të ndryshme, nga shkencat fetare dhe shkencat e tjera të dobishme natyrore që i nevojiten umetit Islam, siç janë:  Mjekësia, inxhinieria, matematika, kimia, shkencat kompjuterike dhe teknologjitë moderne, konsiderohen detyrim kolektiv, (far kifaje) domethënë, është e mjaftueshme që një grup i specializuar ta kryejë këtë detyrë. Zoti i plotëfuqishëm ka thënë: “ Nuk është mirë që besimtarët të shkojnë në luftë të gjithë njëherësh, por prej çdo bashkësie, një grup të mbetet mbrapa, që të thellohet në mësimin e fesë dhe kështu të këshillojë popullin e vet, mbasi të kthehet nga lufta, që t’i frikësohet Allahut.” (Et-Teube 122)

O ju muslimanë! Në të njëjtën kohë që urdhërohemi të mësojmë shkenca e dobishme, urdhërohemi t’i lidhim këto shkenca me parimet e fesë sonë Islame. Nuk lejohet ndarja e shkencës nga feja. Por se, shkenca është rruga drejt besimit. Këdo që Zoti i Plotfuqishëm e ka bekuar me një zemër të vetëdijshme, të gjallë dhe me një mendje të shëndoshë, ai mediton madhështinë e fuqisë së Zotit të Plotfuqishëm në këtë univers, besimi i tij rritet mbi besimin e tij dhe bindja mbi bindjen, sigurinë e tij.

Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “ po edhe në vetet tuaja – a nuk e shihni vallë?” (Edh-Dharijat 21) Dhe ka thënë gjithashtu: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës, në këmbimin e natës me ditën, në anijet që lundrojnë nëpër det për t’u sjellë dobi njerëzve, në ujin që Allahu zbret prej qiellit, duke ngjallur përmes tij tokën e vdekur dhe duke shpërndarë gjithfarë gjallesash, në lëvizjen e erërave dhe në retë që qëndrojnë midis qiellit e Tokës, pra, në të gjitha këto, sigurisht që ka shenja për njerëzit me intelekt.”(El-Bekare 164)

I suksesshëm është ai, dija e të cilit bëhet  shkak për udhëzimit e tij dhe meditimi i të cilit mbi krijimin e njeriut, mbi fenomenet e universit dhe mbi ligjet e shëndosha në shkenca të ndryshme është rruga drejt besimit dhe drejt thirrjes së njerëzve në Islam me mendjehollësi dhe vetëdije.

Adhurues të Zotit! Ndërsa pranojmë vlerën e dijes, duhet të pranojmë vlerën dhe statusin e lartë të mësuesit. Roli i mësuesit është ndër misionet më fisnike, ai është misioni i profetëve, paqja e Zotit qoftë mbi ta. Mësuesi është ai që ngulit vlera shkencore dhe morale në zemrat e fëmijëve tanë dhe është ai që ndihmon baballarët dhe nënat në edukimin e fëmijëve të tyre. Prandaj, respektimi dhe vlerësimi i mësuesit është një vlerë fetare dhe morale. Ky mësues meriton që të gjithë ne t’i puthim kokën dhe duart në shenjë falënderimi, mirënjohjeje, vlerësimi dhe njohje për mundin dhe përpjekjet e tij. Njerëzit nuk e kanë arritur pozicionin në të cilin janë, pas mirësisë dhe favorit të Zotit, përveçse nëpërmjet asaj që kanë marrë nga edukimi i mësuesit të tyre.

LEXO  Gjendja e muslimanit në mes të nënshtrimit dhe dashurisë së plotë për Zotin

Këto ditë, në këtë kohë,  për fat të keq, kemi filluar të humbasim respektin dhe vlerësimin për mësuesit, sepse disa njerëz nuk e njohin vlerën e dijes. Për këtë arsye, disa nxënës dhe familjet e tyre shfaqin sjellje të devijuara dhe të papranueshme që dëmtojnë procesin arsimor dhe dinjitetin e mësuesve. Kjo përfshin vandalizimin e institucioneve arsimore dhe paraqitjen e ankesave kundër mësuesve, ose kërcënimin e tyre me veprime të tilla, thjesht për përpjekjen për të disiplinuar një nxënës. Në vend që ta falënderojnë mësuesin, ata ankohen për të! Dhe kujt i ankohen? U ankohen atyre që nuk kanë asnjë shqetësim për procesin arsimor.

Këto veprime janë të papranueshme sipas ligjit të sheriatit, Islamit, sepse ato ndikojnë në procesin arsimor dhe pengojnë punën e mësuesit dhe kryerjen e detyrës së tij arsimore dhe mësimdhënëse. Prandaj, është përgjegjësi e shoqërisë të bien dakord që të gjitha grupet e saj për t’i mundësuar mësuesit të kryejë misionin e tij dhe të refuzojnë çdo dëmtim të procesit arsimor dhe dinjitetit të mësuesit.

Gjithashtu theksojmë për nevojën që mësuesi të rifitojë rolin e tij moral, edukativ dhe pedagogjik. Sot, ne duhet të ngulitim tek fëmijët tanë vlera Islame, nga  dashuria për Zotin e Plotfuqishëm, dashuria për të dërguarin e Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dashuria për fenë e Zotit të Plotfuqishëm dhe përkatësia ndaj saj. Të mbjellim tek ata dashurinë për xhaminë e bekuar të Aksasë dhe nderimin për ritet e Zotit.

Zoti na bëftë dobi të gjithëve  me Kuranin Fisnik, me ajetet dhe me përkujtimet e urta që ai përmban. Tek Zoti kërkoni falje me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Allahun, Zotin e botëve. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dërguarin e besueshëm të Allahut, mbi familjarët dhe të gjithë shokët e tij, dhe mbi ata që i pasojnë në vepra të mira deri në Ditën e Kijametit.

Në vijim

O adhurues të Zotit! Është detyrë e administratave të institucioneve arsimore, veçanërisht në qytetin e Kudsit, që të ndihmojnë mësuesit në përmbushjen e misionit të tyre duke zhvilluar programe dhe plane të studiuara mirë, në bashkëpunim me prindërit e shqetësuar, për t’u përballur me sfidat e shumta që kërcënojnë procesin arsimor në këtë qytet të bekuar. Në mënyrë që të jemi të gatshëm për t’u përballur me fenomenet negative, duke përfshirë braktisjen e shkollës, ndryshimet në kurrikulë, përpjekjet për të përhapur ide të dyshimta dhe projektet që bien ndesh me ligjin Islam, me vlerat dhe moralin tonë. Këto institucione nuk duhet të jenë vende për hedhjen e fundërinave intelektuale dhe morale të tregtuar përmes projekteve të financuara me fitime të paligjshme, të cilat do të jenë fatkeqësi si për marrësin dhe për  dhënësin e tyre. Zoti i Plotfuqishëm thotë: “ Në të vërtetë, jobesimtarët e shpenzojnë pasurinë e tyre për t’i penguar njerëzit nga rruga e Allahut. Ata do ta shpenzojnë atë, por në fund ajo do jetë vetëm dëshpërim për ta, sepse do të jenë të mundur. Ata që nuk besojnë, në Xhehenem do të tubohen.” (El-Enfal 36) Këto ide të çuditshme do të zhduken, me lejen e Zotit, me anë të fuqisë së logjikës së të vërtetës kundër gënjeshtrës. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “Por Ne e godasim të pavërtetën, me të vërtetën, e cila e shkatërron atë dhe ajo zhduket. Dhe, mjerë ju për atë që i vishni (Allahut!).” (El-Enbija’ 18)

O Zot, na udhëzo, na mbro nga sprovat, ato që janë shfaqur dhe ato të fshehurat. O Zot, shpërbleji mësuesit, dijetarët dhe prindërit tanë me shpërblimin më të mirë për atë që na mësuan në fëmijërinë tonë dhe në moshën tonë madhore. O Zot, mëshiro ata që kanë vdekur prej tyre dhe bëj diturinë dhe mësimin e tyre dritë për ta në varret e tyre.

O Zot, na dhuro dituri të dobishme,  zemër të përulur, gjuhë që të përkujton Ty dhe vepra të mira që pranohen.

O Zot, mëshiro të dobëtit dhe të shtypurit kudo që janë dhe largo prej tyre vuajtjet, o Zot i botëve. O Zot, shëro plagët tona, mëshiro dobësinë tonë, largo pikëllimin tonë dhe lehtëso shqetësimin tonë.

O Zot, mbro për ne xhaminë e bekuar të Aksasë nga çdo e keqe, bëje atë të mbushur me Islam dhe musliman.

O Zot, na mëshiro, sepse Ti je i Mëshirshëm me ne. Mos na ndëshko, sepse Ti je i Mundshëm ta bësh këtë. Ji i Butë me ne në lidhje me atë që ke përcaktuar për ne.

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju.

Falënderojeni për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.

Lutja jonë e fundit është: Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve. Fto për namazin,  Zoti  të mëshiroftë.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1436499445143398/1526988528519460

Post Author: endrit