Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 03-02-1448 H 17-07-2026 D
Shejh Dr. Husejn Bin Abdulaziz Ali Shejh
Tema Divorci në mes të domosdoshmërisë së trajtimit dhe kufijve të Islamit
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili ka vendosur ligje dhe ka sunduar.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se i dërguari ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, më Bujari. Dëshmoj se Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i dërguari i Tij më i madh. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë, familjen dhe të gjithë shokët e tij.
Në vijim
O ju muslimanë! Frikësojuni Allahut të Madhërishëm dhe respektoni kufirin e Tij, Zotit të Plotëfuqishëm, të keni sukses dhe të fitoni me çdo shpërblim.
O ju muslimanë! Vërtetë rregullat e Islamit i kanë dhënë përparësi jetës bashkëshortore me shumë kujdes dhe me rregulla të qartë, në bazë të parimeve që ruajnë interesat për familjen dhe largo prej saj shkaqet e shkatërrimit, shthurjes dhe arsyet e të këqijave.
Nga tërësia e këtyre dispozitave është dhe ajo që Allahu ka legjitimuar prej parimeve që trajtojnë çfarë mund të godasë këtë jetë bashkëshortore, që e bëjnë të humbi dobitë legjitime dhe të rrezikojnë qëllimet e synuara. Prandaj, divorci është legjitimuar, lejuar, kur mosmarrëveshjet bëhen të pazgjidhshme dhe ndarja bëhet rruga e vetme për të shmangur dëmet dhe padrejtësitë.
Divorci në Islam nuk është zgjidhja e parë, por ai përdoret vetëm kur konflikti nuk mund të zgjidhet dhe pajtimi bëhet i pamundur. Zoti i Lartësuar ka thënë: “Jetoni e silluni mirë me to! Në qoftë se ato nuk ju pëlqejnë (atëherë duroni sepse), është e mundur që juve të mos ju pëlqejë diçka, por që Allahu t’ju sjellë nëpërmjet saj shumë të mira.”( En-Nisa’ 19)
I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Besimtar të mos e urrejë besimtaren, nëse nuk i pëlqen një cilësi e saj, do të jetë i kënaqur me një cilësi tjetër të saj.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi. Kuptimi i fjalës “la jefrek” është, të mos e urrejë.
O ti bashkëshort, ji i kujdesshëm ndaj pasojave dhe mendo për përfundimet e divorcit. Mos e përdor të drejtën e divorcit, përveçse kur ekzistojnë shkaqe që nuk mund të zgjidhen ndryshe, përveçse me të, divorc. Divorci është një e drejtë e kufizuar me rregulla, prej tyre rregullat e Sheriatit, legjislacionit Islam, dhe nuk lejohet të abuzohet me të drejtat e dikujt.
Nga rregullat e divorcit të ligjshëm është që burri ta ndajë gruan me një divorc të vetëm, në një periudhë pastërtie (tuhr) gjatë së cilës nuk ka pasur marrëdhënie intime me të, ose ta ndajë kur ajo është shtatzënë. Pastaj gruaja duhet të mbetet në shtëpinë bashkëshortore, me qëllim që të ketë kohë për reflektim me shpresën që Allahu të sjellë një mundësi për pajtim, rikthim të bashkëshortit tek bashkëshortja, duke rregulluar kështu gjendjen e familjes.
O robër të Allahut! Prandaj është e ndaluar të shqiptohet divorci tre herë me një fjalë të vetme, ose disa divorce në të njëjtin takim, apo gjatë të njëjtës periudhë pastërtie. Gjithashtu nga shkeljet e kufijve të Allahut është që gruaja të divorcohet gjatë menstruacioneve ose gjatë një periudhe pastërtie në të cilën ka pasur marrëdhënie intime bashkëshortore.
Gjithashtu, çdo musliman duhet të shmangë përdorimin e lehtë të fjalës “divorc” dhe të mos e përdorë atë si formë betimi për të nxitur ose penguar një veprim, për të vërtetuar apo mohuar, përgënjeshtruar diçka. Si për shembull kur thotë: “Për divorc, nëse shkoj atje…”, ose; “Për divorc, nëse nuk e bën këtë…”, ose kur dëshiron të nderojë dikë dhe e detyron të pranojë ftesën duke thënë: “Për divorc, duhet të drekosh ose të hash darkë tek unë.”
Sa shpesh dëgjohen këto shprehje në gjuhët e shumë njerëzve! Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar thotë: “Këta janë kufijtë e Allahut, andaj mos i shkelni ata! Ata që shkelin kufijtë e Allahut, pikërisht ata janë keqbërësit.” (El-Bekare 229) Allahu i Plotëfuqishëm thotë: “Mos luani me Shpalljet e Allahut!” (El-Bekare, 231)
O Zot, na bëj dobi me atë që dëgjuam dhe na beko në atë që na mësove. Ti je vërtet i Plotfuqishëm për çdo gjë.
Hutbja e dytë
Falënderimi i takon vetëm Allahut.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se i dërguari ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij.
Në vijim
O ju muslimanë! Është obligim për bashkëshortët që të tregojnë durim dhe maturi, të largohen nga reagimet e nxituara dhe nga ndikimi i emocioneve emergjente, të pakontrolluara.
Nga rregullat e divorcit është se nuk i lejohet gruas të kërkojë divorc, nëse gjendja bashkëshortore është e rregullt dhe nuk ekzistojnë arsye që e justifikojnë ndarjen. I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Çdo grua që i kërkon burrit të saj divorc pa ndonjë arsye të vlefshme, aroma e Xhenetit është e ndaluar për të.” Ky është hadith autentik, i saktë tek dijetarët.
O ju muslimanë! Shtoni salavatet dhe përshëndetjet mbi të dërguarin tonë fisnik, sepse me këtë shtohen shpërblimet dhe përmirësohen zemrat.
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje profetin dhe zotërinë tonë Muhamedin. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me udhëheqësit e drejtë, me të gjithë sahabet, me tabi’inët dhe me ata që i pasojnë me mirësi deri në Ditën e Gjykimit.
O Zot, zgjero kraharorët tanë dhe ndriço zemrat tona. O Zot, përmirëso gjendjen tonë. O Zot, mposht armiqtë tanë. O Zot, jepi sukses kujdestarit të çështjeve tona dhe zëvendësit të tij në atë që Ti e do dhe je i kënaqur, o më i Madhi dhe më Bujari.
O Zot, bashko zemrat e muslimanëve dhe unifiko radhët e tyre. O Zot, largo shqetësimet e tyre, lehtëso vështirësitë e tyre dhe pasuro të varfrit e tyre, o më i Madhi dhe më Bujari.
“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)
Afrim Smakaj