Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 29-03-1448 H 11-09-2026 D
Shejh Mahir El Muajkili
Tema Rruga e drejtë: Udhëzim në këtë botë dhe shpëtim në botën Tjetër
Lavdërimet janë Zotin, i Cili ia zbriti Librin robit të Tij, i udhëzoi besimtarët drejt rrugës së udhëzimit dhe drejtësisë, dhe vendosi, caktoi, për robërit e Tij rrugën e drejtë. Kush i përmbahet fort asaj rruge udhëzohet, ndërsa kush ia kthen shpinën asaj do të humbasë rrugën.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok. Atij i përket krijimi dhe urdhri, tek Ai është kthimi dhe përfundimi.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Zoti e dërgoi atë mëshirë për botën mbarë dhe udhëzim për të gjithë njerëzit. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që i pasojnë në mirësi deri në Ditën e Kijametit.
Në vijim
O ju besimtarë! Këshilloj ju dhe veten time që t’i frikësohemi Zotit. Kush i frikësohet Zotit të tij shpëton, e kush ndjek dëshirat e veta humbet. “Dhe ruajuni asaj Dite që do të ktheheni tek Allahu, kur çdokujt do t’i jepet ajo që ka fituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.” (El-Bekare 281)
Umeti Islam! Zoti i Lartësuar e dërgoi profetin e Tij fisnik thirrës drejt rrugës së Tij të drejtë, udhëzues për në rrugën e Tij, shpjegues i shenjave dhe parimeve të Tij dhe paralajmërues ndaj rrugëve që largojnë njeriun prej Tij.
Për shkak të rëndësisë së madhe të qëndrueshmërisë në këtë rrugë, Zoti i Madhërishëm na ka urdhëruar që t’i kërkojmë Atij udhëzim drejt saj në çdo namaz, madje në çdo rekat, duke thënë: “Udhëzona në rrugën e drejtë!” (El-Fatiha 6) Domethënë: Na drejto dhe na udhëzo, na mundëso dhe na forco që të qëndrojmë në rrugën Tënde të drejtë. Ai që është larguar nga rruga i kërkon Zotit ta kthejë tek ajo, e ai që është duke ecur në të i kërkon Atij ta forcojë dhe ta mbajë në të. Ajo është rruga e profetëve dhe të dërguarve, rruga e të sinqertëve, dëshmorëve dhe të devotshmëve. Rruga e drejtë është feja Islame, Kurani është udhërrëfyesi i saj, ndërsa i dërguari, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është ai që e ka shpjeguar atë. Prandaj, kush pason rrugën e tij, i përmbahet sunetit të tij, ndjek udhëzimin e tij dhe ecën sipas mënyrës së tij, ai është në rrugën e drejtë.
O vëllezër besimtarë! Njeriu nuk mund të qëndrojë i palëkundur në këtë rrugë vetëm se me dije të dobishme që e udhëzon dhe me vepra të mira që e pastrojnë. Kjo rrugë qëndron mbi dy rregulla madhështorë: Tevhidi, të njësohet Allahu dhe vetëm Ai të adhurohet: “Por të më adhuroni vetëm Mua?! Kjo është rruga e drejtë.” (Ja Sin 61)
Të ndiqet i dërguari, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “Ti, me të vërtetë, udhëzon në rrugën e drejtë.” (Esh-Shura 52)
Kush ia kushton ndonjë prej adhurimeve dikujt tjetër përveç Zotit, ose e adhuron Atë në një mënyrë që nuk është përcjellë nga i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ai është shmangur dhe ka devijuar nga rruga e drejtë.
Në Musnedin e Imam Ahmedit, ka ardhur se Ibn Mesu’di, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, na vizatoi një vijë dhe tha: ‘Kjo është rruga e e drejtë e Zotit.’ Pastaj vizatoi disa vija në të djathtë dhe në të majtë të saj dhe tha: ‘Këto janë rrugë të tjera. Në secilën prej tyre është një shejtan që thërret drejt saj.’ Pastaj, i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, lexoi: “Kjo është rruga Ime e drejtë; prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve të tjera që t’ju shmangin nga rruga e Tij. Kjo është ajo që ju porosit Ai për t’u ruajtur nga të këqijat.” (El-En’am 153)
Vëllezër të besimit! Sikurse Zoti u ka përcaktuar robërve të Tij në këtë botë një rrugë të drejtë, pa shtrembërim, po ashtu Ai do të vendosë në Ditën e Gjykimit një Sirat, urë, mbi Xhehenem, për mes të cilës do të kalojnë njerëzit.
Në Sahihun e Muslimit, nga hadithet e transmetuar nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, lidhur me shefatin, ndërmjetësimin, në Ditën e Gjykimit, i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, thotë: “Do të dërgohen emaneti dhe lidhjet farefisnore, të cilat do të qëndrojnë në të dy anët e Siratit, urës, në të djathtë dhe në të majtë. I pari prej jush do të kalojë si vetëtima.” E pyeta: “Të qofshin prindërit e mi kurban për ty! Si është kalimi si vetëtima?” Ai tha: “A nuk e keni parë vetëtimën se si kalon dhe kthehet brenda një çasti, sa hap e mbyll sytë? Pastaj si kalimi i erës, pastaj si kalimi i shpendit dhe si vrapimi i burrave. Ata do të ecin sipas veprave të tyre, ndërsa profeti juaj do të qëndrojë mbi Sirat duke thënë: ‘O Zot, shpëtoji! O Zot, shpëtoji!’ derisa veprat e njerëzve të mos jenë më në gjendje t’i mbartin ata, dhe do të vijë një njeri që nuk do të mund të ecë veçse duke u zvarritur.” Pastaj thotë: “Në të dy anët e Siratit do të ketë grepa të varur, të urdhëruar që të kapin këdo që janë urdhëruar të kapin. Disa do jenë të gërvishtur, por do të shpëtojnë, ndërsa disa do të hidhen në zjarr.” Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se thellësia e Xhehenemit është sa shtatëdhjetë vjeshta.” Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Dhe nuk ka asnjë prej jush që të mos arrijë tek ai (Xhehenemi). Kjo është vendosur prerazi nga Zoti yt. Pastaj do t’i shpëtojmë ata që kanë qenë besimtarë dhe do t’i lëmë keqbërësit të gjunjëzuar në të.” (Merjem 71–72)
Ibnul Kajjimi, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Të ecurit e njerëzve mbi Sirat do të jetë sipas shpejtësisë ose ngadalësisë së ecjes së tyre në rrugën e drejtë të Zotit në këtë botë. Më i shpejti i tyre këtu do të jetë më i shpejti dhe atje, e i ngadalti këtu do të jetë më i ngadalti atje. ndërsa ai që është më i qëndrueshëm në rrugën e drejtë këtu, do të jetë më i qëndrueshmi atje. Atë që këtu e kanë kapur grepat e dëshirave, dyshimeve dhe bidateve devijuese, do ta kapin edhe atje grepat që janë si gjembat e bimës Sa’dan.”
Vëllezër besimtarë! Nga gjërat që e ndihmojnë robin të arrijë udhëzimin dhe të ketë sukses në qëndrueshmërinë mbi të, është zbatimi i sunetit të profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Kjo sepse Zoti i Lartësuar i ka thënë profetit të Tij: “Prandaj qëndro i patundur në udhën e drejtë, ashtu siç je i urdhëruar.” (Hud 112)
Nëse kjo i është kërkuar deri dhe të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, atëherë kjo tregon se qëndrueshmëria nuk përcaktohet nga dëshirat dhe prirjet e njeriut, por se matësi i saj është përmbajtja ndaj Kuranit dhe sunetit. Kush kapet fort pas tyre Zoti i jep sukses në udhëzim.
Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “ Dhe ashtu (siç u kemi dërguar Shpallje profetëve të mëparshëm), të kemi dërguar edhe ty (Muhamed) Shpallje me urdhrin dhe vullnetin Tonë. Ti më parë nuk e ke ditur se çfarë është Libri e as ç’është besimi. Por atë (Kuranin), Ne e bëmë dritë, me anë të së cilës udhëzojmë kë të duam nga robërit Tanë. Ti, me të vërtetë, udhëzon në rrugën e drejtë, (në) rrugën e Allahut, të Cilit i përket gjithçka që ndodhet në qiej dhe gjithçka që ndodhet në Tokë. Dhe vërtet, tek Allahu kthehen të gjitha çështjet!” (Esh-Shura 52–53)
Zoti na begatoftë në Kuranin Famëlartë dhe në sunet, e na bëftë dobi të gjithëve nga argumentet dhe urtësitë e tyre të qarta.
Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju, tek Ai kërkoni falje me të vërtetë Ai është Falës i madh.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, lavdërime që i përshtaten Madhështisë së Fytyrës dhe Pushtetit të Tij.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi atë, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi ata që ecin në rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Në vijim
O besimtarë! Udhëzimi në rrugën e drejtë nuk arrihet nga robi veçse me suksesin dhe mirësinë e të Gjithëmëshirshmit, sepse Ai nderon kë të dojë me udhëzimin e Tij dhe i dhuron atij prej dritës së Njëshmërisë dhe adhurimit të Tij: “Nuk ka dyshim se Allahu i udhëzon në rrugën e drejtë ata që besojnë.” (El-Haxhxh 54)
Atë që Zoti dëshiron ta udhëzojë, e udhëzon, ashtu siç Zoti i Plotëfuqishëm dhe i Lartësuar thotë: “Allahu shpie në humbje kë të dojë dhe udhëzon në rrugë të drejtë kë të dojë.” (El-En’am 39)
Prandaj, o besimtarë, ndër shkaqet më madhore për të fituar dhe për ta realizuar udhëzimin është t’i drejtohesh dhe të kapesh fort pas Zotit të tij: “Kush mbahet fort pas (fesë së) Allahut, sigurisht që është i drejtuar në udhë të mbarë.” (Al ‘Imran 101)
Lutja drejtuar Zotit për udhëzim në rrugën e drejtë është prej lutjeve më gjithëpërfshirëse, më të dobishme, më madhështore dhe më të vlefshme.
Në hadithin Kudsi, i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, thotë se Zoti i Madhëruar ka thënë: “E kam ndarë namazin ndërmjet Meje dhe robit Tim në dy pjesë: gjysma është për Mua dhe gjysma për robin Tim, dhe robi Im do të ketë atë që kërkon.”
Në hadith thuhet: “Kur ai thotë: ‘Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!, Ai thotë: ‘Kjo është për robin Tim dhe robi Im do të ketë atë që kërkoi.” Hadithin e transmeton Muslimi.
Vëllezër në besim! Kush mediton në fjalën e Zotit të Madhëruar: “Udhëzona në rrugën e drejtë!”(El-Fatiha 6), e kupton se udhëzimi në rrugën e drejtë nuk është pozitë ku robi arrin dhe pastaj nuk ka më nevojë për të. Përkundrazi, ai ka nevojë vazhdimisht që të qëndrojë i palëkundur në atë që është udhëzuar.
Për këtë arsye, i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e shtonte lutjen drejtuar Zotit për udhëzim, dhe pse ai ishte krijesa më e udhëzuar dhe njeriu më i përsosur. Në Sahihun e Muslimit transmetohet se Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të, u pyet: “Me çfarë e fillonte i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, namazin kur ngrihej natën?” Ajo tha:“Kur ngrihej natën, e fillonte namazin me këtë lutje: “O Allah, Zoti i Xhibrilit, Mekailit dhe Israfilit, Krijues i qiejve dhe i tokës, Njohës i së fshehtës dhe së dukshmes! Ti gjykon ndërmjet robërve të Tu për atë që ata kanë pasur mosmarrëveshje. Më udhëzo, me lejen Tënde, drejt së vërtetës për të cilën njerëzit kanë pasur mosmarrëveshje. Vërtet, Ti udhëzon kë të duash në rrugë të drejtë.”
Nga urtësia dhe bukuria e fjalës së Zotit të Lartësuar: “Udhëzona në rrugën e drejtë!”(El-Fatiha 6), është se ajo ka ardhur në formën shumës sepse përmban një theks në kuptimin e bashkësisë. Besimtari i kërkon Zotit udhëzim për veten dhe për vëllezërit e tij. Feja e Zotit bashkon, ndërsa dëshirat dhe bidatet përçajnë.
Prandaj, prej kërkesave të qëndrimit në rrugën e drejtë është qëndrimi me bashkësinë e muslimanëve dhe largimi nga shkaqet e përçarjes dhe trazirave. Zoti i Lartësuar, pasi urdhëroi ndjekjen e rrugës së Tij, ka thënë: “…e mos shkoni rrugëve të tjera që t’ju shmangin nga rruga e Tij.”(El-En’am 153)
Përçarja është prej pasojave të rrugëve të devijuara, ndërsa bashkimi është prej pasojave të rrugës së drejtë. Prandaj, metodologjia e Ehli Sunetit dhe Xhematit bazohet në kapjen pas Librit të Zotit, Kurani, dhe sunetit, në bashkimin e fjalës, në bindjen ndaj udhëheqësit të muslimanëve dhe në ruajtjen nga rrugët e teprimit në fe.
Mbretëria e Arabisë Saudite, me mirësinë e Zotit të Madhëruar, është themeluar mbi Librin e Tij, Kuran, mbi sunet dhe mbi bashkimin e fjalës. Këto janë mirësi që kërkojnë falënderim dhe lutje që ato të vazhdojnë të qëndrojnë. Sepse “bashkimi është mëshirë, ndërsa përçarja është dënim.”
O vëllezër! Prej mëshirës së Zotit ndaj robërve të Tij është se qëndrueshmëria në rrugën e drejtë nuk do të thotë se njeriu është i pagabueshëm dhe i mbrojtur nga gabimet e rrëshqitjet. “Të gjithë bijtë e Ademit janë gabimtarë, e më të mirët e atyre që gabojnë janë ata që pendohen.”
Kush bie në neglizhencë le të nxitojë ta përmirësojë atë, kush i ka bërë padrejtësi dikujt le t’ia kthejë të drejtën dhe kush mposhtet nga vetja e tij dhe bie në gjynah, le të pendohet prej tij. Zoti i Lartësuar dhe Madhëruar thotë: “…andaj ecni në rrugën e drejtë që të çon tek Ai dhe kërkoni falje prej Tij!” (Fussilet 6)
I suksesshëm është ai që reflekton dhe merr mësim, që qëndron në rrugë të drejtë, kërkon falje dhe përgatitet për Ditën e Tubimit: “Allahu i thërret njerëzit për në Shtëpinë e shpëtimit (Xhenet) dhe udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë.” (Junus 25)
O Ti që i rrotullon zemrat, forco zemra tona në fenë Tënde.
O Zot, fale dhe mëshiroje Muhamedin, bashkëshortet dhe pasardhësit e tij, siç e mëshirove familjen e Ibrahimit.
O Zot, bekoje Muhamedin, bashkëshortet dhe pasardhësit e tij, siç e bekove familjen e Ibrahimit, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhërishëm.
O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me Halifet e parë të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tij dhe tabi’inët, me ata që i pasojnë me mirësi deri në ditën e Kijametit, dhe me ne së bashku me ta, me Faljen, Mirësinë dhe Bujarinë Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, bëj këtë vend të begatë, të siguri, të qetë dhe të stabilizuar dhe të gjitha vendeve muslimane.
O Zot, na jep siguri në vendit tonë, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona, mbështet me të vërtetën udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona.
O Zot, jepi sukses udhëheqësit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, në atë që Ti do dhe je i kënaqur. O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij besnik, në atë që është lavdia e Islamit dhe përmirësimi i musimanëve, dhe në atë që është në të mirë të vendit dhe popullit.
O Zot, shpërbleji me të mira për atë që bëjnë në shërbim të dy xhamive të shenjta, dhe shpërbleji ata për Islamin dhe muslimanët me shpërblimet më të mira.
O Zot, ruaj tek ne fenë tonë, udhëheqësit tanë dhe sigurinë tonë. O Zot, jepu sukses njerëzve të sigurisë tonë dhe atyre që vigjilojnë në kufijtë tanë. O Zot, ndihmoji kundër armikut Tënd dhe armikut të tyre, o i Fortë, o i Gjithëpushtetshëm, o më i Madhi dhe më Bujari.
O Zot, largo brengat e vëllezërve tanë në Palestinë. Ji për ta Ndihmës, Përkrahës, Mbështetës dhe Mbrojtës.
O Zot, ruaj xhaminë Aksa nga padrejtësia e zullumqarëve dhe agresioni i pushtuesve. Bëje atë krenare dhe të nderuar deri në Ditën e Gjykimit,
O Zot, të lutemi për udhëzim, devotshmëri, dëlirësi dhe pasuri të zemrës.
O Zot, fali muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të gjallët dhe të vdekurit prej tyre.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
“I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Saffat 180-182)
Afrim Smakaj