Porosi nga njerëz të ditur – Meka 11.09.2020

Hytbe e Qabes                                  23-01-1442 H   11-09-2020 

Shejh Salih ibn Humejd                   Tema: Porosi nga njerëz të ditur

Falenderimi i takon Allahut. Falenderimi i takon Allahut i Cili ka përcaktuar çdo gjë dhe i ka krijuar. Ai i ka realizuar ato në bazë të dijes së Tij paraprake. Ai ka përcaktuar nisjen e tyre dhe përfundimin. I jam mirënjohës Allahut për mirësitë dhe begatitë e Tij vazhdimisht e pandërprerë.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të vetëm e të pashoq, Zot i lartë e madhështor. Dëshmoj se i nderuari ynë profeti Muhamed është rob i Allahut dhe i dërguar i Tij. Ai ka ngritur lart flamujt e Umetit. Salavatet e Allahut, selamet dhe begatitë e Tij qofshin mbi të, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij pishtarët ndriçues, ndjekësit dhe pasuesit e përpiktë të tyre në rrugën e sunetit e të udhëzimit, shpëtim pastë për të gjithë ata mëngjes e mbrëmje.

Unë u porosis ju o njerëz dhe veten time të jemi të devotshëm ndaj Allahut. Friksojuni Allahut, Allahu u mëshiroftë. Nderi gjendet tek devotshmëria, krenaria në bindje, poshtërimi në gjynahe, qetësia në bamirësi, acarimi në veprën e keqe dhe çdo fatkeqësi që nuk shkakton zemërim të Allahu ajo është mirësi.

Jeta e njeriut në këtë dynja kalon nëpër periudha të ndryshme. Biri i Ademit do të qëndrojë në të njëfarë kohe e pastaj largohet. Çdo frymëmarrje të afron me afatin e të largon prej shpresës. I aftë është ai i cili e vë përpara llogarisë vetveten ditë pas dite dhe vepron atë që i bën dobi ditën e kthimit në mënyrë që të takohet me Zotin e tij me arritjet më të mira.

“Atë Ditë do të mbeteni zbuluar dhe asnjë fshehtësi e juaja nuk do të mbetet pa u shfaqur” (El Hakka; 18)

O muslimanë kaloi një vit e po nis një vit i ri duhet pasur zili ai i cili kujdeset për ditët dhe kohën dhe është aktiv në kryerjen e veprave të mira. Sa keqardhje për atë që neglizhoi i cili në fund fiton vetëm dhimbje e pikëllim.

O vëllezër to të ndalemi rreth disa fjalëve dhe këshillave të dijetarëve e të njerëzve të urtë ndoshta përfitojmë e ndalemi për të marrë në llogari vetveten ndërkohë që muslimani përcjell një vit e pret një tjetër.

O muslimanë kjo botë është e mbuluar me bela. Ajo është e pabesë. Mbaron shpejt. Situatat në të janë të paqëndrueshme. Banorët e saj nuk mund tia hedhin paq në të.

Ndërkohë që janë në gëzim e hare befas mund ti kaplojë brega dhe fatkeqësia. Dynjaja i godet me shigjeta e me goditje përvëluese. Sa e sa kopshte të lulëzuara në të por vjen urdhëri i Allahut e ato mbeten të thara.

Gëzohesh o rob i Allahut dhe e sheh dynjanë të qeshur, mërzitesh kur e sheh atë duke qarë mirëpo nëse mediton pak vëren se ti je ai që gëzohet e që qan.

Dynjaja nuk ka ndryshuar. Ata që kanë ndryshuar janë njerëzit, në zemra, në moral e në vepra.

Vëllezër përfundimi i gjërave është i panjohur për krijesat. Vullneti i Allahut gjithmonë triumfon. Birit të Ademit me shpresë të panjohur, moshë të caktuar, vepra të shënuara, magësi të panjohura, zkllav i urisë së tij, i shtrirë prej tejngopjes, e mundon mushkonja dhe e mbyt kafshata. Ai nuk posedon për veten e tij as dobi e as dëm, as vdekjen, as jetën e as ringjalljen.

O Rob të Allahut dijetarët kanë thënë: Allahu ka vendosur një gjykim që para se të krijojë qiejt dhe tokën se kushdo që i bindet Atij do të fitojë krenarinë e kushdo që do ta kundërshtojë Atë do të poshtërohet. Krenaria është e lidhur me bindjen e poshtërimi është i lidhur me kundërshtinë. Në masën që personi nderon çështjen e Allahut po aq i dhuron Allahu prej krenarisë së Tij dhe vendos për të krenarinë në zemrat e njerëzve.

Islami mund të kalojë periudha dhe sprova në të cilat dallohen besimtarët e tij të vërtetë me durim e me qëndrueshmëri. Ndërsa ata me zemra të sëmura në këto raste bien në nivelet e pesimizmit dhe në gjendje përkeqësimi. Islami është feja e Allahut. Ai është i ruajtur dhe Allahu e ka pëlqyer të jetë fe për robërit e Tij dhe me të ia ka plotësuar mirësinë e Tij. Ai është i përsosur e nuk mangësohet, i fortë nuk dobësohet dhe i garantuar nuk dëmtohet.

Kjo fe është madhështore me ritualet e saj, e qëndrueshme me praktikat dhe obligimet e saj. Në mejdanet e saj mund të ketë ditë të thata apo ithtarët e saj mund ti pikëllojnë ngjarje të dhimbshme. Mërzia e besimtarëve në këtë rast përcjell ndjenjat madhështore dhe është tregues i fortë që ka njerëz me zemra të gjalla. Allahu të ruajtë mos i dobëso ato me erërat e pesimizmit apo opsionet e tërheqes pas. Pesimistët, të dorëzuarit dhe të tërhequrit i bëjnë dëm vetëm vetes së tyre. Ndërsa të mirët dhe rregulluesit janë krenarë dhe të fortë. Kjo është mirësia e Allahut, mëshira e Tij mbi ta dhe kujdesi i Tij për ta.

Të dashurit e mi! Ai që njeh Allahun do të ketë një jetë të këndëshme, të mirë e plot gjallëri. Ai nuk ka frikë prej krijesave.

Rruga më e shkurtër për në xhenet është pastrimi i zemrës. E zemra nuk pastrohet vetëm nëse pastrohet prej shirkut që bie ndesh me teuhidin, prej bidatit që bie ndesh me sunetin, prej dëshirave që bien ndesh me urdhërin, prej hutisë që bëhet pengesë ndaj përkujtimit dhe tekave që largojnë prej sinqeritetit.

O rob i Allahut rrizku është ndarë me kohë kështu që mos u brengos shumë për të, përcaktimi i Allahut është i drejtë prandaj mos u dëshpëro. Zemrën tënde pastroje prej tre gjërave; prej urrejtjes, smirës dhe syefaqësisë. Zbukuroje atë me tre të tjera; me vërtetësi, sinqeritet dhe devotshmëri.

Ruaje veten tënde me tre gjëra; me dorëzim ndaj Kujdestarit (Allahut), me ndjekjen e Mustafasë (Muhamedit) dhe me falenderim në mirësi e në vështirësi.

Dy gjëra nuk janë të përherëshme; rinia dhe forca. Dy gjëra të bëjnë dobi; toleranca në shpirt dhe sjellja e mirë. Dy gjëra të ngrejnë lart; modestia dhe mbarimi i halleve të njerëzve. Dy gjëra bëjnë dobi në fatkeqësi; sadekaja dhe mbajtja e lidhjeve farefisnore.

Dije, Allahu të ruajtë se nderi që u bën të tjerëve sjell dashuri ndërsa të bërit keq sjell urrejtje. Dakordësia e forcon afrimitetin ndërsa kundërshtia mbjell armiqësi. Vërtetësia kultivon besueshmërinë ndërsa gënjeshtra nxit akuzën.

Sjellja e mirë krijon dashurinë ndërsa sjellja e keqe mbjell distancim.

Dije, Allahu të ruajtë se tekat janë mashtruese të mendjes dhe devijuese ndaj të vërtetës. Armiqësia bëhet pengesë në këshillë e në drejtësi. Ajo të devijon e të bën të padrejtë. Ai që është i vërtetë në vëllazëri i pranon të metat, i mbyll të çarat dhe i fal shkarjet.

Besueshmëria ka nevojë ndonjëherë për përforcim. Njerëzit e pëlqejnë lavdërimin prandaj mos bëj koprraci në të dhe bëj kujdes prej hipokrizisë.

Nëse të vjen i brengosuri hesht e dëgjo. Kur të kërkon falje dikush pranoje prej tij. Kur të vjen nevojtari jepi.

Të dashurit e mi, nëse u është dhënë sukses, Allahu ju ruajtë, dhe keni shpëtuar prej të kotëve nëpër mjetet e telekomunikacionit falenderoni Allahun sepse shumica e njerëzve që janë të sprovuar me to zemrën e kanë të zënë, stresi i shtohet e koha i humbet.

Dijeni rehatia në bisedat rreth nderit të njerëzve është shenjë e falimentimit. Ai që angazhohet me gjuetinë e gabimeve të të tjerëve, çështja e vet do ti shpërndahet

dhe do çojë dëm interesat e tij. Mos e humb kohën duke iu kundërpërgjigjur kritikëve të tu. Kur mendja plotësohet pakësohen fjalët. Po të meditosh në këtë do të shohësh se të metat e trupit i mbulon një pëlhurë e të metat e kapacitetit mendor i zbulon diskutimi.

Të mençurit janë tre; ai që e lë këtë botë përpara se ta lë ajo, ai që pregatit varrin e tij para se të hyjë në të dhe ai që kënaq Krijuesin e tij përpara se të takohet me Të.

Njerëzit më të ngritur janë ata që nuk i bën përshtypje pozita e tyre e lartë. Njerëzit më modestë janë ata që nuk i bën përshtypje vlera e tij. Më i dashuri i njerëzve tek Allahu është më i dobishmi i tyre për robërit e Tij.

“Sa për atë që jep (për hir të Allahut), ka frikë (nga Ai) dhe dëshmon për vërtetësinë e më të bukurës (besimit), Ne do t’ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit. Kurse atij që është koprrac, ndihet i vetëmjaftueshëm, dhe e quan gënjeshtër më të bukurën (besimin), Ne do t’ia lehtësojmë rrugën drejt dënimit, e, kur të hidhet (në zjarr), pasuria e tij nuk do t’i bëjë dobi.” (EL Lejl; 5-11)

Allahu më dhëntë mua edhe ju mirësi në udhëzimin e Librit të Tij e në traditën e Profetit të Tij Muhamed (salallahu alejhi ue selem).

Thashë këtë që dëgjuat dhe i kërkoj falje Allahut për veten, për ju dhe për gjithë muslimanët nga çdo gabim e gjynah. Kërkojini falje se ai është Falës dhe Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

LEXO  Shfrytëzo mundësitë - Meka 08.02.2019

Falenderimi i takon Allahut. Falenderimi i takon Allahut për të gjitha të mirat që na jep. Allahut i takon falenderimi për çdo gjë që na shpëton e për çdo gjëje që na sprovon. E falenderojmë me një falenderim të gjerë e të jetë falenderimi më i dashur për Të, e më i miri falenderim tek Ai. Falenderim që mbush çdo gjë që Ai ka krijuar e që arrin aq sa do Ai. Falenderim që nuk mbaron në numër e në kohështrirje.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut të vetëm e të pashoq. I begatë është emri i Tij dhe e lartë është madhështia e Tij.

Dëshmoj se i nderuari ynë profeti Muhamed është rob dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri kur të vijë dita e premtimit të Tij.

O rob i Allahut, Kurani fisnik të ruan ty jetën, të jep lumturinë, të sqaron detyrën tënde; “Adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë e sigurta (vdekja)” (Hixhr; 99).

Ai të saktëson shprehitë e tua; “Thuaju, robërve të Mi, që të flasin atë që është më e mira.” (El Isra; 53).

Të orienton si të udhëtosh e të ecësh; “… dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi, se Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë e mburracakët!” (Llukman; 18).

Të edukon në lidhje me zërin: “…dhe fol me zë të ulët” (Llukman; 19).

Ruan kuvendet e tua: “..dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin!” (Huxhurat; 12).

Ai ka rregulluar ushqimin dhe pijen tënde; “Hani e pini, por mos e teproni.” (El Araf; 31).

Të gjitha këto ti ka përmbledhur; “Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni. Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjithë këta do të merren në përgjegjësi.” (El Isra; 36).

Po të jetë kështu, dijeni Allahu u mëshiroftë se kush lë falenderimin privohet prej shtimit; “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia.” (Ibrahim; 7).

E kush neglizhon përmendjen e Allahut, Allahu nuk e përmend atë; “Prandaj, më kujtoni Mua (me namaz e lutje) që Unë t’ju kujtoj (me shpërblime)” (El Bekare; 152).

Ai që nuk lutet nuk merr përgjigje; “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!” Gafir; 60).

Ai që lë pas dore kërkimin e faljes nuk garanton suksesin; “Allahu nuk do t’i ndëshkojë ata, përderisa ata i kërkojnë falje Atij.” (Enfal; 33).

Kini frikë Allahun, Allahu u mëshiroftë! Ai i cili dëshiron të njohë përgjegjësitë e tij dhe rrugën e shpëtimit të tij le të meditojë rreth këtyre ajeteve:

“Ai që i sheh ato, i sjell dobi vetes, ndërsa ai që i mbyll sytë para tyre, i bën dëm vetes.” (Enam; 104).

“Kush bën mirë, e bën për dobi të vet, e kush punon keq, punon në dëm të vet.” (Fusilet; 46).

“Kush zgjedh rrugën e drejtë, e ka për veten e vet e kush i largohet asaj, i largohet në dëm të vetvetes.” (El Isra; 15).

“Kush tregohet koprrac, ta dijë se i bën dëm vetes, sepse Allahu është i Pasur (s’ka nevojë për asgjë), ndërsa ju jeni të varfër.” (Muhamed; 38).

“Kush bën gjynah, ai e bën në dëm të vetes së tij.” (Nisa; 111).

“Kush falënderon, e bën për të mirën e vet.” (Neml; 40).

Ky është realiteti dhe këto janë kufijtë e përgjegjësisë: “Çdo njeri është peng i veprave të veta.” (Tur; 21).

Ti nuk do mund të arsyetohesh me mangësinë e të tjerëve, as me devijimin e të devijuarve e as me demoralizimin e abandonuesve.

Dërgoni salavate dhe selame mbi mëshirën e ofruar dhe mirësin e dhuruar profetin tuaj Muhamedin të dërguarin e Allahut. Zoti juaj ju urdhëron për këtë në shpalljen e tij të plotësuar e Ai është i Vërteti në fjalë. Allahu ka thënë fjalë fisnike:

Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! (surja Ahzab; 56)

O Allah ngreje lart, shpëtoje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd Muhamedin, të dashurin dhe profetin e zgjedhur, familjen e tij të mirë e të pastër, bashkëshortet e tij të cilat janë nënat e besimtarëve. O Allah kënaqësia jote qoftë mbi katër prijësat e drejtë Ebu Bekrin, Umerin, Osmanin dhe Aliun dhe mbi gjithë shokët e tij dhe mbi ata që ecin në gjurmët e tyre dhe zbatojnë traditën e tyre deri në ditën e gjykimit edhe ndaj nesh bashkë me ta me faljen tënde, bujarinë, mirësinë dhe bamirësinë tënde o më Fisniku i fisnikëve.

O Allahu fenë islame ngreje lart dhe muslimanët bëji krenar.

O Allahu fenë islame ngreje lart dhe muslimanët bëji krenar.

O Allahu fenë islame ngreje lart dhe muslimanët bëji krenar.

Zhduke politeizmin dhe poshtëroi idhujtarët.

O Allah poshtëroi tiranët, mohuesit dhe tërë armiqë e fesë e të popullit besimtar.

O Allah na jep siguri në vendet tona, Përmirësoi prijësat dhe udhëheqësit tanë.

Udhëheqjen mbi ne mundësoja atij që të frikësohet Ty, që është i devotshëm e që mundohet të fitojë kënaqësinë tënde o Zot i botëve!

O Allah jepi sukses udhëheqësit tonë dhe prijësin tone, jepi atij sukses prej suksesit tënd, jepi krenari në bindje ndaj Teje. Me të ngreje lart e më lart fjalën tënde. Bëje atë ndihmës të islamit e të muslimanëve. Jepi sukses atij, mëkëmbësit të tij, vëllezërve të tij dhe ndihmëtarëve të tij të bëjnë atë që të kënaq ty, drejtoji ata në bamirësi e devotshmëri!

O Allah udhëzoji prijësat e muslimanëvë të zbatojnë librin tënd e të ecin në rrugën e profeti tënd. Bëji ata mëshirë për robërit e tu besimtarë. Bashkoji ata në të vërtetën, në udhëzim e në të vërtetën!

O Allah përmirësoje gjendjen e muslimanëve. O Allah përmirësoje gjendjen e muslimanëve në çdo vend, ruaje gjakun e tyre, bëji ata të një fjale të bashkuar rreth të vërtetës, udhëzimit dhe rrugës profetike. Mundësoji atyre të udhëhiqen prej më të mirëve e ruaji prej të këqinjve. Përhape sigurinë, drejtësinë, pasurinë nëpër vendet e tyre. Mbroji ata prej të këqijave e prej sprovave të dukshme e të padukshme!

O Allah na ruaj me syrin Tënd që kurrë nuk fle, e na streho me strehimin tënd që nuk cënohet kurrë dhe na ruaj me forcën Tënde të pathyeshme!

O Allah të lutemi të na ruash prej çdo belaje, e na bëj falenderues në shpëtim!

O Allah na mbro prej çdo gjëje të urryer e të keqe!

O Allah na mbro prej zgjebes, çmendurisë, lebrozës dhe prej çdo smundjeje të keqe.

O Allah ne të kërkojmë butësi në përcaktimet e Tua mbi ne, dhe ndihmën Tënde në atë që ke vendosur të ndodhë, Ty të kërkojmë falje për shkarjet e këmbëve tona, Ti je siguria për atë që mbështetet tek Ty, Ti je mbrojtësi i atij që ta lë çështjen e vet Ty, o Ti që dëgjon çdo ankesë, o Ti që e largon çdo fatkeqësi hidh mbi ne pëlhurën e mbulimit, të faljes e të devotshmërisë dhe bëje xhenetin Firdeus vendbanim për ne!

O Allah na i lehtëso shkaqet e mos na i mbyll dyert përpara nesh e na jep suksen në lutjet e pranuara!

Zoti ynë i kemi bërë padrejtësi vetvetes sonë e nëse nuk na fal e nuk na mëshiron kemi për të mbetur të humbur.

O Allah na jep të mira në këtë jetë, të mira në jetën tjetër e na ruaj nga dënimi i zjarrit.

I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve! (Surja Saffat; 180)

 

Post Author: endrit