Të mendosh mirë për Allahun – Meka 15.05.2020 

Hytbe e Qabes                22 Ramadan (09) 1441  H     15 – 05 – 2020 

Shejh Bander Balejla                 Tema: Të mendosh mirë për Allahun

Shqipëroi: Arjan Haskasa.Falenderimi i takon Allahut. Falederimi i takon Allahut me falenderime të panumërta e të pandërprera. Atë e falenderoj dhe dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, të vetëm e të pashoq. Bujaria e Tij nuk mbaron dhe shpresat tek Ai janë për mirësitë që veç i shton.

Dëshmoj se i nderuari dhe profeti ynë Muhamedi është robi më i sinqertë i Allahut në shpresë, mendimin e mirë e në lutje. Nderimet dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të aq sa vetëtima shkrepin në hapësirën qiellore e aq sa është numri i reve që lëshojnë shi nga qielli dhe mbi familjen e tij, shokët e tij fisnikë e të ndritur dhe mbi të gjitha ata që e ndjekin rrugën e tyre për aq kohë sa mëngjesi e mbrëmja pasojnë njëra-tjetrën.

Jini të devotshëm ndaj Allahut o robër të Allahut! Mendoni mirë për Allahun e lartësuar se ai ju nderon me atë që nuk mund ta shohë çdokush që sheh e nuk mund ta imagjinojnë cilido që mendon. Shtroja e dhuratave të tij është e gjerë e retë e bujarisë së tij janë të gatëshme.

O muslimanë, besimtarët në muajin e Kuranit, muajin e Ramazanit i rreken fjalës së Zotit të tyre ashtu sikurse një person i qëndron pranë diçkaje që e don shumë. E lexojnë atë siç duhet. Shoqërimin me të e kanë angazhimin kryesor gjatë natës e gjatë ditës pa u bezdisur e pandërprerë. Meditimin rreth kuptimeve të fjalës së Allahut, këshillimin e zemrave me ajetet prekëse e të përsëritura e kanë udhërrëfyes në rrugën e tyre për tek Allahu. Leximin e Kuranit dhe meditimin rreth tij e preferojnë mbi çdo gjë tjetër më shumë se ushqimin, gjumin apo qëndrimet e këndëshme në orët e vona.

Gjuhët e tyre vërshojnë me leximin e Kuranit, shikimet e tyre janë drejtuar për tek premtimi i Allahut, zemrat e tyre frigohen prej kërcënimit dhe ndërshkimit që paraqitet në të. Ata e kanë bërë kuranin shok shumë të dashur ku gjejnë prehje e rehati. Kuptimet e tij i kanë ushqim për mendjet e zemrat dhe shije, kënaqësi, prehje dhe gëzim për shpirtrat e tyre.

Në vargjet e këtij Libri ata kanë gjetur dritë që i shpëton prej verbërisë, fakte të qarta që të çojnë në udhëzim, urtësi të shkoqitura, shembuj të goditur që vënë në lëvizje mendjen dhe ndriçon vetëdijen e tyre.

Ata janë në një botë e të tjerët në një botë tjetër. Ata dallojnë prej të tjerëve sepse e shohin Kuranin si shpallje të sjella prej Zotit të tyre. Kështu ata meditojnë rreth tyre gjatë namazeve, qëndrojnë me to kur janë të vetmuar, i zbatojnë urdhëresat dhe praktikat në to.

Po të përshkruash gjendjen e tyre do ishte bukur të thoshe: Gjuhët e tyre janë lugët e fjalëve të tij, zemrat e tyre janë vendi ku lulëzojnë udhëzimet e tij, mendjet e tyre janë enët që mbartin të vërtetat dhe sqarimet e tij. Gjuhët lexojnë e recitojnë, mendjet mendojnë e meditojnë, zemrat këshillohen, stepen dhe ndërgjegjësohen.

Nuk është habi pse kjo është gjendja e tyre sepse ajo është fjala e Zotit të botëve, e vlera e fjalës së Allahut mbi fjalët e të tjerëve është si vlera e Allahut mbi krijesat e Tij. Fjalë që po të zbriste mbi tokë do ta coptonte atë e po të zbriste mbi male do ti thërrmonte ato.

Vëllezër besimtarë të dhënë pas Kuranit, Allahu kur i don të mirën robërve të tij që i janë rrekur fjalës së Tij, Ai i çel të kuptuarit dhe percemtimin e të vërtetave në të me të cilat i ngre lart ambicjet e tyre, i pastron shpirtrat e tyre, i dhuron jetë të këndëshme, i përmirëson gjendjet e tyre për një kohë të vazhdueshme.

Një prej kuptimeve që e ka paraqitur Zoti i tyre në librin e Tij e që dëshiron prej tyre ta kuptojnë që të përmirësohet gjendja e tyre e të kenë përfundim të bukur është mendimi i mirë për Allahun e lartësuar. Mendimi i mirë për Allahun është posedimi i tërë mirësisë që Allahu ka dëshiruar për ta. Ajo është grada më e ndritur e marëdhënieve të njerëzve më Zotin e tyre. Njerëzit me këtë marëdhënie shpresojnë të arrijnë çdo të mirë të Tij mbi ta. Ata shpresojnë butësinë dhe bamirësinë e Tij, mirësinë dhe bujarinë e Tij. Ky është një prej aspekteve më të mira e më të përsosura në lidhje me besimin ndaj Zotit i cili i shkon për shtat madhështisë dhe përsosmërisë së Tij e që buron prej njohjes së vërtetë të Allahut dhe vlerësimit të madhështisë së Tij ashtu siç e meriton.

Ai i cili lexon fjalën e Allahut të madhërishëm: “Vërtet, Unë jam Falës për atë që pendohet” (Ta-Ha; 82), duhet të shpresojë fort në faljen e të Lartmadhërishmit. Ai duhet të përpiqet për të e nuk duhet ti humbë shpresat prej mëshirës së Allahut.

Ai i cili lexon fjalën e Allahut të madhërishëm: “O Zoti ynë, Ti përfshin çdo gjë me mëshirën Tënde” (Gafir; 7), duhet të shpresojë në gjerësinë e mëshirës së Allahut dhe përfshirjen e saj mbi të gjitha gabimet e tij. Njeriu në këtë rast duhet ta shohë mëshirën e Allahut më shpresëdhënëse se sa vepra e tij dhe faljen e Allahut më të gjerë se gjynahet e tij.

Atij që i troket në vesh fjala e Krijuesit të tij: “Ata që besojnë dhe kryejnë vepra të mira, falin namazin dhe japin zeqatin, do të kenë shpërblim te Zoti i tyre dhe nuk do të kenë pse të frikësohen apo pikëllohen.” (El Bekare; 277), dhe vepron sipas saj patjetër që duhet të mendojë mirë se to të arrijë atë premtim të bukur që paraqitet në të, pret shpërblimin e saj, me shpresë të afërt, me plot optimizëm që të jetë prej robërve të Allahut të cilët nuk frikësohen e nuk pikëllohen në këtë jetë e në jetën tjetër, në të tashmen e tyre e në të ardhmen.

Ai i cili reciton fjalën e Allahut të madhërishëm: “Pa dyshim, ata që lexojnë Librin e Allahut, falin namazin dhe japin fshehtazi apo haptazi nga ajo që u kemi dhënë Ne, mund të shpresojnë në një fitim që nuk do të humbasë. Allahu do t’ua plotësojë atyre shpërblimin dhe do t’ua shtojë nga dhuntitë e Tij. Me të vërtetë, Ai është Falës dhe Falënderues.” (Fatir; 29,30), duhet të japë për të përpjekjet maksimale duke u angazhuar me librin, kryerjen e namazit e me shpenzimin në çështje të hajrit. Kështu do të ketë shpresat më të mëdha për të përfituar shpërblimet e plota dhe mirësi të shumta prej Falësit e Falenderuesit. Allahu i ka bërë ata të synojnë me shpresë tek Ai e i ka ftuar. Fisniku kur jep shpresë e plotëson e kur premton e përmbush.

Ai i cili ndjek fjalën e Allahut: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret.” (Talak; 2,3), duhet të çelë në veten e tij hapësirën e shpresës, e të hapë dyert e përfitimit prej bujarisë së Allahut me mendimin e mirë për Të. Ai duhet të braktisë ngushtinë e streseve, brengave, të mërzive e të frikës e të drejtohet për tek gjerësia e hapësirës së sigurisë tek Allahut i madhërishëm, mbështetjes së vërtetë tek Ai, shpresës së mirë se Ai do të bëjë më të bukurën për të, të besojë se do të arrijë butësinë, bamirësinë dhe bujarinë që pret prej Tij.

Kraharorin nuk ka kush ta zgjeron e ta qetëson pas besimit më shumë se siguria e robit tek Allahut, shpresa tek Ai dhe mendimi i mirë për Të. Kjo sepse shpresa është e garantuar, mendimi i mirë është i sigurtë. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) në hadithin Kudsij tregon për Zotin e tij se Allahu i lartësuar thotë: Unë jam në atë që mendon robi Im për Mua. Mutefekun Alejhi. Imam ibnul Kajim ka thënë: Njeriu sa më mirë të mendojë për Allahun, sa më shumë të shpresojë tek Ai, sa më i sinqertë në mbështetjen tek Ai, Allahu kurrë nuk ia thyen atij shpresën që ka sepse Allahu nuk i thyen shpresat e atij që shpreson e nuk i çon dëm punët e atij që punon.

Prej dobive të mendimit të mirë për Allahun është mendimi se Allahu e bën njeriun të përjetojë shijen e hidhur të thyerjes për ti mundësuar të përjetojë shijen e rimëkëmbjes. Allahu e thyen robin e Tij besimtar për ta rimëkëmbur, e privon atë për ti dhënë, e sprovon për ta shpëtuar, e vdes që ta ringjallë, ja vështirëson jetesën në këtë botë për të qenë më i dhënë në fitimin e botës tjetër, e sprovon me distancimin e njerëzve për ta kthyer tek Vetja e për ta përzgjedhur të gjejë prehje tek Ai.

Gjëja më shpresëdhënëse dhe më e bukur e mendimit të mirë për Allahun është medimi i mirë gjatë lutjes se ajo do të jetë e pranuar tek Allahu. Në hadith: “Lutjuni Allahut duke qenë të bindur se ai do tu përgjigjet!” Transmeton Tirmidhiu.

Mendimi i mirë se do të pranohet pendimi i atij që pendohet, mendimi i mirë se do të fitosh faljen kur kërkon falje duke besuar premtimin e vërtetë të Allahut. Mendimi i mirë se do arrish faljen dhe mëshirën në prag të vdekjes. Në hadith: Kushdo që vdes prej jush le të mendojë mirë për Allahun e madhërishëm. Transmeton Muslimi.

O rob të Allahut mendimi i mirë për Zotin e madhërishëm arrihet me ndihmën e disa aspekteve. Prej tyre; Njohja e Zotit me emrat dhe atributet e Tij ashtu siç i ka përmendur Ai vetë në librin e Tij dhe i ka përmendur ato i Dërguari i Tij (salallahu alejhi ue selem). Kush e njeh Allahun me emrat dhe atributet e Tij do ta dojë Atë e nëse do ta dojë do të ketë shpresë tek Ai e do të mendojë mirë për Të, do të ketë siguri në Të, do ti mbështetet Atij e do ti jepet tërësisht Aij. Mendim të keq për Allahun ka ai njeri i cili nuk e njeh fisnikërinë e Fytyrës së Tij, krenarinë e madhështisë së Tij e që është i verbër e nuk njeh atributet e Tij të bukura, të përsosura e madhështore. Atij i përkasin emrat më të bukur e atributet më të larta e veprimet e tij janë madhështore. I pastër prej të metave e i larmadhërishëm është Allahu.

Mendimi i mirë për Allahun arrihet gjithashtu duke medituar në ligjin e tij të përsosur e duke parë dispozitat dhe urtësitë e tij. Ai ka hequr me të gjërat e rënda, prangat dhe vështirësinë. Me të ka zgjeruar rrugët e mirësive. Atë e ka bërë ligj të mesëm pa egzagjërime e pa mangësime. Ai është ligj i dlirë, tolerant e i lehtë. Ai është i tëri drejtësi, mëshirë, dobiprurës, mirësi, bamirës dhe pozitiv. Kjo duhet të nxisë njeriun të ketë mendim të mirë për Atë që e ka ligjëruar dhe e ka sjellë këtë ligj për njerëzit dhe se Ai i do vetëm të mirën njerëzve në jetën e tyre në këtë botë e në tjetrën. I Lartë është Allahu, i Cili është absolut në emrat, atributet dhe veprimet e Tij. I Përsosur është ligji i tij i cili vjen prej diturisë së Tij absolute. “Të përkryera janë fjalët e Zotit tënd në vërtetësi dhe drejtësi” (El Enam; 115).

Allahu e bëftë të dobishëm për ne udhëzimin e Librit dhe traditën e Profetit i cili pendohej shumë tek Allahu. I kërkoj falje Allahut për vete e për ju për çdo gjynah, kështu që edhe ju kërkoni falje se Ai i do të penduarit dhe i do kërkuesit e faljes.

Hutbeja e dytë

LEXO  Nuk ka përparim dhe zhvillim vetëm se me besim

Falenderimi i takon Allahut. Falenderimi i takon Allahu që me mirësinë e tij zbriti për ne më të mirin e librave, e na privilegjoi me më të vërtetën fjalë. Atë e falënderoj për mirësitë e shumta e dhuratat e tij të bukura. Nderimi i Allahut dhe shpëtimi i Tij qoftë mbi të dërguarin e Tij i cili ftoi në udhëzimin më të mirë, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij gjenerata më fisnike dhe mbi të gjitha pasuesit e tyre deri ditën e gjykimit.

Ju besimtarë, agjërues me namaz nate për të pasë mendim të mirë në Allahun e madhërishëm gjithashtu është meditimi i ligjit të Tij universal në krijimin e kësaj bote ku demostrohet në të urtësia,mëshira, bamirësia, përsosmëria dhe dominimi i të mirës mbi të keqen. Allahu i ka krijuar robërit e tij në formën më të përsosur. Ai i ka strehuar ata në një tokë të sheshtë. Ai ka vënë në dispozicion të tyre gjithçka ka në qiej e në tokë. Ai me pushtetin e tij u ka ofruar atyre çdo gjë që i nevojitet për një jetë sa më të mirë. Ata jetojnë mbi këtë tokët të qetë e të sigurtë të rrethuar me ushqim e me të mira materiale, të gjithëpërfshirë prej mirësive e prej begative. Allahu me mirësinë e Tij ka bërë që të mbizotërojë mirësia dhe shpëtimi tek shumica e krijesave. Ndërsa fatkeqësinë dhe sprovën e ka bërë fenomen të përkohshëm që nuk mbetet gjatë. Po të mos ishin fatkeqësitë njerëzit do të lidheshin pas tokës e nuk do të synonin të fitonin mirësitë e jetës tjetër të cilat janë më të mira e të përjetëshme. Medito në urtësinë e Allahut në këtë vendbanim se si kënaqësitë dhe shijet e në të i ka bërë shkak të ndërtimit të saj deri në një afat të caktuar. Ndërsa dhemjet në këtë botë i ka bërë dëmtuese të kënaqësive të saj dhe nxitëse për të kërkuar kënaqësitë e botës tjetër ku nuk ka lodhje e vuajtje, ankth apo mërzi. Vetvetja me natyrshmërinë e saj anon tek kënaqësia e cila nuk përzihet me dhimbje dhe tek mirësia e plotë të cilës nuk i kanoset lodhje apo privim. Urtësia e më të Urtit dhe mëshira e më të Mëshirëshmit ka bashkuar mes dy të kundërtave në këtë botë; kënaqësi të përzier me dhimbje dhe mirësi të përzier me të keqen me qëllim që njeriu të mbetet mes banorit të tokës dhe synuesit të botës tjetër, e kështu nuk banon në këtë botë në atë mënyrë që të harrojë botën tjetër e të dështojë me humbje të qartë e as të lë atë totalish e të dobësohet në jetesën e tij e në rrugën e tij për tek Allahu. Është e nevojshme një masë e rehatisë që të mund të jetojë mbi tokë duke zbatuar mbi të atë që dëshiron Allahu duke e bërë atë arë të ahiretit dhe rrrugë që të çon në kënaqësitë e amshimit.

Për Allahun sa e urtë është kjo zgjedhje, sa i lartë është ky planifikim prej të Urtit të Lavdishmit. Mendja e shëndoshë dëshmon e ajo është plotësisht e saktë, përsosmërisht e arrirë dhe gjithëpërfshirëse. Allahu është më i Miri e i Përhershëm.

Rob të Allahut, mendimi i mirë për Allahun është një pemë e cila prodhon situatat më të nderuara, njohuritë më të vyera, optimizëm, shpresë, zgjerim të kraharorit, qetësim të zemrës, gëzim në vetvete, hapësirë dhe frymëzim për të ardhmen. Sa e mirë është kjo pemë. Rënjët e saj janë të ngulura fort në tokë e degët e saj janë lart në qiell. Ajo, me lejen e Zotit të saj i jep frytet herë pas here.

Besimtarët pasiqë u kanë ardhë këto dhjetë ditë madhështore prej Ramazanit duhet ti shfrytëzojnë ato me vepra të mirë sa më shumë të jetë e mundur duke menduar mirë për Zotin e tyre të madhërishëm se Ai do ti ndihmojë ta përkojtojnë atë, ta falenderojnë atë e ta adhurojnë atë sa më mirë me përpjekjet më të larta e më të vendosura. Duke ndjekur shembullin e profetit të tyre Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) në këto djetë ditë. “Profeti angazhohej në dhjetëshen e fundit më shumë se në ditët e tjera” Mutefekun alejhi. Ai (salallahu alejhi ue selem) kur hynte dhjetëshja e fundit e gjallëronte natën, zgjonte familjarët e tij dhe shtrëngonte izarin e tij.

Pozita e përpjekjeve në këto dhjetë netë lartësohet me shpresën për të arritur natën e Kadrit e cila është më e mirë se njëmijë muaj e kush privohet prej mirësisë së saj është i privuar e kush e arrin atë ka fituar.

Pasha Allahun ajo është nata e tërë jetës, xhevahiri i muajit dhe shansi i kohës, burim i faljes e i shpërblimit. Në hadith; Kush e kryen namazin e natës në natën e kadrit me besim e shpresë në shpërblim do ti falen gjithë gjynahet e kaluara. Mutefekun alejhi. Nata që shpresohet më së shumti të jetë nata e kadrit gjendet në netët teke të dhjetë ditëshit të fundit siç paraqitet në Hadith: “Kërkojeni natën e kadrit në netet teke të dhjetëshes së fundit të ramazanit.” Mundohuni të fitoni prej begative të kësaj nate të bekuar bëni kujdes të mos ju bjerë nga dora kjo perlë e shtrenjtë e të mbeteni të pikëlluar e pikëllimi në këtë rast nuk bën dobi.

Po ashtu të mendoni mirë për Allahun se Ai do të pranojë prej jush ato punë të mira që keni punuar e do ti anashkalojë gabimet tuaja sepse Ai është Falës dhe Falenderues. Ai fal gabimet e shumta dhe falenderon për punët e pakta.

Plotësojeni të adhuruarit me mendimin e mirë për Allahun në këto netë të vyera me optimizëm të bukur se ai e largon këtë pandemic, Ai e zbulon dhe e dëbon këtë që na ka kapluar. Tek Allahu shpresohet çdo e mirë, Ai shpresohet në çdo vështirësi. Ai është dhuruesi i mirësive, i Gjalli, vigjilenti i përjetshëm. Fytyra e Tij është fytyra më fisnike, pozita e Tij është pozita më madhështore. Ai është më i madh se çdo gjë tjetër. Nuk ka ndryshim dhe forcë veçse prej Tij. Ai na mjafton ne e Ai është kujdestari më i mirë.

O Allah na dhuro të gjithëve prej mirësisë Tënde, na rretho me butësinë Tënde, Në islam, në sunet e në unitet të gjithëve na mundëso të vdesim.

Na mundëso të vdesim muslimanë e na bashko me njerëzit e mirë, të paposhtëruar, të sprovuar, pa këmbim e pa ndryshim o Zot i botëve.

O Allah fenë islame ngreje lart dhe muslimanët bëji krenar.

Zhduke idhujtarinë, poshtëroi idhujtarët dhe shkatërroi armiqtë e fesë.

Këtë vend bëje të qetë e të sigurtë, të pasur e të begatë po ashtu edhe të gjithë vendet e muslimanëve.

O Allah na mëshiro në këtë botë kur ndjehemi si të huaj, në vetminë tonë në varr, ditën e gjykimit kur të qëndrojmë përpara Teje të pafuqishëm!

O Allah na e jep nga e djathta librin tonë, na e lehtëso llogarinë, na i forco këmbët gjatë kalimit mbi urë, na mundëso që në xhenet të qëndrojmë pranë të dashurit tonë Muhamed Mustafasë (salallahu alejhi ue selem)! Na mundëso të pimë prej dorës së tij të nderëshme, pije që të mos kemi më kurrë etje pas saj o Zot i botëve!

O Allah na ruaj me syrin Tënd i cili nuk fle, na streho në strehëzën Tënde të cilën askush nuk mund ta cënojë, na ruaj me krenarinë Tënde e cila nuk mund të ulet!

O Allah ti e largon ankthin, heq brengën, i përgjigjesh lutjes së atyre që janë në vështirësi të madhe, Ti je i Gjithëmëshirëshmi i dynjasë dhe i ahiretit dhe i Mëshirëploti i të dyjave, na mëshiro me mëshirë prej Teje e cila na bënë të panevojshëm për mëshirën e dikujt tjetri veç Teje o Zot i botëve!

O Allah jepi sukses udhëheqësit tonë, ndihmoje atë më ndihmën Tënde! Jepi sukses atij dhe mëkëmbësit të tij për çdo të mirë dhe në çdo gjë që sjell krenari të islamit e të muslimanëve o Zot i botëve!

O Allah zbrit mëshirën tënde mbi robërit e Tu të sëmurë, O Allah zbrit mbi ta mëshirën e shpejtë, O Allah shëroi trupat e tyre e jepu atyre shëndet, në vend të sëmundjes sill shërim!

O Allah, ata që ruajnë rendin tonë ruaji! Ata që ruajnë shëndetin tonë ruaji! Shpërbleji ata me mirësi o Allah!

O Allah na fal çdo gjynah që na largon prej mëshirës tënde e që na privon prej bujarisë Tënde, që na i heq mirësitë e Tua e na privon prej furnizimit Tënd o Zot i botëve!

O Allah nderoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, ashtu sikurse ke nderuar Ibrahimin dhe familjen e Ibrahimit Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.

O Allah bekoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, ashtu sikurse bekove Ibrahimin dhe familjen e Ibrahimit. Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.

 

Post Author: endrit