Mekë 5.10.2018
Cilësitë e të devotshmëve
Dr. Usama ibn Abdilah Khajat
Falënderimet i takojnë Allahut, Mikut të të devotshmëve, Atë e falënderoj me falënderime të shumta dhe të pandërprera!
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, Një i Vetëm dhe i pashoq, asgjë nuk krahasohet dhe asgjw nuk i përngjet Atij.
Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, ai është zotëria i mbarë krijesave, shembull i krijesave të Zotit në tokë.
Zot bekoje robin dhe të dërguarin Tënd Muhamedin, familjen e tij të ndershme, shokët e tij besnikë e të veçantë dhe mbi mbarë të nënshtruarit që i ndjekin ata, deri në ditën e fundit!
Kini frikë Allahun robër të Allahut: “Dhe ruajuni asaj ditw që do të ktheheni tek Allahu, kur çdokujt do t’i jepet ajo që ka fituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi” Bekare 281.
Të nderuar besimtarë! Mes dëfrimeve të kësaj jete dhe kotësive të saj, lakmive dhe ambicieve të saja, përpjekjes së sundimit dhe dëfrimit me begatitë e saj, mashtrimit pas bukurive të saj, ngrihet një treg i madh me mallrat të ndryshme, aty valëviten flamuj mashtrues, të shumëllojshëm dhe me ngjyra të shumta, pretendime të cilat nuk ngrihen mbi baza dhe argumente.
Sado që këto gjëra të shfaqen në forma të ndryshme, duhet ditur se më të pështirat dhe më të devijuarat në mesin e tyre janë çështjet që janë ndërtuar në kundërshtim të asaj që Zoti ka shpallur në librin e Tij: “Prandaj mos u lavdëroni me pafajësinë tuaj! Ai i njeh më së miri ata që ruhen nga gjynahet” Nexhm 32.
Kjo do të thotë, shfajësimi i vetes, vetëpëlqimi, lavdërimi i saj, mospranimi i ndonjë vërejtje që drejtohet si dhe heshtja ndaj të metave.
Gjëja më e keqe është pretendimi i udhëzimit, të qenit në rrugë të drejtë dhe të mbarë, pikërisht përfaqësuesi i të tilla pretendimeve, argumentet e të cilit janë të pakta, ose nuk ekzistojnë fare duke pretenduar se është prej të udhëzuarve, të cilët e kanë kuptuar thelbin e asaj që dëshirojnë dhe janë larguar plotësisht nga ajo që frikësohen.
Duke qenë kwshtu, të tillë njerëz gjenden në çdo kohë, Zoti na flet për të tillët në librin e Tij të qartë, udhërrëfyes, paralajmëruesin dhe ndaluesin për të vërtetën, i cili shëron plagët e shuan kureshtjet, ndërpret çdo justifikim e pretendim të rrejshëm, si dhe udhëzon për në rrugën e drejtë.
Zoti na tregon se ata që e meritojnë të quhen të udhëzuar, janë ata që janë në rrugën e ndritur, të cilët ecin me suksesin e Tij, ndërsa ata që meritojnë të përshkruhen si të shpëtuar janë ata të cilët e kanë kuptuar atë që i është kërkuar, largohen nga ajo që duhet larguar, vërtetë ata janë të devotshëm të cilët i janë frikësuar Allahut, duke mos iu afruar të ndaluarave që ka ndaluar, i janë frikësuar duke kryer obligimet që ka urdhëruar.
Imam Taberiu përmend se ky është realiteti i tyre, këta të devotshëm Zoti i ka veçuar me virtyte që tregojnë gjendjen e tyre, orienton për në veset e tyre të mira, nxit t’u bashkëngjitkemi përpjekjes dhe rrugës së tyre dhe cilësitë e tyre i përmend në hyrjen e sures Bekare ku thotë: “Elif Lam Mim. Ky është libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit. Të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë dhe për ata që besojnë në atë që të është shpallur ty (O Muhamed), në atë që është shpallur përpara teje dhe që me bindje besojnë në jetën tjetër” Bekare 1-4.
Këto janë cilësi të ndritura, virtyte të kënaqshme që njeriun e çojnë në gradat më ta larta në jetën e kësaj bote dhe në Ahiret, derisa të mbërrijë kënaqësinë e Allahut e të futet në xhenet.
Virtyti i parë i këtyre cilësive është të besuarit të fshehtën me fjalë dhe vepra, ata e besuan Allahun, Melaiket e Tij, Librat e Tij, të dërguarit e Tij, ditën e gjykimit, ringjalljen, dhënien e llogarisë, urën e Siratit, shpërblimin, ndëshkimin, fronin dhe karrigen e Zotit, Xhenetin dhe Xhehenemin.
Besuan jetën pas vdekjes dhe çdo gjë që është larg logjikës, por që Zoti e ka shpallur në Kur’an, ndërsa Profeti i ka sqaruar në hadithe të ndryshme.
Cilësia e dytë e tyre është se ata e falin namazi në kohët e caktuara, me normat e caktuara, duke plotësuar rukunë e sexhden, duke qëndruar në këmbë, kur kanë mundësi. Këndojnë Kur’an, madhërojnë, falënderojnë, dërgojnë salavatë mbi Profetin a.s, e shumë shtylla, vaxhibe, synete e etika të tjera.
Por dhe pjesën e brendshme si nënshtrimi, prezenca e zemrës, kuptimi i asaj që këndohet nga Kur’ani, zbatim i sinqertë i fjalëve dhe veprave, detyra e namazit, është ashtu sikurse thotë Allahu: “Namazi të ruan nga shthurja dhe çdo vepër e shëmtuar” Ankebutë 45.
Nëse namazi nuk të ndalon nga gjëra të tilla, tregon se nuk e ke kryer ashtu siç ka urdhëruar Allahu, siç thuhet: Namazlinjtë janë të shumtë, por ata që e kryej të saktë janë të paktë.
Cilësia e tyre e tretë, është ashtu siç thotë dhe imam Taberiu: “Ata japin çdo detyrim që obligohen në pasuritë e tyre, qoftë detyra e Zekatit apo investimi në familje dhe ndaj kujtdo meritori, kjo përfshin çdo investim të lejuar nga pasuria hallall që Zoti ia ka mundësuar”.
Ndër cilësitë e tyre është dhe besimi i prerë që nuk ka kurrfarë dyshimi në atë që Profeti a.s na përcolli, apo ajo që Profetët para tij përcollën, duke mos diferencuar asnjë prej Profetëve.
Ndër virtytet e tyre është dhe bindja e thellë në atë që idhujtarët mohuan, si ringjallja, llogaridhënia, shpërblimi, ndëshkimi, peshorja, ura e Siratit, xheneti dhe xhehenemi, e të tjera gjëra që Zoti i ka përgatitur për krijesat e Tij në ditën e gjykimit.
Besimi në ditën e gjykimit, besimtarit i ngjall kujdesin e plotë ndaj Zotit, frika prej Tij lind zbatimin e urdhëresave dhe largimin prej ndalesave, e gjitha kjo në shenjë bindje ndaj Zotit, duke shpresuar në premtimin e Tij për robërit e mirë, dhe nga frika prej dënimit tw dhimbshëm për gjynahqarët dhe përgënjeshtruesit e fesë dhe tw Profetëve të Tij.
Të devotshmit që zotwrojnw të tilla cilësi dhe virtyte të ndershme janë meritorë të cilësohen se janë në udhëzim nga Zoti i tyre, do të thotë se janë në rrugën e drejtë, të qartë dhe të argumentuar.
Ata që e meritojnë titullin të shpëtuar janë të vetëdijshëm për atë që kërkojnë nga Zoti, nëpërmjet veprës, besimit në Zotin, librat, profetët, në fitimin e shpërblimit, përjetësinë e xhenetit si dhe në shpëtimin prej dënimit të përgatitur për armiqtë e Tij.
Deti i diturisë Abdullah Ibn Abasi ka thënë për këto ajete: “Zoti paralajmëron ata që thonë se besojnë atë që i është shpallur profetëve para Muhamedit, ndërsa Muhamedin dhe shpalljen e tij e përgënjeshtrojnë dhe krahas kësaj pretendojnë se janë të udhëzuar”.
Frikësojuni Allahut o robër të Zotit dhe mos u vetëmashtroni nga pretendimet e atyre që pretendojnë se janë të udhëzuar e të shpëtuar pa pasur dhe argumentin më të vogël të saktë, pa logjikë të saktë e realitet të drejtë.
Zoti na e mundësoftë që të përfitojmë nga udhëzimi i librit të Tij dhe synetit të Profetit a.s, kjo ishte ajo që kisha dëshira të transmetoja! Zotit i kërkoj falje për vete, ju dhe mbarë myslimanët nga çdo mëkat, vërtetë Ai është Falës i Madh!
Falënderimet i takojnë Udhëzuesit që i kërkojnë udhëzimin, Përgjegjësit për atë që i mbështetet, dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, i Vetëm dhe pa ortak, nuk ka Zot të adhuruar me të drejtë veç Tij, dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, më i miri i gjithë krijesave, i dashuri dhe i përzgjedhuri i Tij, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, familjen, shokët dhe këdo që ndjek gjurmët e tij.
Në fjalën e Zotit: “Nga ajo që ne u kemi dhënë ata japing”, ka urtësi dhe sekrete të shumta të sqaruara nga komentatorët në mënyrë të detajuar, përmendim ndër to komentimin e dijetarit të madh Abdurrahman es Sadij, Zoti e mëshiroftë ku thotë: “Zoti na tregon se Ai kërkon vetëm një pjesë të vogël prej pasurisë së tyre, kjo pjesë nuk cenon pasurinë e njeriut, përkundrazi përfiton prej tij ai dhe vëllezërit e tij.”
Ajeti na tërheq vëmendjen drejt faktit se pasuria që ndodhet në zotërimin e tyre nuk është përftuar si pasojë e zotësisë dhe përpjekjes së tij, ajo është furnizim prej Zotit i Cili ju ka krijuar, ju ka begatuar, ndaj ashtu sikurse të ka begatuar dhe të ka veçuar ndaj shumë prej robërve të Tij duhet ta falënderosh, duke dhënë një pjesë prej asaj që ju ka dhënë, duke i mbështetur edhe të tjerët.
Në vende të ndryshme Zoti përmend namazin dhe zekatin bashkë, kjo për vetë faktin se namazi është garanci për sinqeritetin e njeriut, ndërsa zekati është garanci e bamirësisë ndaj njerëzve.
Thelbi i lumturisë së njeriut fshihet në sinqeritetin e tij, në bamirësinë ndaj të tjerëve, ashtu sikurse fatkeqësia e tij shkaktohet nga mungesa e këtyre dy cilësive.
Frikësojuni Allahut të dashur vëllezër, pajisuni me morale të të devotshmish të cilët posedojnë udhëzim hyjnor, janë të vetëdijshëm në atë që kërkojnë prej Zotit, veprojnë për diçka të tillë, derisa ta arrijnë kënaqësinë e Tij.
Dërgoni salavatë mbi krijesën më të mirë të Allahut Muhamedin a.s, sikurse ka urdhëruar në librin e Tij: “Vërtetë Allahu e bekon të dërguarin dhe Melaiket e Tij luten për Të, o ju besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam!” Ahzabë 56.
Zot bekoje robin dhe të dërguarin Tënd Muhamedin, pranoji katër kalifët e tij të drejtë, Ebu Bekrin, Umerin, Uthmanin dhe Aliun, si dhe mbarë familjen, shokët dhe ndjekësit e tij, dhe gjithë ata që e ndjekin atë, deri në ditën e fundit, përfshina dhe ne me ta!
Zoti ynë lartësoje Islamin dhe myslimanët, na e ruaj fenë, shkatërroji armiqtë e saj dhe çdo agresor e shkatërrimtar, miqësoi zemrat e myslimanëve, njehsoi taborët e tyre, udhëzoji prijësit e tyre dhe bashkoi në fjalën e drejtë!
Zot ndihmoje fenë, Librin, synetin e profetit Tënd dhe mbarë robërit e Tu besimtarë të sinqertë!
Zot na siguro në trevat tona, udhëzoi prijësit dhe përgjegjësit tanë, ndihmoje me të vërtetën prijësin dhe përgjegjësin e punëve tona, rrethoje nga këshilltarë të drejtë, jepi sukses për gjithçka që Ty të kënaq e je i pajtuar, udhëzoje atë dhe zëvendësin e tij, në atë që është e dobishme për Islamin dhe myslimanët!
Zot na pajis me devotshmëri dhe pastërti shpirtërore!
Zot na e ruaj fenë për të cilën jetojmë, na e rregullo botën në të cilën jetojmë, na e bëj mbarë botën tjetër ku do kthehemi, jetën na e mbush përplot me të mira, ndërsa vdekjen prehje nga çdo e keqe!
Zot na e mundëso të bëjmë të mira, t’i braktisim të këqijat, t’i duam të varfëritë, falna e mëshirona e nëse do zbresësh ndonjë dënim na e merr shpirtin pa na sprovuar.
Zot mos na i largo begatitë e Tua, na jep shëndet, mos na ndëshko dhe as mos u zemëro prej nesh!
Zot na jep përfundim të lumtur në çdo gjë, mbrona nga nënçmimi i kësaj bote dhe ndëshkimit në Ahiret!
Zot na ruaj nga armiqtë e Tu dhe tanët si të dëshirosh, Ty ti kemi lënë në dorë armiqtë, hakmerru ndaj tyre dhe mbrona nga e keqja e tyre!
Zoti ynë, ruaji mbroji e jepu sukses bijve tanë, ushtarët që luftojnë për sigurinë, ndihmoje fenë Tënde me ta, lartësoje fenë Tënde me ta, mëshiroji të vdekurit e tyre dhe pranoi si dëshmorë, shëroji të plagosurit e tyre!
“Zoti ynë ne u treguam të padrejtë ndaj vetëve tona, e nëse Ti nuk na fal e mëshiron, padyshim që do jemi të humbur” Araf 23.
Zoti shëroji të sëmurët tanë, mëshiroji të vdekurit tanë, na mundëso ta arrijmë kënaqësinë Tënde dhe na jep përfundim të mirë!
“Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira në botën tjetër dhe ruana nga ndëshkimi i zjarrit!” Bekare 201.
Bekoje e begatoje Muhamedin dhe familjen e tij. Çdo falënderim qoftë për Allahun Zotin e botëve!