Hytbe e Qabes 26 Safer 1441 H 25-10-2019
Shejh Bander Abdulaziz Balejleh
Tema: Rëndësia e pendimit dhe kthimit tek Allahu.
Falenderimi i takon Allahut. Falenderimi i takon Allahut i cili ngre lart në grada, Shpikësi i tokës e i qiejve. Atë e falënderoj e i pastër nga çdo mangësi është Ai, i do të penduarit dhe gabimet e tyre i shndërron në sevape.
Dëshmoj se nuk ka hyjni që meriton të adhurohet pos Allahut, i vetëm e i pashoq. Falësi i gjynahut, e pranon pendimit dhe i anashkalon shkarjet.
Dëshmoj se profeti ynë Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) është i dërguari i Allahut. Profeti i nderuar, i dërguar me shpalljen më të lartë. Nderimet dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Shpëtim dhe paqe pastë mbi ta deri në ditën e gjykimit.
O rob të Allahut kijeni frikë Allahun ashtu si duhet, kijeni parasysh mbikqyrjen e Tij kur jeni në vetmi e kur flisni me zë të ulët e të mos ju mashtrojë jeta e kësaj bote sepse ajo është vendbanim i përkohshëm e i paqëndrueshëm. Kjo botë është mejdan pune e jo mjet argëtues për dembelët. Ajo është treg ku malli në të është bindja ndaj Allahut e fitimi për të do të jetë ditën e kijametit.
O musliman! Prej realiteteve të mëdha të cilat nuk i mbulon dot kotësia e nuk mund ta ndryshojnë idetë është fakti që kjo botë qoftë ajo qiellore apo tokësore, njerëzit e saj apo xhindët, e të gjitha krijesat e Allahut janë të gjithë nevojtar për Allahun, detyrimish kanë shumë nevojë për të. Ato nuk mund të shkëputen prej Tij qoftë sa hap e mbyll sytë. Ato nuk mund të qëndrojnë pa Të, e ku mund të jetojnë ato dot pa Të!? Allahu i lartësuar është i Gjalli i Përjetshëm i cili ofron për krijesat e Tij çdo gjë që i rregullon ato. Ato nuk mund të jenë kurrë mirë pa Të. Kjo nevojë edhe pse është e shumëllojëshme dhe me raste të ndryshme ka një lloj që është më i rëndësishmi, më fisniku, më i larti e më i shtrenjti. Ky lloj distancohet prej stolive dhe kënaqësive të kësaj jete. Kjo është nevoja për Allahun e madhërishëm, nevoja për Allahun e madhërishëm që Ai ti falë gjynahet, ti mbulojë mangësitë, ti pastrojë zemrat, të lejojë pendimin e të hapë dyert e saj.
Ecja drejt arritjes së këtij qëllimi ka qenë traditë e profetëve. Ata për të braktisën shtretërit e qëndruan në këmbë duke adhuruar Zotin e tyre. Pandërprerë i kërkonin Zotit falje dhe mëshirë me zemra të përvluara, me shpirtra të përulur e me sy të përlotur.
Ademi (alejhi selam) i penduar pasi i shkau këmba i drejtohet Zotit të Tij:
“Ata thanë: O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.” (El Earaf; 23).
Nuhu (alejhi ue selem), pasi e shtyu dhembshuria prindërore për të shpëtuar birin e tij e Allahu e kish shkruar që ai do të mbytej, Zoti e kritikoi duke i thënë: “(Allahu) tha: O Nuh, ai nuk është nga familja jote, ai ka bërë punë të keqe. Mos më pyet për atë që ti nuk e di. Unë të këshilloj që të mos bëhesh nga të paditurit.” (Hud; 46).
Ai iu dorëzuar urdhërit të Zotit të tij të madhërishëm duke kërkuar falje i penduar:
“(Nuhu) tha: O Zoti im, mbështetem tek Ti për Të të mos kërkuar gjëra, për të cilat nuk kam dijeni. Nëse Ti nuk më fal dhe nuk më mëshiron, do të jem nga të humburit.” (Hud; 47).
Ai pasi e njohu vlerën e kësaj kërkese e që është kreu i kërkesave, nuk e mbajti vetëm për veten e tij por bëri pjestarë me veten e tij çdo besimtar e besimtare dhe iu lut Zotit të tij:
“O Zoti im, falmë mua dhe prindërit e mi, si dhe çdo besimtar, që kërkon strehim në shtëpinë time! Fali të gjithë besimtarët e besimtaret, ndërsa keqbërësve shtoju vetëm shkatërrim!” (Nuh; 28).
Miku i të Gjithëmëshirëshmit, sa një popull i tërë adhurues, i maturi, i shpejti në kthim tek Allahu, Ibrahimi (mbi të qoftë nderimi dhe shpëtimi) e shpreh këtë kërkesë duke e bërë pjesë të lutjeve të tij me shpresë e me drojë:
“O Zoti ynë, më fal mua, prindërit e mi dhe besimtarët në Ditën, kur do të jepet llogari!” (Ibrahim: 41).
Ky preokupim vazhdonte ta ngërthente atë e ti rrëmbente brendinë ndërkohë që ai thërriste poppullin e tij për në fenë e tij duke u munduar ti njohë me atributet e Zotit të tij:
“Ai tha: A keni menduar mirë mbi çfarë keni adhuruar, si ju, ashtu edhe të parët tuaj të lashtë? Në të vërtetë, ata janë armiqtë e mi, përveç Zotit të botëve, i Cili më ka krijuar dhe më udhëzon (në rrugë të drejtë); i Cili më ushqen dhe më jep të pi; i Cili, kur sëmurem, më shëron; i Cili do të bëjë që të vdes e pastaj do të më ringjallë; dhe i Cili, shpresoj se do të m’i falë gabimet e
mia në Ditën e Gjykimit! O Zoti im, më dhuro dituri dhe më radhit me të mirët! Bëj që të përmendem për të mirë te breznitë e ardhshme dhe më bëj një nga trashëgimtarët e Xhenetit të begatë! Fale babanë tim, sepse ai është njëri nga të humburit, dhe mos më turpëro në Ditën, kur do të ringjallen njerëzit, në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” (Esh Shuara`e; 75-89).
Këtë preokupim e ka pasë edhe profeti i nderuar Isa (alejhi selam) në lidhje me popullin e tij. Ai duke shpresuar mëshirën e Allahut tha:
“Nëse Ti i dënon ata – robërit e Tu janë, e nëse i fal ata, me të vërtetë, vetëm Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti.” (Maideh; 118).
Musa (alejhi selam) ky profet fisnik kur u kthye tek populli i tij i zemëruar e i pikëlluar për shkak se ata adhuruan viçin, e mbërtheu ky preokupim dhe nxitoi për tek Zoti i tij me lutje e me pendim:
“Musai u lut: O Zot! Më fal mua dhe vëllanë tim dhe na prano në mëshirën Tënde! Ti je më i Mëshirshmi i mëshiruesve” (El Earaf; 151)
Ai (alejhi selam) deshi të ndihmonte një burrë prej fisit të tij i cili po i kërkonte ndihmë ndaj armikut, e goditi duke e lënë të vdekur. Pas kësaj ngjarjeje përkujtoi dhe u kthye tek Zoti i tij duke pranuar fajin dhe tha:
“O Zoti im! Njëmend, Unë i kam bërë keq vetes, andaj më fal! Dhe Ai e fali. Pa dyshim, Ai është Falësi e Mëshirëploti.” (El Kasas; 16).
Profeti i Allahut Daud (alejhi selam) plot fuqi, e që Allahu i dha pushtet të fortë, urtësi, oratori e ligjërim të qartë kur pa se u largua nga e vërteta në një prej çështjeve që gjykoi mes dy pretenduesve nxitoi me kërkim faljeje ndaj Zotit të tij:
“Daudi e kuptoi, se në të vërtetë Ne e kishim vënë në provë atë, prandaj kërkoi falje nga Zoti i vet, ra në gjunjë dhe u përul, duke u penduar. Pastaj, Ne ia falëm këtë e ai te Ne do të jetë i afërt dhe do të ketë strehim të mirë (në jetën tjetër).” (Sad; 24,25).
Më i nderuar ndër gjithë njerëzit, mëshira e Allahut për tërë botën, Muhamedi i biri i Abdullahut që mbi të qofshin nderimet e Allahut aq sa e përmendin Allahun përkujtuesit e aq sa mbesin pa e përmendur neglizhentët. Ai qe njeriu me dëshirë më të madhe për tu drejtuar tek Zoti i tij, më i ndrojturi i tyre para pozitës së Tij, më i frikësuari prej zemërimit dhe ndërshkimit të Tij të dhembshëm. Allahu ispiroi
tek ai kërkimin e faljes dhe pendimin, aq sa kjo gjë tek ai ndodhte lehtësisht si frymëmarrja.
Nga Ebu Hurejrah transmetohet se i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Pasha Allahun i unë kërkoj falje Allahut dhe pendohem tek ai gjatë ditës më shumë se shtatëdhjetë herë. këtë Hadith e transmeton Buhariu.
Ky ishte angazhimi i tij natë e ditë. Nga Aishe (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmetohet se ka thënë: Një natë nuk po e gjeja në shtrat profetin. E kërkova dhe befas dora ime preku pjesën e poshtme të këmbës së tij e ai ishte në vendfaljen e tij në sexhde. Dy këmbët i kishte të ngjitura bashkë e po thoshte: O Allah unë mbrohem me kënaqësinë Tënde ndaj zemërimit tënd, me faljen tënde ndaj ndërshkimit tënd, e mbrohem me Ty prej teje, nuk mundem të të lavdëroj Ty si duhet, Ti meriton të lavdëroshesh ashtu sikundër e ke lavdëruar Veten. Këtë hadith e transmeton Muslimi.
Nëna e besimtarëve Aishe tregon për një fragment tjetër fisnik të ibadetit të Profetit dhe angazhimi për tu afruar me Allahun. Ajo ka thënë: Një natë nuk po e gjeja Profetin (salallahu alejhi ue selem), mendova se mos ka shkuar tek ndonjëra prej grave të tij. Nisa ta kërkoj nëpër errësirë por kur u ktheva ai ishte në ruku e në sexhde duke thënë: “I lartësuar je Ti, e ty të përket falenderimi, nuk ka hyjni që meriton të adhurohet pos Teje.” Unë në vete thashë: Bëfsha kurban për ty babain dhe nënë time, unë jam në këtë preokupim e ti je në një tjetër. E transmeton Muslimi.
Iku drejt lindjes unë drejt perëndimit
sa shumë larg lindori me perëndimorin
Frika ndaj gjynahut dhe pasojave të tij ka qenë e përherëshme dhe e vazhdueshme tek profetët aq sa ajo do ti shoqërojë edhe në vendtubimin e madh ditën kur Allahu do ti tubojë të gjithë nga i pari deri tek i fundit në një shesh të vetëm. Ankthi dhe pikëllim i njerëzve do të arrijë në nivele që ata nuk e përballojnë më. Disa njerëz u thonë disa të tjerëve: A nuk e shihni se në ç`gjendje jeni!? A nuk e shihni atë që ju ka kapluar!? A po gjeni dikë që të ndërmjetësojë për ju tek Zoti juaj!? Disa njerëz u thonë të tjerëve: Shkoni tek Ademi. Ata shkojnë tek Ademi e i thonë: O Adem, ti je babai i njerëzve. Allahu të krijoi me dorën e Tij. Të dha shpirt. Urdhëroi melaiket e ato ranë në sexhde për ty. Ndërmjetëso për ne tek Zoti yt. A nuk po e sheh se në ç`gjendje jemi!? A nuk po e sheh atë që na ka kapluar!? Ademi thotë: Zoti im sot është zemëruar me një zemërim që kurrë më parë nuk është zemëruar ashtu e kurrë më pas nuk do të zemërohet ashtu. Ai më ndaloi pemën e unë e kundërshtova, vetja ime, vetja ime. Shkoni tek dikush tjetër veç meje, shkoni tek Nuhu. Ata shkojnë tek Nuhu, pastaj shkojnë tek Ibrahimi, pastaj tek Musa e pastaj tek Isa, që të gjithë u thonë të njëjtat fjalë që u tha Ademi. Pastaj shkojnë tek Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) e ai ndërmjetëson për ta. Këtë hadith e transmetojnë dy dijetarët (Buhariu, Muslimi) nga Ebu Hurejrah.
Kjo është gjendja e atyre që Allahu i zgjodhi për revelatën e tij. Ata janë njerëzit që i druheshin e i frikësoheshin më shumë Allahut. Ata ishin njerëzit më kërkues të faljes dhe mëshirës së Tij. Ata ishin njerëzit më të shpejtë në kthimin dhe pendimin tek Allahu. Robi, në masën e njohurive për Allahun po aq do ta ketë dhe frikën ndaj Tij dhe madhërimin për Të.
Allahut, më së shumti prej robërve të Tij i frikësohen dijetarët.
Allahu, mua dhe ju na bëftë dobi me faktet dhe udhëzimin që ka zbritur, na dhëntë begati në traditën e njeriut më të mirë. Unë i kërkoj falje Allahut për vete e për ju ndaj çdo gabim kështu që edhe ju kërkojini Atij falje. Eh ç`sukses për kërkuesit e faljes.
Hutbeja e Dyte
Falenderimi i takon Allahut i cili pendimin e ka bërë pozitën më të mirë të njerëzve që ecin në rrugën e Tij. Atë e falenderoj e Ai është më i larti, i do të penduarit dhe i do ata që pastrohen.
Nderimet dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi prijësin e të devotshmëve, vulën e të dërguarve, mëshirën e Allahut për tërë botën dhe mbi familjen, e mbi tërë shokët e tij.
O musliman nuk është habi që kjo që thamë ka qenë gjendja e profetëve dhe e të dërguarve, shpëtimi i Allahut qoftë mbi ta, në lidhje me pendimin e tyre tek Allahu i madhërishëm.
Pozita e pendimit është pozita e parë, ajo është e mesmja dhe e fundit. Robi i cili ecën për tek Allahu nuk duhet ti ndahet asaj derisa të vdesë. Pendimi është fillimi i robit dhe fundi i tij dhe nevoja e tij për të në mbyllje është e domosdoshme sikurse nevoja e tij në fillim.
Pendimi gëzon këtë pozitë sepse ibadeti me pendim është ibadeti më i dashur e më i nderuar tek Allahu. Allahu i lartësuar i do ata që pendohen. Pendimi po të mos ishte gjëja më e dashur për Alahun nuk do të sprovonte me gjynahun krijesën e Tij më të nderuar. E për këtë Allahu gëzohet me pendimin e robit me gëzimin më të madh të mundshëm. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) për këtë ka dhënë shembull; gëzimin e personit që gjen devenë e tij që mbarte ushqimin dhe pijen në shkretëtirën vrastare pasi e humbi atë e i hoqi shpresat prej shkaqeve të jetës.
Ky gëzim në këtë nivel nuk vjen për asnjë vepër tjetër të mirë përveç pendimit. Dihet se ky gëzim ka ndikim të madh në gjendjen e të penduarit dhe në zemrën e tij. Ky është edhe një prej sekreteve që Allahu ka përcaktuar rënien e robërve në gjynahe. Robi me anë të pendimit fiton gradën e të dashurit e kështu Allahu e don atë. Allahu i don të penduarit, të sprovuarin që pendohet sepse në adhurimin e tij gjen nënshtrim, përulësi dhe përgjërim ndaj Allahut.
Nështrimi dhe përulësia është shpirti i adhurimit, truri dhe thelbi i tij. Allahu i lartësuar gjendet më afër me robin e tij atëherë kur ai është i nënshtruar dhe zemra e tij e thyer dhe e përulur. Qiriu i mirësisë, i vlerës dhe dhurimeve zbret në shandanin e përulësisë dhe gjynahqarit të penduar i takon një pjesë e mirë e saj.
O Allah ne të kërkojmë me Krenarinë tonë e më përulësinë tonë ndaj Teje të na mëshirosh! Të kërkojmë me forcën Tënde e dobësinë tonë, me mospasjen Tënde nevojë për ne dhe nevojën tonë tek Ti. Këto janë fytyrat tona gënjeshtare e gabimtare para Teje.
Robërit e tu përveç nesh janë të shumtë por ne nuk kemi Zot tjetër veç Teje, nuk kemi strehim dhe shpëtim vetëm se tek Ti. Të lutemi me lutjen e të vobektëve, e të përgjërohemi me përgjërimin e të nënshtruarit të përulur, e të thërresim me thirrjen e të frikësuarit të verbër. Lutje e atij që qëndron kokëulur para Teje e që e ka ulur hundën para Teje, që i mbushen sytë me lot për Ty e që i nënshtrohet zemra për Ty.
Ty të kërkojmë ndihmë për atë që shpresojmë të arrijmë, Ty të kërkojmë mbrojtje prej çdo gjëje që na rrezikon, njerëzit nuk mund ta ngjisin një kockë të cilën Ti e thyen e nuk mund ta thyejnë një kockë të cilën Ti e mban ngjitur.
Allahu ju mëshiroftë, dërgoni salavate dhe selame mbi profetin tonë Muhamed më të mirin e bijve të Adnanit sikurse ju urdhëron Zoti juaj, i cili në sqaruesin perfekt ka thënë:
Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! (surja Ahzab; 56)
O Allah ngreje lart, shpëtoje, bekoje dhe jepi mirësi të nderuarit dhe profetit tonë Muhamed, Kënaqësia e Allahut qoftë mbi mbi shokët e tij fisnikë, vëllezërit e tij, bashkëshortet e tij dhe pasardhësit e tij edhe ndaj nesh bashkë me ta me mirësinë Tënde, mëshirën Tënde o më i mëshirëshmi i mëshiruesve.
O Allahu fenë islame ngreje lart dhe muslimanëve jepi fitore.
Zhduke politeizmin dhe poshtëroi idhujtarët.
O Allah bëje këtë vend të sigurtë dhe të gjithë vendet e muslimanëve.
O Allah na mbulo me mirësinë Tënde e na rretho me përkujdesjen Tënde e në rrugën e Ehli Synetit dhe Xhematit të gjithëve na qëndro deri në vdekje. Na e sill vdekjen duke qenë musliman e na bashko me njerëzit e mirë pa poshtërim e pa sprovim.
O Allah çdo të mirë që të kemi kërkuar na e jep, e atë që nuk ta kemi kërkuar na e jep Ti vetë e atë që nuk kemi mundur ta arrijmë me shpresat dhe punët tona prej mirësive të dynjasë e të ahiretit na e mundëso ta arrijmë.
O Allah ne të kërkojmë udhëzim, devotshmëri, shpëtim dhe pasuri.
O Allah na jep siguri në vatanet tona, na i rregullo prijësat dhe qeveritarët tanë.
Ndihmoje në të vërtetetën, me sukses e me përpikmërinë prijësin dhe udhëheqësin tone.
Jepi sukses Atij dhe pasardhësit të tij që të bëjnë atë çka është më e mira për islamin dhe muslimanët dhe jepi sukses në atë çka është e mirë për njerëzit dhe vendin dhe në forcim të islamit e në krenari të muslimanëve o Zot i botëve.
O Allah jepi fitore ushtarëve tanë të cilët vigjëlojnë në kufijtë e vendit tonë o Zot i botëve.
O Allah këto janë gjynahet tona i paraqesim para faljes tënde, të këqijat tona i paraqesim para mirësisë Tënde. O Allah dhuro mbi ne falje, shpëtim dhe pastrim se ti je Bamirës e Mëshirëplotë.
O Allah fali gjynahet tona, dhe teprimin tonë ndaj vetvetes, na i qëndro këmbët dhe na jep fitore ndaj popullit jobesimtar.
O Allah atë që e kemi harruar e që është e shënuar në librin tënd na i fal o Zot i botëve.
O Allah na fal ne, prindërit tanë, e ata që kanë të drejta mbi ne, e ata që na kanë porositur me lutje të mirë, përfshiji që të gjithë me mëshirë e me kënaqësinë tënde, hidh mbi ne butësi e bamirësi. Çështjen tonë o kujdestari ynë mbylle me shpëtim, pastrim, falje dhe anmistim prej zjarrit.
I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe lutja jonë e fundit; lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!