Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 04-04-1447 H 26-09-2025 D
Shejh Jaser Ed-Dosari
Tema Dashuria për atdheun… natyrshmëri dhe mirësi
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili na ka bekuar me mirësinë e besimit, na ka nderuar me siguri në vendin tonë dhe na ka dhuruar shëndet të mirë në trupat tanë.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, i Vetmi, Gjykuesi i Drejtë. Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i dërguari mëshirë për mbarë njerëzimin. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij, mbi tabi’inët dhe mbi ata që i pasojnë në vepra të mira sa kohë të zëvendësohen netët dhe ditët.
Në vijim
O ju njerëz! Këshilloj ju dhe veten time që të kemi frikë Zotin, sepse ajo është sekreti i një jete të kënaqur dhe themeli i një jete të lumtur. Nëpërmjet frikës ndaj Zotit arrihet mëshira, zbresin bekimet dhe vinë të mirat. Zoti i botëve ka thënë: “Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe Toka…” (El-A’raf 96)
O muslimanë! Nga bekimet më të mëdha të Zotit mbi robërit e Tij është se Ai u jep atyre atdhe në të cilin ndihen të sigurt dhe vende në të cilat gëzojnë jetën. Atdheu, vendi është bekim i madh dhe dhuratë e paçmuar. Dashuria për të është thellësisht e rrënjosur në natyrën njerëzore dhe e gjithë kjo është deklaruar qartë në Kuran dhe në sunet. Zoti i Plotëfuqishëm e ka lidhur dashurinë për veten me dashurinë për atdheun dhe ka lidhur, krahasuar, largimin nga vendi me humbjen e trupit të dikujt. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Ata thanë: “E përse të mos luftojmë në rrugën e Allahut, ne që jemi dëbuar nga atdheu ynë dhe jemi ndarë nga fëmijët tanë?!”(El-Bekare 246)
Sikurse Zoti në Kuran ka bashkuar në mes fesë dhe atdheut dhe ka thënë: “ Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja.” (El-Mumtehane 8)
O adhurues të Zotit! Dijeni se në historinë e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka peisazhet më të bukura dhe me sublime të dashurisë për atdheun. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kur u detyrua të largohej nga atdheu i tij, ai qëndroi në Hazura, ndërsa ishte mbi kafshën e tij të udhëtimi, i drejtohet Mekes, duke thënë: “ Pasha Zotin, ti je toka më e mirë e Zotit, toka më e dashur e Zotit për Zotin, nëse nuk do të isha dëbuar prej teje, nuk do të kisha ikur kurrë.” Hadithin e ka transmetuar Ibn Maxhe. Zoti i Plotëfuqishëm i ka premtuar të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, se do ta kthejë atë përsëri në të, në Meke, me fjalën e Tij: “ Me të vërtetë, Ai që ta ka urdhëruar ty (Muhamed) Kuranin, do të të kthejë në vendin e caktuar (në Mekë).” (El-Kasas 85) Ibn Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, ka thënë: “ Do të thotë; për në Meke.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu.
O adhurues të Zotit! Kështu, dihet se dashuria për atdheun është instikt, ndjenjë, e rrënjosur thellë në shpirt, që e bën njeriun të ndihet rehat duke qëndruar në të dhe ta dëshirojë atë, përmallohet për të, nëse është larg tij.
O ju besimtarë! Nga provat ligjore të dashurisë për atdheun është se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kur u vendos në Medine, i kërkoi Zotit që t’i jepte dashurinë për të. Dashuria e tij për Meken është natyrshmëri, e lindur, sepse është atdheu i tij. Sa i përket dashurisë për Medinen, ajo është dhuratë dhe bekim. Tek Buhariu dhe Muslimi, transmetohet nga Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të, se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ O Zot, na bëj ta duam Medinen aq sa e duam Meken, ose dhe më shumë.” I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i është lutur Zotit për bekim në të dhe për furnizim të jetes në të, në Medine, ashtu siç u lut Ibrahimi, paqja e Zotit qoftë mbi të, për Mekën. Zoti i është përgjigjur lutjes së tij. Sa herë që i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, largohej nga Medina për ndonjë betejë ose diçka të ngjashme, shpirti i tij lëvizte drejt saj, Medines. Enes Ibn Malik, Zoti qoftë i kënaqur me të, thotë: “ I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, sa herë kthehej nga ndonjë udhëtim, kur shikonte hyrjen e Medines, e bënte devenë e tij të ecte më shpejt, dhe nëse ishte kafshë e nxitonte atë, nga dashuria për të, për Medinen.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu.
Ibn Haxheri, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ Kjo tregon për vlerën e Medines, për legjitimitetin e dashurisë për atdheun dhe përmallimin për të.” Hafidh Dhehebiji, Zoti e mëshiroftë, duke renditur një grup gjërash të dashura për të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Ai e donte Aishen, e donte babain e saj, e donte Usamen, i donte dy nipërit e tij, i donte ëmbëlsirat dhe mjaltin, e donte malin e Uhudit dhe e donte atdheun e tij.”
I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i urdhëroi njerëzit të ktheheshin shpejt në vendet e tyre të origjinës kur të kenë përfunduar udhëtimin dhe nevojat e tyre. Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregon se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kur ndonjëri prej jush të ketë përfunduar nevojën e tij nga udhëtimi i tij, le të nxitojë të kthehet për tek familja e tij.” Muttefikun Alejhi.
O ju njerëz! Nëse dashuria për atdheun është diçka drejt së cilës shpirtrat dhe zemrat janë të prirura natyrshëm, atëherë aq më tepër nëse çështja lidhet me këtë atdhe të bekuar që Allahu i Plotëfuqishëm e zgjodhi si vend e zbritjes së shpalljes dhe Kuraniz, e nderoi atë me Shtëpinë e Tij të Shenjtë, Qaben. q Vend që ishte Kible, drejtim, për muslimanët, fanar i dijes dhe strehë për besimin. Zoti i dha nderin e vendosjes së tij në rrugën e drejtë të monoteizmit të Allahut, sinqeritetit në adhurimin ndaj Tij, unitetit të fjalës dhe bashkimit të radhëve. Allahu emëroi në të sundimtarë monoteistë, reformatorë, e veshi me rrobën e sigurisë dhe qetësisë, dhe i hapi dyert e furnizimit dhe bekimeve! A nuk e ke parë se Ibrahimi, paqja e Zotit qoftë mbi të, u lut që Meka të kishte furnizim dhe siguri të bollshme dhe ka thënë: “ Zoti Im, bëje këtë vend qytet të sigurt dhe furnizoji me prodhime banorët e tij…” (El-Bekare 126)
Adhurues të Zotit! Zoti na begatoftë me Kuranin dhe sunet, na bëftë dobi nga argumentat dhe urtësitë që ata përmbajnë.
Zotit i kërkoj falje për vete dhe ju, tek Ai kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirëplotë.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin. Lutjet dhe përshëndetjet për të dërguarin e Zotit, të dërguarin tonë, Muhamedin, për familjen e tij, shokët e tij dhe ata që e pasojnë atë.
Në vijim
O ju muslimanë! Për derisa dashuria për atdheun është çështje e lindur dhe legjitime, dhe edukatë, etiketë e respektuar në fenë tonë, Sheriati, legjislacini Islam, e ka rrethuar këtë dashuri me të drejta dhe detyra, me qëllim mbrojtjen e interesave të fesë dhe të kësaj bote.
E para dhe më e rëndësishmja nga këto të drejta është përkujtimi për rëndësinë e falënderimit të Zotit të Plotfuqishëm për bekimet e atdheut. Me falënderime ndaj Zotit shtohen dhe zgjasin bekimet e Tij. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “ (Kujtoje) kur Zoti juaj kumtoi: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia; por, nëse ju mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë.” (Ibrahim 7)
E dyta: Duke theksuar legjitimitetin e dashurisë për atdheun, përkatësisë ndaj tij dhe mbrojtjes së tij. Veçanërisht për këtë vend të bekuar, sepse është Kibla e muslimanëve dhe destinacioni i zemrave të tyre. Mbrojtja e tij është mbrojtje e fesë dhe e shenjtërive të saj, siguria e tij është siguri për muslimanët dhe stabiliteti i tij është stabilitet për të gjithë njerëzit mbarë. Zoti i Plotfuqishëm thotë: “ Allahu e ka bërë Shtëpinë e Shenjtë të Qabesë, muajin e shenjtë, kurbanin dhe shenjat e tyre, vlera të përhershme për njerëzimin…” (El-Ma’ide 97)
Së treti: Vendosja e konceptit të dëgjimit dhe bindjes ndaj udhëheqësve tanë dhe respektimi i bashkësisë. Zoti i Plotfuqishëm thotë: “ O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja.” (En-Nisa’ 59) Është vërtetuar, theksuar nga njerëzit e sunetit, dhe është njohur si domosdoshmëri nga feja Islame, se nuk ka fe pa bashkësi dhe nuk ka bashkësi pa imam, udhëheqës, dhe se nuk ka asnjë imamet, udhëheqës, pa dëgjim dhe bindje ndaj tij. Nga Ubadah Ibn Es Samit, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se ka thënë: “ I premtuam besnikëri të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, për ta dëgjuar dhe për t’iu bindur në lehtësi dhe në vështirësi, në kohë të qeta dhe të vështira, dhe për të mos debatuar për çështje me njerëzit e tij.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu.
Së katërti: Rekomandimi, këshilla për të mbajtur shoqëri me dijetarët e afirmiuar, me themele besimi. Shoqërimi me ta dhe ndriçimi nga mendimet e tyre është saktësi e mendimit, arritje e interesave, largim i korrupsionit dhe hedhje poshtë e dyshimeve të shpifësve dhe gënjeshtrave të keqdashësve. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “Por, në qoftë se këtë lajm do t’ia përcillnin (për shqyrtim) të Dërguarit dhe parisë, hulumtuesit do ta merrnin vesh prej tyre (se çfarë lajmi duhet përhapur e çfarë jo).” (En-Nisa’ 83)
O ju muslimanë! Nga fatkeqësitë më të mëdha dhe më serioze është humbja e dijetarëve aktivë dhe njohës të saktë të Sheriatit, legjislacionit Islam. Umeti Islam është goditur me vdekjen e njërit prej dijetarëve të tij të shquar dhe njërit prej ikonave të tij të besimit, thirrësi në rrugë të Allahu të Plotëfuqishëm me dije dhe mprehtësi, urtësi, luftëtar në rrugën e së vërtetës dhe udhëzimit. Ai është myftiu i madh i mbretërisë dhe kryetari i Këshillit të Lartë të Dijetarëve, shkëlqesia e tij Shejh Abdul Aziz Bin Abdullah Ali Sheih, i cili e kaloi jetën e tij në shërbim fesë, dijes dhe kombit. Humbja e tij është pikëllim i madh dhe humbje e rëndë për umetin Islam. Allahu e mëshiroftë, i dhuroftë një vend të gjerë në Xhenet, e vendostë atë në mesin e njerëzve të mirë, me profetët, të sinqertët, dëshmorët dhe të drejtët. Çfarë shoqërie e shkëlqyer që janë ata! Zoti e shpërbleftë për atë që i ofroi Islamit dhe muslimanëve me shpërblimin më të mirë dhe Allahu i kompensoftë muslimanët për humbjen e tij me diçka më të mirë.
Ajo që e lehtëson ndikimin e kësaj fatkeqësie dhe hidhërimin e këtij pikëllimi është se Allahu i Plotfuqishëm e ka fuqizuar këtë fe dhe e ka pajisur atë me dijetarë të sinqertë dhe juristë të mprehtë. Veçanërisht dijetarët e këtij vendi të bekuar, të cilët bartin mesazhin e Islamit dhe thërrasin në fenë e Zotitme dije dhe mendjemprehtësi. Zoti i bekoftë jetët e tyre, udhëzoftë hapat e tyre në rrugën e së vërtetës dhe u dhuroftë të gjithëve durim dhe shpërblim, ndërsa të ndjerin Allahu e mëshiroftë.
O ju njerëz! E pesta nga të drejtat dhe detyrat është: Forcimi i sigurisë intelektuale dhe ndërgjegjësimit shoqëror për mbrojtjen e njerëzve dhe mbajtjen e tyre larg nga besimet e korruptuara, nga idetë devijante dhe grupet ekstremiste që kërkojnë të përçajnë njerëzit, të ndajnë kombin, të korruptojnë të rinjtë dhe të dobësojnë forcën e shoqërisë.
O adhurues të Zotit! Dije se imuniteti intelektual i një shoqërie mund të arrihet vetëm duke u përqendruar në dituri dhe duke u armatosur me vetëdije, për të mbrojtur shpirtrat nga dyshimet dhe dëshirat, për të mbrojtur mendjet nga thashethemet dhe shpifjet dhe për të mbrojtur trupat nga murtajat, sëmundjet, dhe drogat. Kështu, njerëzit do të jenë një barrierë e fortë, e pa thyeshme, kundër kujtdo që përpiqet të destabilizojë kombin, sigurinë dhe stabilitetin e tij.
Së gjashti: Inkurajimi i respektimit të sistemit dhe ligjeve të kombit, ruajtja e tokës dhe burimeve të tij dhe kontributi aktiv në realizimin e vizionit dhe aspiratave të tij, secili në fushën dhe vendin e tij. Qytetaria e mirë nuk është thjesht çështje fjalësh që përsëriten dhe as slogane që ngrihen, përkundrazi, ajo është sinqeritet dhe besnikëri, vlera dhe parime, detyrë fetare dhe angazhim moral që e shtyn, motivon, njeriun të punojnë me zell, seriozitet, me të cilin ai arrin ngritjen, përparimin dhe prosperitetin e vendit të tij.
Adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin, jini ndërtuesit më të mirë të vendit tuaj dhe mbrojtësit më të fortë të fortesave të tij. Duke vepruar kështu, do të jeni të lumtur në jetën tuaj të kësaj bote, do të keni sukses në botën Tjetër, në Ahiret, dhe do të arrini kënaqësinë e Zotit tuaj.
Adhurues të Zotit! Lutuni dhe përshëndeteni udhërrëfyesin, lajmëtarin e mirë dhe pishtarin ndriçues, sikurse ju ka urdhëruar për këtë Zoti juaj, e Ai njeh çdo gjë me imtësi dhe është i Gjithëinformuari, dhe ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje të dërguarin tonë besnik, familjen e tij të mirë dhe të pastër, bashkëshortet e tij, nënat e besimtarëve. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër kalifët e udhëzuar drejt, me të gjithë shokët e profetit, me tabi’inët, me ata që i pasojnë në vepra të mira deri në Ditën e Gjykimit, dhe me ne së bashku me ta me Faljen, Bujarinë dhe Mirësinë Tënde, o më i Madhi Bujar.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë.
O Zot, bëje këtë vend të paqtë, të sigurt dhe të begatë, dhe të gjitha vendet e muslimanëve, o Zoti i botëve.
O Zot, të lutemi mbështete me të vërtetën udhëheqësin dhe kujdestarin të çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta, mbretin Selman, dhe zëvendësin e fronit të tij, princin Muhamed Ibn Selman. Jepu sukses atyre të dyve dhe mbështetësve të tyre në atë që është në përmirësim të vendit dhe popullit, lavdia dhe fuqizimi i Islamit dhe muslimanëve.
Ruaj për këtë vend dokrinën, besimin, sigurinë dhe paqen e tij, udhëheqësit dhe dijetarët e tij, njerëzit e sigurisë së tij dhe ushtarët e tij, bashkimin e fjalës së tij, stabilitetin dhe begatinë e tij, bëje atë të lartë, krenare dhe të nderuar deri në Ditën e Gjykimit.
O Zot, largo shqetësimet e atyre që janë të shqetësuar, largo të vështirat e atyre që janë në vështirësi, mundëso larjen e borxheve atyre që janë në borxhe, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve, mëshiro o Zot, të vdekurit tanë dhe të vdekurit e muslimanëve, me Mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, ndihmo vëllezërit tanë të shtypur në Palestinë. O Zot, shëro të sëmurët e tyre, shpëto të plagosurit e tyre, mundëso ushqim për të uriturit e tyre, ndalo gjakderdhjen e tyre dhe forco zemrat e tyre. O Zot, jepu atyre nga çdo shqetësim rrugëzgjidhje, në çdo vështirësi lehtësim dhe në çdo fateqësi shpëtim.
“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)
Afrim Smakaj