Hytbe e Qabes 18-07-1441 H 13-03-2020
Shejh Salih El Humejd Tema: Karuni dhe shembuj të tij
Falenderimi i takon Allahut. Falenderimi i takon Alahut i cili i ka obliguar vetes mëshirën e na ka shpërblyer ne me mirësi. Atij i përket lavdia dhe Atë falenderoj. Ai kënaqet edhe me punën e pakët prej nesh. Shumë prej gabimeve tona i anashkalon.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut i vetëm e i pashoq. Me këtë dëshmi prej një personi që beson se xhenetin do ta fitojë vetëm me mëshirën e Tij dhe se prej ndërshkimit do të shpëtojë vetëm me anmistinë dhe faljen e Tij.
Dëshmoj se i nderuari ynë profeti Muhamed është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij. Model për vepërmirët dhe mëshirë për tërë botën. Nderimi, shpëtimi dhe begatia e Allahut qoftë mbi të, mbi familjen e tij, mbi të gjithë shokët e tij, mbi tabi`inët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në ditën e gjykimit.
O njerëz u porosis ju dhe veten time të jemi të devotshëm ndaj Allahut. Kijeni frikë Allahun, Allahu ju mëshiroftë! Mirësia e tërë mirësia, lumturia e tërë lumturia gjendet në frikën ndaj Allahut dhe në përkushtimin për të bërë vepra të mira; të luftosh injorancën, të përhapësh diturinë, të ndihmosh nevojtarin, të bësh mirë e të ndryshosh të keqen. Dynjaja është krijuar për ju e ju jeni krijuar për Ahiretin (botën tjetër).
“Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit; kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet). Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese.” (Al Imran: 185).
O muslimanë, tregimet në Librin e Allahut të kënaqin e të ngushëllojnë. Gjithashtu ato me këshillat që përmbajnë godasin zemrat, me mësimet e tyre pastrojnë shpirtrat, me ngjarjet e tyre e përforcojnë më shumë besimin e në personazhet e tyre del në pah beteja mes të vërtetës e të kotës.
E kjo që do përmendim është një tregim me lajme të habitshme, e rrezikshme si çështje dhe i përsëritshëm si lloj.
Një tregim që fokusohet në një tematikë të caktuar, i drejtohet një grupi të caktuar, një mostër që përsëritet në të gjitha kohërat e në të gjitha rracat njerëzore.
Ky është tregimi për Karrunin dhe vijën Karruniste.
Një tregim që personifikon qëndrimet në lidhje me pasurinë, sprovën e saj dhe mënyrën se si duhet të sillesh në të.
Këtu do të paraqesim disa qëndresa që përmban ky tregim madhështor.
E para: Karruni është jë mostër e një lloji prej llojit njerëzor; mohues i mirësive të Allahut. Lloji i tij gjendet në çdo kohë e në çdo vend. Ai me veçoritë e me cilësitë e tij provokon, shantazhon, josh dhe bëhet shkak të devijonë shumë njerëz.
Karruni është shok i Faraonit dhe i Hamanit. Tre mostra që shfaqin panoramën e shëmtuar të llojeve të ndryshme të padrejtësisë e të keqes, të tiranisë e të kryeneçësisë.
Vëllezër, pasuria merr pushtet në shpirtin njerëzor në rast se nuk e mbron Allahu me mëshirën e Tij. Pushtet që e mbart atë në shtigje të humbjes dhe largësisë me Allahun. Shpirtrat njerëzorë nëse nuk e pikasin realitetin ku ndodhen dhe vendin ku do të shkojnë, e të kthjellohet në vetvete e ti kthehet urdhërit të Allahut, përndryshe do të përfundojë në shkatërrim prej neglizhencës ose prej teprimit.
Qëndresa e dytë: Në këtë vijë karruniste, përpara sprovës së pasurisë, të ardhurave, fitimeve dhe investimeve qëndrojnë dy grupime. Një grupim që merr qëndrimin e të marrit, e të shastisurit, humbëtirës, të dobët shpirtërisht e dritëshkurtër. Kjo i personifikon natyrat njerëzore edhe pse me ndryshime në botëkuptime, në synime, ëndrra, dëshira e në qëndrimet e tyre mbi mirësitë.
“Ata që lakmonin jetën e kësaj bote thanë: Ah! Sikur të na ishte dhënë edhe neve si Karunit! Vërtet që ai është njeri me fat.” (Kasas; 79).
Ndërsa grupimi tjetër, o robër të Allahut janë njerëzit e ditur, të besimit e të urtësisë. Ky grup qëndroi lart me besimin e tij duke i lidhur shpresat me Zotin e tij. Të sigurtë në shpërblimin e mirë, të qartë mbi vlerën që ka besimi. Kjo është një gradë e lartë të cilën nuk e arrijnë veçse durimtarët përballë epsheve, dëshirave e joshjeve. Prej mirësive të Allahut ndaj këtij populli është prezenca e dijetarëve të mirë të cilët udhëzojnë tek e mira e tek e vërteta. Njerëzit e dijes nuk i rrëmben dot ky lloj tufani. Ata janë të fortë me besimin e tyre dhe të paluhatshëm.
“Ndërsa njerëzit e dijshëm thoshin: Të mjerët ju! Shpërblimi i Allahut është më i mirë për atë që beson dhe bën vepra të mira. Ai do t’u jepet vetëm të duruarve”.(El-Kasas 80)
Qëndresa e tretë: Mos e harro pjesën tënde në këtë botë! Është jetesa në këtë botë me fe. Të jetojë njeriu jetë të ekuilibruar; pjesa që i takon nga kjo jetë të mos i humbasë dhe angazhimet me jetën të mos bëhen pengesë për fenë e tij. Qielli nuk zbret ar apo argjend.
“…andaj ecni nëpër viset e saj dhe ushqehuni me atë, që ju ka dhënë Ai. Si të ringjalleni, do të ktheheni tek Ai.” (Mulk; 15).
As murgëri prej së cilës humbet nevojat e kësaj jete e as materializëm që e sakaton njeriun e pastaj nuk pret vdekje, jetë apo ringjallje.
Një urtësi e Lukmanit thotë: Mos hy në dynja aq sa të dëmtosh ahiretin tënd e mos u largo prej saj aq sa të bëhesh barrë për njerëzit.
Qëndresa e katërt: Mos kërko ngatërresa në tokë! Xhemat i dashur, pasuria nëse nuk vihet në shërbim aty ku duhet shdërrohet në një prej shkatarëve më të mëdhenj të së keqes e marrëzive; fitim në mënyrë të ndaluar, ngrënie e të ndaluarës, agresion, padrejtësi, zullum ndaj njerëzve dhe refuzim i të vërtetës.
Në Hadith: “Dy ujqër të uritur që lëshohen mbi dele nuk dëmtojnë më shumë se sa dëmton mania e personit për të fituar sa më shumë pasuri e për të pasë pozitë sa më të lartë fetare.” Transmeton Ahmedi me zinxhir të saktë.
Fetarizmi i një të pasuri sikurse tregohet në dhënien e pasurisë duhet të jetë e tillë edhe në menaxhimin e psurisë, për të mos u përdorur në projekte shkatërrimtare në ekonomi e në moral.
Qëndresa e pestë: Vetëpëlqimi dhe neglizhenca. “Ai tha: Kjo më është dhënë vetëm prej diturisë sime”. (Kasas; 78). Mendjemadhi i pavëmendshëm çdo vepër ia dedikon zellit të tij, mendjes së tij, diturisë së tij, zgjuarsisë së tij, specializimeve të tij dhe përkjekjeve të tij.
Të dashurit e mi, nëse Allahu i dhuron robit të Tij diçka të veçantë, gradë apo pozitë le të mos ia dedikojë mundësisë dhe forcës së vet, diturisë apo eksperiencës së tij, fitimit apo përpjekjeve të tij por le të pranojë se ato janë prej mirësisë së Allahut, dhuratës, butësisë dhe mëshirës së Tij.
Qëndresa e gjashtë: Ai doli para popullit të vet me stolitë e tij. Paraqitje me kapadajllëk, arrogancë e me zbukurime të plota tërheqëse për shpirtrat e dobët. Zbukurime marramendëse në veshje, mjete udhëtimi, shërbyes, suite dhe parinë që shtangin shikimet dhe hutojnë mendjet e njerëzve.
“Ah! Sikur të na ishte dhënë edhe neve si Karunit!” (Kasas; 79).
Të dashurit e mi, është e habitëshme se si sprovohen disa njerëz të pasur me sprovën e demostrimit të pasurive të tyre para njerëzve, paraqitja e pasurive të tyre përpara njerëzve të vobekët duke parakaluar me mjetet e tyre luksoze dhe veshjet e tyre të shtrenjta përpara këmbëzbathurve me rrobe të arnuara duke ngritur pluhurin me makina në fytyrat e të ngratëve. Këta kryeneçë të kapardisur janë të zhytur në aromën e dehjes së tyre. Mirëpo ligjet e Allahut në sprovimin e njerëzve i thyejnë të gjitha këto për të qenë mësim për të gjithë:
“Ne bëmë që Karunin dhe shtëpinë e tij t’i gëlltiste toka” (Kasas; 81).
Kur zbret zemërimi i Allahut hesht zhurma e tiranisë, shteron frymëmarrja e saj dhe zhduket çdo pamje e saj. “Ne bëmë që Karunin dhe shtëpinë e tij t’i gëlltiste toka” (Kasas; 81). Toka u hap dhe e gëlltiti atë bashkë me thesaret e tij, shtëpinë e tij, depot e tij, çelësat e tij. Atë nuk e ndihmoi shpura e tij e as përfituesit prej tij. Këshu mbyllet kapitulli i kotësisë që lëviz e i zduken gjurmët pashpëtimtarë e ndihmës, e sa përfundim i keq!
Robër të Allahut, pasanikët në çdo kohë e në çdo vend jetojnë me një prej dy zemrave; me zemrën e Karrunit me tiraninë e tij, kapardisjen dhe humbëtinë e tij i cili praktikon padrejtësinë dhe mëkatet ose me zemrën e Sulejmanit a.s “Kjo është nga dhuntitë e Zotit tim, për të më provuar a jam mirënjohës apo mohues” (Neml; 40), e me zemrën e Dhulkarnejnit “Kjo është mëshirë nga Zoti im!” (Kehf; 98). Besim dhe pranim i mirësisë dhe dhuntisë së Allahut dhe vënien në shërbim të bindjes ndaj Tij.
Gjatë vështrimit të vijës Karruniste meditoni pak në standartin profetik: O Hakim kjo, pasuria është e gjelbër dhe e ëmbël. Kush e merr atë me shpirt fisnik do ti jepet begati në të. E kush e merr me shpirt lakmitar nuk do ti jepet begati në të e do të jetë si një person që ha po nuk ngopet. Dora që rri lart është më e mirë se dora që rri poshtë. Hadith i përcjellë në Dy Sahihet.
“Sa për atë që jep (për hir të Allahut), ka frikë (nga Ai) dhe dëshmon për vërtetësinë e më të bukurës (besimit), Ne do t’ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit. Kurse atij që është koprrac, ndihet i vetëmjaftueshëm, dhe e quan gënjeshtër më të bukurën (besimin), Ne do t’ia lehtësojmë rrugën drejt dënimit, e, kur të hidhet (në Zjarr), pasuria e tij nuk do t’i bëjë dobi.” (Lejl; 5-11).
Allahu e na mundësoftë të kemi dobi Kurani madhështor e me udhëzimin e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem). Thashë këtë që dëgjuat dhe i kërkoj falje
Allahut për veten, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah. Kërkojini falje dhe pendohuni se ai është Falës e Mëshirues.
Hutbeja e dytë
Falenderimi i takon Allahut. Falenderimi i takon Allahut prej Tij kërkohet shpërblimi dhe ndërshkimi i Tij është i frikshëm. Atë e falenderoj e Atij i jam mirënjohës.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut i vetëm e i pashoq. Nuk ka të njëjtë me të e as të ngjashëm.
Dëshmoj se zotëria ynë profeti Muhamed është rob i Allahut dhe i dërguar i Tij i cili i ka ftuar njerëzit në teuhid (monoteizëm). Lavdet, shpëtimi dhe begatia e Allahut qoftë mbi të, mbi shokët e tij mbi pasardhësit e tyre e mbi të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tyre me përpikmëri.
O muslimanë, civilizimi i sotëm ka institucione dhe organizma të mëdha të cilat menaxhojnë arrogancën materialiste, ndërtojnë makineritë e shantazhit ekonomik, prodhojnë fukarallëk, rendje rraskapitëse pas pasurisë dhe biznesmenëve. Kjo është ideologjia Karuniste e cila ripërtërihet në çdo kohë; grumbullim, fitim, shpenzim, kapardisje dhe neglizhencë.
Frikësojuni Allahut! Allahu ju mëshiroftë! Kuptojini porositë e revelatës, reflektoni prej mësimeve të jetës, kapitalit të historisë, shembujve të kohës më parë se të zgjohen neglizhentët e të plasen kokat për shkëmbinj. Këtë e arrijnë vetëm durimtarët. Pak janë ata që përmbahen përpara gjërave tërheqëse e joshëse të kësaj jete.
“Sa për shtëpinë e botës tjetër, Ne do ta caktojmë atë për ata që nuk kërkojnë as madhështi e as ngatërresa në Tokë. Përfundimi (i mirë) është për ata që ruhen nga të këqijat.” (Kasas; 83).
Dijeni! Allahu ju mëshiroftë se nuk ka gjë që e largon më shumë belanë se të dorëzuarit Allahut, nënshtrimi para Tij dhe shtimi i kërkimit të faljes dhe keni kujdes nga neglizhenca sepse zemra ngurtësohet e Allahu ka përmendur për keq njerëz që nuk i janë përulur Atij.
“Vetëm sikur të përuleshin kur u erdhi ndëshkimi Ynë! Por zemrat e tyre u bënë gur” (El Enam; 43).
Allahu ju ruajtë dhe ruajtë vendet tona e vendet e muslimanëve nga çdo e keqe! O Rob të Allahut, epidemitë dhe sëmundjet shfaqen e pastaj kalojnë, përhapen e pastaj larohen prandaj përgëzohuni dhe përgëzoni të tjerët, jini optimist e lidhuni me Zotin tuaj, merrini masat mbrojtëse, zbatoni udhëzimet dhe orientimet. Ai që e shton kthimin tek Zoti i tij me përmendje të shpeshtë të Tij, Allahu i vendos kthim me zemër e kështu pastaj kthimin me frikë e për ndihmë e drejton gjithmonë tek Allahu.
Allahu ju ruajtë bëjeni sa më shumë këtë lutje: Me emrin e Allahut mbrohem prej gjithëçkaje, emër ky me të cilin nuk mund të bëjë dëm asgjë në tokë e në qiell. Ai është Dëgjuesi i gjithëçkaje dhe i Gjithëdituri. Përsëriteni atë tre herë.
Kush e bën këtë nuk e godet bela e papritur derisa të agojë e kush e thotë në mëngjes nuk e godet bela e papritur deri në mbrëmje. E transmeton Ebu Daudi me zinxhir të saktë.
O Allah na mbro prej zgjebes, çmendurisë, lebrozës dhe prej çdo smundjeje të keqe. Allahu është më i madhi, Allahu është më i madhi. I kërkojmë mbrojtje Allahut prej asaj që frikësohemi dhe druhemi.
Allahu është Zoti ynë ne nuk adhurojmë pos Tij askënd tjetër. Strehimi Yt është i sigurtë, lavdia jotë është e madhe, të shenjtë janë emrat e Tu, nuk ka të adhuruar me meritë pos Teje.
O Allah ne kërkojmë mbrojtje tek Ti prej të keqes që mund të na ndodhë, e prej të keqes që na vjen nga çdo i keq që ti e zotëron si të duash!
O Allah na ruaj me syrin Tënd që kurrë nuk fle, e na streho me strehimin tënd që nuk cënohet kurrë dhe na ruaj me forcën Tënde të pathyeshme!
O Allah të lutemi të na ruash prej çdo belaje, e na bëj falenderues në shpëtim!
O Allah na mbro prej çdo gjëje të urryer e të keqe!
Ne jemi strehuar te Krenari i plotfuqishëm e i jemi mbështetur Sunduesit të gjithëpushtetshëm, të Gjallit që nuk vdes kurrë!
O Allah largoje prej nesh këtë epidemi dhe prej gjithë vendeve muslimane. Na mbro nga e keqja e kësaj sëmundjeje dhe mbroji të gjitha vendet e tjera prej saj. Na mbro nga e keqja e sëmundjes dhe nga belaja me butësinë e me forcën Tënde se Ti ke fuqi për çdo send!
O Allah ne të kërkojmë të na ruash vazhdimisht nga të gjitha sëmundjet e belatë.
O Allah na mbro nga çdo gjë që na godet, nga murtaja, epidemitë, nga çdo lloj belaje dhe nga vdekja e befasishme dhe nga ethet!
Allahu është më i madhi, Allahu është më i madh nga ajo që frikësohemi dhe druhemi.
Allahu është Zoti ynë ne nuk adhurojmë pos Tij askënd tjetër.
O Allah largoji prej nesh; ngritjen e çmimeve, epideminë, kamatën, imoralitetin, tërmetet, sprovat e vështira që po shfaqen e që nuk janë shfaqur akoma në vendin tonë e në të gjithë vendet e muslimanëve.
Salavatet, selamet dhe begatia qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen dhe mbi të gjithë shokët e tij.
Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!