Hytbe e Qabes 13-10 1441 H 05-06- 2020
Shejh Fejsal Xhemil Gazauij Tema: Kush është me Allahun do të ndihmohet
Falenderimi i takon Allahut që na dhuron mirësi e kënaqësi të shumta. Ai na e dha udhëzimin, na ushqen e na jep të pijmë. Ai na ka dhënë fitore të shumta. Mirësi të ndryshme na dhuron e na i rikthen ato herë pas here të bollshme e të dobishme. Allahun e falenderojmë që na ka mundësuar të jemi falenderues e kjo është një prej mirësive më të larta për ne dhe punë e mirë e regjistruar. Allahut i kërkojmë të na mbrojë prej devijimit e prej rrëshqitjes, prej gabimit e prej poshtërsive. Prej Tij shpresojmë sukses dhe mbarëvajtje, shpresojmw të na udhëzojë në ndjekjen e rrugës së besimtarëve, të na zgjojë prej gjumit të negizhencës, të na mbrojë prej rënies në pengesa.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut. Ai është Krijuesi i njeriut i cili nuk ka qenë më parë asgjë për tu përmendur. Ai e godet robin e tij me atë që ka qenë vendim i vulosur e i patjetërsueshëm. Ai e kalon njeriun nga gjendje e shëndetshme në gjendje sëmundjeje për ta vënë në provë. Ai i jep njeriut gjendje mirësie dhe fatkeqësie si mjekim e ilaç për zemrën. Personin e ka bërë shënjestër të shigjetave të fatkeqësive. E ka sprovuar nëpër fazat e ndryshme të jetës me shëndet e me sëmundje. Durimtari i kënaqur, përfundimin e ka të pëlqyeshëm e shpërblimi i tij do të jetë i madh. Allahu nëse dhuron mirësi me bujarinë e Tij ai e pason atë me tjetër e kur i provon robërit e Tij me fatkeqësi dije se garanton suksesin përmes saj.
Allahun e falenderoj për mirësitë e tij të shumta dhe për mbrojtjen nga sëmundjet ngjitëse.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i dërguar i Tij. Ai është më i nderuari i njerëzve nga i pari e deri tek i fundit. Vula e profetëve. I përzgjedhuri prej krijesave. I Privilegjuari me përzgjedhjen e Allahut. Nderimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mi të, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ecin në rrugën e tij.
O Musliman po të hedhësh vështrimin mbi këtë botë do të shohësh se ajo i rrotullon banorët e saj në gjendje të ndryshme; mes krenarisë e poshtërimit, lumturisë e mërzisë, rehatisë e lodhjes, pasurisë e varfërisë, shëndetit e sëmundjes, gëzime e hidhërime. Këto gjendje të ndryshme shërbejnë si sprova e si pastrim për njeriun.
Allahu thotë: “Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.” (Enbija; 35).
“Ne i vumë në provë ata me mirësi dhe fatkeqësi, me qëllim që të ktheheshin (në rrugë të drejtë).” (El Araf; 168).
Mirësitë e përmendura këtu janë mirësitë e bollëkut e të pasurisë, shëndeti dhe krenaria, fitorja mbi armiqtë e të ngjashme me to.
Ndërsa fatkeqësitë këtu janë fatkeqësitë e ndryshme si sëmundjet, mundimi i armiqve, tërmetet, erërat e forta, tufanet, ujërat e rrëmyeshëm e shkatërrues e të tjera të ngjashme me to.
Allahu i Madhërishëm thotë: “Shkatërrimi në tokë dhe në det është shfaqur si pasojë e punëve të këqija të njerëzve, kështu që (Allahu) do t’i bëjë “të shijojnë” pjesë nga ajo që kanë punuar, me qëllim që ata të kthehen (në përmirësim).” (Err Rrum; 41).
Këto ajete tregojnë se Allahu ka përcaktuar mirësi dhe fatkeqësi, bela dhe vështirësi si mungesë prodhimesh në drithëra e thatsirë, largim të mirësive dhe bereqet të pakët me qëllim që njerëzit të kthehen tek e vërteta, të nxitojnë të pendohen ndaj gjërave që Allahu ua ka bërë të ndaluara, e të nxitojnë në bindje ndaj Tij e të nxitojnë të kryejnë ato vepra që u janë bërë detyrë.
O rob të Allahut, Allahu me urtësinë e Tij e ka bërë të pamundur qëndrimin e një gjendjeje të përherëshme e të pandryshueshme. Allahu thotë: “Atij i lutet gjithkush që ndodhet në qiej dhe në Tokë e në çdo kohë Ai ushtron fuqinë e gjithëmbarshme.” (Er Rrahman; 29). Kushdo që ndodhet në qiej e në tokë i drejtohet atij me lutje duke shfaqur nevojën për furnizimin dhe mirësinë e Tij, mbulimin dhe mbrojtjen e Tij. Allahu i madhërishën në çdo kohë është në pozitë madhështore dhe çështje të lartë ku inicion ngjarje të panumërta në këtë egzistencë. Atij nuk i sjell pengesë asgjë prej tyre. Kuptimin e këtij ajeti na e qartëson hadithi i saktë ku i dërguari i Allahut a.s.a thotë: “ Allahu fal gjynahe, largon brengat, ngre lart disa njerëz e ul poshtë disa të tjerë.” Transmeton Ibn Maxheh.
Allahu i Lartësuar në çdo ditë të ditëve të kësaj bote merret me çështjet e robërve të Tij; fal gjynah, largon ankth, largon brengë, forcon fatkeqin, i jep pasuri të varfërit, mëson të paditurin, udhëzon të humburin, orienton të çoroditurin, ndihmon të vobektin, i zgjidh hallin të përvuajturit, ushqen të uriturin, vesh të zhveshurin, shëron të sëmurin, shpëton të sprovuarin, pranon të penduarin, shpërblen vepërmirin, ndihmon të shtypurin, thyen tiranin, mbulon shkarjet, mbulon të metat, largon frikën, ngre lart disa njerëz e ul poshtë disa të tjerë.
Transmetohet prej Aliut r.a se ai gjatë një fjalimi mbi kujdesin ndaj mashtrimit pas jetës së kësaj bote e cila nuk ka vazhdimësi të një gjendjeje ka thënë: Të mos ju mashtrojë jeta e kësaj bote sepse ajo është vendbanim i rrethuar me belatë, e njohur për shterimin e saj të shpejtë, për pabesinë e saj të shpeshtë dhe çdo gjë në të është drejt zhdukjes. Ajo në duart e njerëzve të saj rrotullohet e shkëmbehet. Situatat në të janë të paqëndrueshme. Banorët në të nuk mund të shpëtojnë prej të keqes së saj. Banorët e saj ndërkohë që janë në mirësi e lumturi menjëherë mund të kalojnë në hidhërim e fatkeqësi. Situata kontraverse, gjendje të ndryshme. Jeta në të është plot ankesa, mirësia nuk zgjat. Banorët e saj janë shënjestra të radhës. Ajo i godet me shigjetat e saj dhe i copton me varetë e saj. Ajo do ti japë fund të gjithëve. Të gjithë do ta marrin atë që i takon prej saj.
Vëllezër të Islamit! E tërë çështja e besimtarit për të është mirësi. I Dërguari i Allahut a.s.a ka thënë: Habi me besimtarin!? E tërë çështja e tij për të është mirësi. E kjo nuk është për askënd tjetër veç besimtarit. Kur i vijnë begati falenderon e kjo është mirësi për të e kur e godet vështirësia bën durim e kjo është mirësi për të. Transmeton Muslimi.
Shpirti i besimtarit falenderon kur është në mirësi e nuk e mashtron bollëku që të plogështohet e të degradojë dhe duron fatkeqësi, forcohet dhe përmbahet në kohë vështirësie e sprove. Nuk ankohet e nuk mërzitet. Në të dy rastet i drejtohet Allahut që e krijoi. Beson plotësisht se ajo që e ka goditur prej përcaktimit të mirë apo të keq ndodh me lejen e Allahut që e ka përcaktuar.
Të shohim, qofshi në kujdesin e Allahut shembullin e Profetit a.s.a se si është sjellë ai me caktimin e Allahut dhe me situatat e ndryshme.
Prej këtyre situatave është ajo e mirësive, e bollëkut dhe gjendjes së mirë ku Allahu e strehoi duke mundësuar që të kujdesej për të gjyshi i tij Abdul Mutalibi. Pas vdekjes së tij bëri që të kujdesej për të xhaxhai Ebu Talib e ai u kujdes për të me dashuri. Ai jetoi në strehën, në kujdesin dhe në mbrojtjen e tij.
Hadixheh r.a u kujdes për të me veten e me pasurinë e saj. Allahu e ndihmoi atë me fitore, me besimtarët të cilët i dhanë përparësi dashurisë për të ndaj dashurisë për prindërit, fëmijëve dhe bashkëshortëve. Allahu i dhuroi ndjekës burra e gra prej muhaxhirëve të cilët e përkrahën e ndihmuan dhe e përforcuan. Ata kanë dhënë shembujt më të mrekullueshëm në sakrificë e vetëmohim. I Dërguari i Allahut a.s.a jetoi jetë të mirë. Zemra e tij ishte e lidhur me Allahun. Shijoi ëmbëlsinë e besimit të adhurimit e të lutjes. Ai ishte njeriu me jetë më të mirë, njeriu më i qetë, me zemër të fuqishme, më i gëzuar në shpirt se kushdo. Shkëlqimi i mirësisë mbulonte fytyrën e tij. Gjuha e tij nuk ndalej në përkujtimin e Zotit. Synimi i tij ishte të fitonte dashurinë dhe pëlqimin e Allahut. Recitonte kuranin me zë melodioz. I kënaqej syri në namaz. Prej kësaj bote i ishin bërë të dashur; parfumi dhe gratë. Kishte një mbajtëse përfumi e lyhej me të. Vishte atë që kishte. Zbukurohej për delegacionet. Mbante një xhybe të veçantë të cilën e vishte për dy bajramet dhe ditën e xhuma. I donte ëmbëlsirat dhe mjaltin. Nuk i ndalonte gjërat e mira. Nuk e privonte veten e tij ndaj atyre gjërave që Zoti i tij ia kishte lejuar. Hante atë që kishte zakon të hanin njerëzit e vendit të tij si mishin, frutat, bukën hurmat e të tjerë. Ai kërkonte ujë të ëmbël e ia sillnin. I pranonte dhuratat dhe shpërblente për to. I gëzonte njerëzit e i ngushëllonte. E kishte zakon të buzëqeshte. Bënte shaka me familjarët e tij për argëtim e afrimitet. Lozte me fëmijët me dashuri e më butësi. Bënte shaka me shokët e tij duke thënë gjithmonë të vërtetën. Ai dilte shëtitje në zonat përreth për qetësim të zemrës e për shplodhje. Ai dilte të shihte vërshimin e ujit të luginës që vinte prej lartësive. Kur i vinte ndonjë lajm i mirë gëzohej shumë e i ndriçohej fytyra si të ishte një pjesë e hënës. Kur i vinte ndonjë lajm i gëzueshëm binte në sexhde për Allahun. Nëse vinte ndonjë mirësi apo largohej ndonjë fatkeqësi binte në sexhde në shenjë falenderimi për Allahun.
Allahu e privilegjoi atë me mrekulli marramendëse. Ai i dhuroi atij gjëra të jashtëzakonëshme mbështetëse për të. Ai pati fitore të shumta në beteja, në ekspedita ushtarake suksese, në çlirime përgëzime e gëzime. Ai zuri robër shumë prej armiqve të tij nëpër luftra ku atë që dëshironte e lironte e të tjerë i shkëmbente. Zekati, plaçka e luftës dhe taksa që i mblidheshin i ndante.
Kjo e në këmbim të gjithë kësaj atij si zakonisht i ndodhën vështirësi e fatkeqësi, ngushti e dëme edhe pse ai është më i nderuari i njerëzve, më i përkryeri ndër ta, me pozitën më të lartë tek Allahu, megjithatë atij i ndodhën ngjarje të rënda e të mëdha, raste fort të vështira.
Ai u sprovua si jetim në vegjëli, humbi disa prej të afërmëve e njerëzve të veçantë të tij. Njerëz të afërm e armiqësuan dhe u sollën keq me të. Populli i tij e luftoi dhe e penguan shumë në thirrjen e tij. Atë bashkë me shokët e tij i persekutuan egërsisht, i detyruan të braktisin vendin e tyre e të linin pasuritë e tyre. Ata i shkaktuan atij lloj lloj mundimesh; e shanin, talleshin me të, e akuzuan në nderin e tij, e akuzuan për çmenduri, magji, fall e gënjeshtër. U përpoqën ta vrasin. U plagos në kokë. I hodhën mbi shpatulla të përbrendëshmet e devesë. U qëllua me gurë. Iu gjakos gishti e iu thyen dhëmbët. Ai ka fjetur edhe mbi hasër. Është izoluar në një luginë të shkretë. Iu ndalua të hynte në Mekë. Ai jetoi me vështirësi. Përjetoi uri, lidhte një gurë për barku, flinte i uritur dhe familja e tij s`kishin ç`të hanin për darkë. Kalonin muaj me rradhë e në shtëpinë e tij nuk ndizej zjarr. Shpesh herë nuk kishte ushqim tjetër veç hurmave të thata. Kalonte ditë i përvëluar prej urisë. Nuk gjente as hurmat krunde, (ato më të këqijat) të mbushte barkun. Qëllonte që ti sillnin hurma të thata ndonjëherë me krimba i pastronte. Ai merrte borxh kur kishte hall. Vdiq dhe mburojën e tij e kishte lënë peng tek një hebre. Ai sëmurej ndjente dhimbje të mëdha. Ai vuajti prej dhimbjeve të vdekjes. Shpallja iu ndërpre dy herë, qe e rëndë për të, u mërzit dhe ndjeu dhimbje. E kapluan probleme edhe në shtëpinë e tij me familjen e tij. Megjithatë ai në tërë këto gjendje që përmendëm ka qëndruar i durueshëm, priste shpërblimin e Allahut, nuk trazohej, nuk dobësohej, nuk hakmerrej për veten e tij por falte e toleronte. Ai sillej butë
me njerëzit e i mëshironte ata. Lutej për popullin e tij për udhëzim e për falje edhe pse ata e kishin munduar së tepërmi dhe e kishin mohuar. Ai thoshte: O Allah udhëzoje popullin tim sepse ata nuk dinë! Ai ishte në lidhje të vazhdueshme me Zotin e tij. Në rrethanat më të rrezikshme e në pozicionet më të vështira nuk e humbte shpresën prej mëshirës së Allahut e nuk shfaqte pesimizëm në ndihmën e Tij. Provimet që i vinin prej Zotit të tij me vështirësi e fatkeqësi i priste me durim, me kthim tek Allahu, dhe shpresë në shpërblimin e Tij. Ai nuk zemërohej e nuk frikësohej por gjithmonë ishte optimist në gjendjet dhe çështjet e tij. Ai tregohej përgëzues dhe lehtësues. Edhe me këtë nuk shkëputej prej lutjeve për ndihmë drejtuar Zotit të tij. Lutej për shpëtim në vështirësi, kërkonte ndihmë në brenga dhe drejtohej tek Ai në kohë krizash. Rregullimin e çështjes së tij ia linte Allahut, tek Ai mbështetej me besim të plotë se Ajo që vjen prej Allahut është më e mirë për të. Prej gojës së tij fisnike dilni fjalë të pastra si nektari i kulluar të cilat shprehnin kënaqësinë ndaj Zotit të lartësuar, dëshirën për të arritur atë që është tek Ai, drejtimin për tek Ai, sigurinë e plotë në Të dhe mështetjen tek Ai. Për këtë ai thoshte; Ndoshta kjo gjë do të jetë diçka e mirë. Thoshte: Ai është Zoti im dhe nuk më lë të humb. Thoshte: O Allah jeta e vërtetë është jeta e botës tjetër. Ai kur shihte diçka që i pëlqente thoshte: Falenderimi i takon Allahut me mirësinë e të Cilit përbushen të mirat. Ai kur shihte diçka që nuk i pëlqente thoshte: Falënderimi i takon Allahut për çdo gjendje. Thoshte: Besimtari është shumë mirë në çdo rast. Kur takohej me armikun thoshte: O Allah Ti je përkrahësi im, Ti më ndihmon, me Ty lëviz, me Ty sulmoj e me Ty luftoj. Ai ia dedikonte Allahut mirësitë se Ai i jep dhe i dhuron ato. Ai falenderonte për to e nuk tregohej mosmirënjohës. Ai thoshte: Falenderimi i takon Allahut pandërprerë, pa masë e pa mohim e pa u treguar i panevojshëm. Falenderimi i takon Allahut që na mundësoi ushqim për të ngrënë, pije për të pirë, që na mundësoi veshje e ne nuk kishim, që na udhëzoi pas humbjes, që na ndriçoi pas verbërisë e që na ngriti më lartë se shumë prej krijesave të tjera. Gjithmonë duke ndjerë fjalën e Sunduesit të Gjithëdijshëm: “çdo të mirë e keni prej Allahut” (Nahl; 53). Gjuha e tij vazhdimisht shprehej kështu. Pas çdo namazi kur jepte selam, sikur shënohet në sahihun e Muslimit ai thoshte: Nuk ka hyjni tjetër veç Allahut e nuk adhurojmë tjetërkënd veç Tij mirësitë dhe vlerat janë të Tijat dhe Atij i përkasin lavdet më të bukura.
Pasi që Allahu e largoi brengën prej të Dërguarit të Tij dhe prej muslimanëve, i bëri ata triumfues pasi që i kishte premtuar fitore dhe zotërim ata hynë në Shtëpinë e Shenjtë të Allahut, ditën e çlirimit të Mekës të sigurtë e të nështruar ndaj Allahut. Mjekra e profetit a.s.a për pak sa nuk prekte shpinën e devesë që i kish hipur si shenjtë nënshtrimi ndaj Allahut Zotit të botëve dhe falenderim ndaj Tij për mirësinë e madhe.
Ai nuk po hynte kryelartë, mendjemadh e as me ngazëllim. Euforia e fitores nuk e kishte bërë të harronte falenderimin ndaj Zotit të tij bujar. Ai nuk e harroi mirësinë e Kujdestarit të tij, dhuruesit të mirësive. Ai nuk ndalej së përmenduri mirësinë e madhe të Allahut për këtë fitore të tij e të shokëve të tij pasi që ishin të dobët, për shtimin e tyre pasi që ishin pak, për pasurimin e tyre pasi qenë të varfër. Me këtë zbatonte fjalën e Allahut të lavdishëm:
“Dhe kujtohuni kur ishit pak në numër, ishit të dobët në tokë e kishit frikë se njerëzit (mosbesimtarët) do t’ju gllabëronin! Ai ju strehoi dhe ju forcoi me ndihmën e Tij e ju dha shumë të mira, që ju ta falënderoni.” (El Enfal 26)
Ndryshe gjendeshin idhujtarët të cilët kishin përgënjeshtruar të Dërguarin e Allahut a.s.a. Ata u sollën me armiqësi ndaj tij dhe nuk i morën parasysh faktet. Allahu i madhërishëm thotë:
“Sikur Ne t’i mëshironim ata dhe t’ua largonim fatkeqësitë, sërish ata do të endeshin të hutuar në humbjen dhe mosbesimin e tyre.” (Mu`minun; 75). Do të thotë po t`ia largonim gjendjen e vështirë që i kishte kapluar për shkak të thatësirës, mosprodhimit dhe fukarallëkut e t`ia largonim belanë ata përsëri do të ktheheshin në kotësi e në punët e mbrapshta për shkak se kjo gjë është bërë e natyrëshme për ta. Ata përsëri do të vazhdonin në kotësinë dhe tejkalimin e kufijve të pasigurtë e të çoroditur. Kështu është gjendja e tyre vazhdimisht. Allahu sqaron gjendjen e mohuesit i cili refuzon besimin me këmbëngulje dhe thotë:
“Kur njeriun e godet një e keqe, ai i lutet Zotit të vet, duke iu drejtuar me pendesë. E kur atij i vjen një e mirë prej Zotit, ai harron se për çfarë ishte duke u lutur më pare” (Zumer; 8).
Ky është realiteti i mohuesit. Ai i lutet Zotit të tij që e ka krijuar dhe i drejtohet Atij në kohë vështirësie e kur Ai ia largon të keqen, kur pas sëmundjes i jep shëndet, pas ngushtisë i jep bollëk e harron vështirësinë për të cilën i lutej Allahut t`ia largonte. Ai e harron Zotin e tij që i përgjërohej dhe i lutej me forcë që t`ia largonte të keqen. Kjo lloj gjendje e jobesimtarit është paraqitur edhe në vende të tjera të Librit të Allahut.
Allahu thotë: “E, kur njeriun e gjen e keqja, atëherë Na lutet shtrirë ose ulur, ose në këmbë. E, sapo Ne ia largojmë të keqen, vazhdon rrugën, thuajse nuk Na është lutur për fatkeqësinë që e ka goditur. Kështu, plëngprishësve (që shkelin kufijtë e Allahut) iu zbukurohet ajo që punojnë.” (Junus; 12). Kur Allahu ia largoi të keqen kthehet në gjendjen e tij të mëparëshme përpara se ta kaplonte vështirësia dhe harron vështirësinë dhe belanë ose hiqet sikur e harron dhe nuk e falenderon Zotin e tij i Cili ia largoi të keqen kur i kërkoi ndihmë.
Në përgjithësi o rob të Allahut Profeti a.s.a këtë jetë e ka jetuar me të mirat e me të këqijat e saj, me të ëmblat e me të hidhurat e saj, me gjerësinë e me ngushtinë e saj, me rehatitë e me vështirësitë e saj, me lumturinë e me mërzinë e saj, me gëzimet e me hidhërimet e saj, me siguri e me frikë në të. E në çdo gjendje ai ishte shembull i lartë dhe model i përkryer në pranimin e caktimit të Allahut, në falenderim për mirësitë, në durim ndaj fatkeqësive, në përkujtimin prej ajeteve të Allahut, në lartësimin e Allahut me falenderim, në sinqeritetin në lutje, në vërtetësinë e adhurimeve të tij dhe në turpin që kishte prej madhështisë së Allahut.
Me këtë e kuptojmë se sa shumë nevojë kemi ta njohim Profetin tonë a.s.a me qëllim që ta forcojmë dashurinë për të sepse nëse do ta duam do të ndjekim shembullin e tij, do të edukohemi me sjelljet dhe mësimet e tij. Me pasimin dhe me ecjen në rrugën e tij dallohen njerëzit e udhëzuar me ata të humburit.
Me këto fjalë i kërkoj falje Allahut madhështor për vete e për ju. Kërkojini falje Atij për çdo gjynah e për çdo gabim. Pendohuni tek Ai se Zoti im është Falësh dhe Mëshirëplotë.
Hutbeja e dytë
Falenderimi i takon Allahut ashtu sikurse e meriton madhështia e Tij ashtu sikurse dëshiron dhe e pëlqen Zoti ynë.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut i vetëm e i pashoq. Ai i sprovon besimtarët me bela me qëllim që të fshijë gjynahet e tyre ose përp tia ngritur gradat ditën e gjykimit.
Dëshmoj se i nderuari ynë profeti Muhamed është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij. Ai është prijësi i falenderuesve dhe i durimtarëve. Ai do të mbartë flamurin e falenderimit ditën e gjykimit.
O rob të Allahut i sinqerti i vërtetë na ka lajmëruar e na përgëzon në një prej porosive të tij të njohura ndaj Ibn Abasit me fjalët e tij: “Dije se në durimim ndaj asaj që urren ka mirësi të shumta. Fitorja vjen me durim. Rrugëdalja pas fatkeqësisë. Me vështirësinë vjen lehtësimi.
Fjala e tij ‘Dije se në durimim ndaj asaj që urren ka mirësi të shumta.’ Durimi ndaj vështirësive të cilat njeriu i urren ka mirësi të shumta për robin. Ai është më i mirë për të sesa ankimi. Njeriu bën durim ndaj vendimit të Allahut sepse vetëm ai qëndron dhe vetëm tek ai kthehet.
Fjala e tij a.s.a ‘Fitorja vjen me durim’ tregon se durimi është çelësi i çdo të mire bashkë me qëllimin e pastër e të sinqertë për Allahun.
Unë pashë përgjatë ditëve dhe provova
Durimi përfundon dhe lë gjurmë të lëvdueshme
Kushdo që përpiqet të arrijë diçka
Atë patjetër e arrin nëse me vete ka durimin
Fjala e tij a.s.a ‘Rrugëdalja pas fatkeqësisë dhe me vështirësinë vjen lehtësimi.’ Tregon se mëshira e Allahut është afër robërve të Tij. Ai pas ngushtisë dhe vështirësisë jep çlirim. Kështu që robi nuk duhet të kalojë në pesimizëm çfarëdo që ta godasë. Çdo lehtësim vjen pas vështirësisë madje vështirësia është e rrethuar me dy lehtësime. Një lehtësim i mëparshëm dhe një lehtësim që vjen pas.
Allahu i madhërishëm thotë: “Me të vërtetë, pas vështirësisë – vjen lehtësimi! Me të vërtetë, pas vështirësisë – vjen lehtësimi!” (Inshirah; 5-6)
Prijësi i besimtarëve, Umer ibnul Khatab r.a i shkroi Ebu Ubejdes r.a ku thoshte: “Kur robit i zbret ndonjë vështirësi në një pozitë të vështirë atëherë Allahu pas saj i sjell rrugëdalje dhe vështirësia nuk dominon ndaj dy lehtësimeve.”
“O besimtarë! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin të jeni të tillë; bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni!” (Al Imran; 200)
Ibn Rexheb Allahu e mëshiroftë ka thënë: Prej gjërave të bukura në sekretin e shoqërimit të rrugëdaljes me fatkeqësi dhe lehtësimit me vështirësi është fakti që kur fatkeqësia rëndohet, stërmadhohet dhe bëhet gati e papërballueshme atëherë robi i heq shpresat se ajo mund të largohet nëpërmjet krijesave dhe në këtë moment e lidh zemrën e tij vetëm me Allahun. Kjo është edhe mbështetja reale tek Allahu që është edhe shkaku më i madh përmes të cilit kërkohet përmbushja e nevojave. Allahu i mjafton kujdo që mbështetet tek Ai. Allahu thotë: “Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai.” (Talak; 3) Këtu mbaron fjala e tij Allahu e mëshiroftë.
Muslimanë, në kohë krizash e vështirësish kërkohet prej njeriut të drejtohet tek Allahu. Në ngushti pritet zgjerimi, në dhimbje shfaqet shpresa, në fatkeqësi njeriu gjen rrugëdalje. Nëse Allahu do ta krijonte ngushtinë pa gjerësi, dhimbjen pa shpresë, fatkeqësinë pa rrugëdalje, mërzinë pa gëzim atëherë bota do të bëhej tepër e ngushtë për të gjithë ata që gjenden mbi të dhe askujt nuk do ti pëlqente jeta.
Për këtë poeti thotë;
Veten e mjekoj me shpresat që i pres me gadishmëri
Sa e ngushtë është jeta pa hapësirat e shpresës
Njeriun e lehtëson dhe e ngushëllon fakti që mirësitë dhe lehtësimet që kalon në këtë jetë janë shumë e më të shumta se ajo çka mund ti ndodhë ndonjëherë në këtë jetë prej ngushtive e fatkeqësive.
Abdul Uarith ibn Said shkoi të vizitojë një person të sëmurë. I tha: Si je? Ai tha: Nuk kam fjetur që prej dyzet netësh. Ai tha: O njeri i paske llogaritur ditët e sprovës!? Apo i llogarit kështu edhe ditë e rehatisë!?
O rob të Allahut ne kemi dëgjuar tregime kemi parë ngjarje të cilat na përforcojnë habinë në krijimin e Allahut mbi robërit e tij besimtarë, bamirësinë e tij, butësinë e Tij, mëshirën e Tij mbi ta dhe mirësinë e Tij mbi ta. Allahu i madhërishëm nuk i braktis miqtë e Tij, nuk i lë të humbin, nuk i lë vetëm ata ndërkohë që i drejtohen Atij, kërkojnë ndihmë prej Tij, i kërkojnë përkrahje Atij në kohë të vështirësive dhe sprovave.
Shembulli më i mirë e më i njohur për këtë është ajo që ka treguar Allahu për Junusin a.s kur u sprovua dhe e gëlltiti peshku. Aty ai ra në vështirësi e në ngushti madje në brengosje të madhe.
“dhe, po të mos ishte nga ata që i luten Allahut, me siguri do të mbetej në barkun e saj deri në Ditën e Ringjalljes” (Safat; 113,114)
Me lutjen e tij në këtë rast ka për qëllim fjalët:
“andaj thërriti nga errësira: S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar! Ne iu përgjigjëm atij dhe e shpëtuam nga brengosja. Kështu, Ne i shpëtojmë besimtarët.” (Enbija 87-88)
Kush është me Allahun në gëzime e në hidhërime, në ngushti e në bollëk, në publik e në fshehtësi do të përkrahet e do të ndihmohet e do arrijë fitoren i lumtur.
Ju mund të bëni krahasim mes gjendjes së Junusit a.s ndërkohë që i lutej Zotit të tij në momentet e vështirësisë me gjendjen e Faraonit që mbi të qofshin mallkimet e Allahut në prag të vdekjes pa shpresa në shpëtim e i sigurtë se po i vinte fundi, i cili tha: “(Faraoni) tha: “Besoj se s’ka zot tjetër përveç Atij që i besojnë bijtë e Izraelit; dhe unë jam ndër myslimanët.” (Junus; 90).
Dallimi është i qartë diferenca është e madhe. Junusi a.s kishte më parë vepra të mira i u lut Allahut dhe Ai e shpëtoi dhe iu përgjigj lutjes së tij. Ndërsa Faraoni nuk kishte vepra të mira nuk gjeti se ku të kapej në momentet e vështirësisë. Kështu që u refuzua, u kritikua dhe në mënyrë injoruese iu tha: “Vallë, tani (po beson)” (Junus; 91)
Mes atij që e njeh Zotin e tij në mirësi dhe atij që e harron ka dallim të madh. Junusi a.s kohën e mirësisë e kishte lutje dhe thirrje për tek Allahu. Ndërsa faraoni kohën e mirësisë e kaloi në padrejtësi, mohim dhe refuzim.
Gjërat e bukura të Allahut janë të vazhdueshme ndaj miqve dhe robërve të Tij të mirë në raste vështirësish e fatkeqësish. Ai ua largon fatkeqsitë ua përmirëson gjendjen përshkak se ata u sollën mirë me Allahun në kohë mirësie.
O rob të Allahut sado të sprovohet robi me fatkeqësi të kësaj bote që mund shpëtojë prej tyre pas njëfarë kohe apo të mbetet me to i duruar deri në vdekje duke shpresuar shpërblimin e Allahut. Ky lloj sprovimi konsiderohet i lehtë e i vogël. Mirëpo ai i cili sprovohet në fenë e tij duhet të dijmë se ajo është sprova dhe fatkeqësia e vërtetë. Prandaj i Dërguari i Allahut s.a.s lutej duke thënë: Na mbro prej fatkeqësisë në fenë tonë!
Ai i cili i pranon mirësitë e Allahut dhe e falenderon Atë me gjuhën e tij dhe me gjymtyrët e tij duke bërë vepra të mira duhet ta dijë se mirësia e suksesit për të qenë falenderues është më e madhe se mirësia e shpëtimit prej epidemisë. Ai i cili ia dedikon mirësinë vetes dhe përpjekjeve të tij dhe vazhdon në gabime e gjynahe fatkeqësia e tij është më e madhe se fatkeqësia e epidemisë apo e sëmundjeve të tjera.
Rob të Allahut, dërgoni salavate dhe selame mbi robin dhe të zgjedhurin e Allahut për të zbatuar urdhërin e të Madhërishmit i cili ka thënë: “Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! (surja Ahzab; 56)
O Allah mëshiroje Muhamedin, familjen e Muhamedit, pasardhësit dhe bashkëshortet e tij ashtu sikurse mëshirove familjen e Ibrahimit.
O Allah bekoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, pasardhësit dhe bashkëshortet e tij ashtu sikurse bekove familjen e Ibrahimit
Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.
O Allah forcoje islamin dhe muslimanët, poshtëroje mohimin dhe mohuesit, ndihmoji robërit e tu monoteistë shkatërroji armiqtë e fesë.
Bëje atë vend të sigurtë dhe të qetë me gjithë vendet e muslimanëve!
O Allah ruaje vendin e dy Xhamive të Shenjta dhe vendet e muslimanëve prej çdo të keqeje, trazire e belaje!
O Allah largoji prej nesh çmimet e larta, epideminë, kamatën, zinanë, tërmetet, sprovat, gjërat e dëmshme të dukshme e të padukshem largoi këto prej vendit tonë veçanërisht dhe prej të gjithë vendeve të muslimanëve!
O Allah na ruaj në vendet e në shtëpitë tona, përmirësoi prijësat dhe udhëheqësit tanë!
Udhëheqjen mbi ne mundësoja atij që të frikësohet Ty, që është i devotshëm e që mundohet të fitojë kënaqësinë tënde o Zot i botëve!
O Allah jepi sukses udhëheqësit tonë për atë që ti dëshiron e kënaqesh prej fjalëve e prej veprave o i Gjalli e Kujdestari!
Udhëzoje atë drejt bamirësisë e devotshmërisë!
O Allah na ruaj prej mundimit të fatkeqësive, prej rënies në hidhërim, prej fatit të keq dhe prej gëzimit të armiqve!
O Allah na ruaj nga largimi i mirësive të Tua, nga largimi i faljes Tënde, nga befasia e ndëshkimit Tënd dhe nga i gjithë zemërimi Yt!
O Allah na ruaj prej zgjebes, çmendurisë, lebrozës dhe prej çdo sëmundjeje të keqe!
O Allah na largo prej moraleve të ulta, dëshirave të gabuara, punëve të liga dhe sëmundjeve të këqija!
O Allah prej profetit Tënd na është përcjellë se Ti për robin Tënd besimtar përcakton çdo gjë të mirë. O Allah ne të kërkojmë shëndet, mirësi në rehati dhe falënderim për to!
O Allah na mbro në fenë e tonë e në jetën tonë, në fizikun e në nderet tona, në pasuritë e në familjet tona!
O Allah ne të kërkojmë falje, shpëtim dhe mbrojtje të përherëshme në fe, në këtë botë e në botën tjetër!
O Allah në vështirësi na bëj prej durimtarëve, të kënaqur me caktimin Tënd dhe në mirësi prej falenderuesve!
Falenderimi i takon Allahut. Zotit të botëve!