Sjellja në kohë Epidemie – Meka 10.04.2020

Hytbe e Qabes                    17-08-1441 H    10-04-2020

Shejh Fejsal Gazaui           Tema: Sjellja në kohë Epidemie.

Falenderimi i takon të Lartit, të Madhit, Madhështor, Imponues, i Lartmadhërishëm, i Gjithëpushtetshëm. Ai, në qënien e Tij është më i madh sa të mund ta përfshijë diçka apo të mund të tregohet forma e Tij. Ai në atributet e Tij është i lartë e i pastër prej mangësive e prej përngjasimit me diçka. Atë e falenderoj e i jam mirënjohës, e lavdëroj e i këkoj falje dhe dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të Vetëm e të Pashoq. Të gjitha krijesat i nështrohen madhështisë dhe lartmadhërisë së Tij. Të gjitha qëniet i janë nështruar krenarisë dhe forcës së Tij. Çdo gjë veç Tij është nën zotërim, e mvarur e që ka nevojë për Zotin. Ndërsa Ai është Zoti, Krijuesi, i Panevojshëm e i Lavdishëm.

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij, nderimet, paqja dhe begatia e Allahut qoftë mbi të, mbi familjen, shokët, bashkëshortet dhe ithtarët e tij deri në ditën e gjykimit.

O njerëz u porosis ju dhe veten time të jemi të devotshëm ndaj Allahut të lartësuar. Jini të devotshëm ndaj Tij me devotshmëri të vërtetë. Kijeni frikë Atë në dorë të të cilit është sundimi i gjithçkaje. Ai strehon kë të dojë e askush nuk mund të strehojë dikënd prej Tij. Kijeni Frikë Atë që ka ngritur qiejt siç i shihni pa shtylla dhe ka vendosur male të palëvizshme në Tokë, që ajo të mos tundet bashkë me ju e ka shpërndarë në të lloj lloj krijesash. Kijeni ndërmend mbikqyrjen e Allahut, veproni të bindur ndaj Tij për të arritur kënaqësinë e Tij që të fitoni e të shpëtoni.

O musliman Allahu i Pastër e i Lartmadhërishëm është i Larti e më i Larti. Ai është i lartë në qënien e Tij e në atributet e Tij. Atij i takon lartësia e mposhtjes dhe e mbizotërimit mbi gjithçka. Ai u lartësua mbi Fronin e Vet me një lartësim që i ka hije madhështisë së Tij. Froni i tij është mbi qiejt e Tij e Allahu është i ndarë prej krijesave të Tij dhe lart mbi të gjitha krijesat e Tij. Ai e di gjendjen e tyre, i dëgjon zërat e tyre, sheh çdo grimcë të tyre e asgjë prej krijesave nuk mund të jetë e fshehtë për Të. Allahu lëvduar qoftë i mban qiejt të mos bien mbi tokë vetëm me lejen e Tij. Ai i mban qiejt dhe tokën të mos zhduken. Ai është i Përherëshmi çdo gjë shkatërrohet përveç Tij. I pastër prej mangësive është Ai i Vetmi që meriton adhurimin dhe Pushtetin. Ai i vetëm menaxhon dhe përcakton gjithçka, askush nuk mund ta korrigjojë, s`ka ortak e as ndihmës. I  Lartë e pa të meta është Allahu i cili e ka bërë kaq të bukur këtë krijim dhe e ka sitemuar për mrekulli. Ai i vetëm është Krijuesi dhe Urdhëruesi i gjithçkaje. Atij i përket tërë madhështia dhe bukuria. Ai është më i Madhi e më Madhështori. Ai krijoi çdo krijesë, i dha ushqimin e i caktoi afatin e jetës në këtë botë. Asnjë krijesë nuk do të vdesë derisa të marrë të gjithë rrizkun e tij e të plotësojë afatin e caktuar të jetës. Asnjë krijesë nuk mund ta ndryshojë afatin e vet, nuk mund ta vonojë atë e nuk mund ta shpejtojë. Askush nuk mund të pengojë kurrë rrizkun e një krijese. Ai është Zoti i gjithë botëve. Ai i jep mirësitë të gjitha krijesave. Ai vepron çka të dojë dhe ka mundësi për çdo gjë. Ai është Shikuesi i Cili e shikon gjendjen e krijesës kur ka nevojë për diçka edhe nëse nuk e kërkon. Ai është Dëgjuesi i Cili dëgjon fjalët e krijesës kur kërkon. Furnizuesi i cili i jep kujt të dojë, në atë moment që dëshiron e në atë masë që dëshiron. Depot e Tij janë plot, nuk mbarojnë e nuk zhduken. Mirësitë e tij janë të panumërta e të pallogaritshme, ato nuk zhduken e nuk shterojnë. Këto gjallesa që ka krijuar Shpikësi që të gjitha hanë prej furnizimit të Tij. S’ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos i ketë mjetet e jetesës prej Tij. (Hud; 6).

Depot e Tij nuk pakësohen nga kjo aq sa nuk pakësohet uji i detit prej gjilpërës nëse futet në det. Ky univers i gjithi, me qiej e me tokë, atë që e shohim e atë që nuk e shohim, engjujt e tij dhe gjallesat, njerëzit dhe xhindët, kafshët dhe shpendët, që të gjitha janë krijesa e krijesat kanë posedues. Ky univers në egzistencë ka nevojë për Zotin e tij, ka nevojë për Të që të vazhdojë të egzistojë e nuk mund të tregohet i panevojshëm ndaj tij për asnjë çast. Krijesa nuk posedon mirësi ndaj një tjetre, nuk sjell dobi e as dëm, nuk zotëron vdekjen, jetën e as ringjalljen. Çdo gjë është në dorë të Allahut e çdo qënie tjetër ka nevojë për Të. “O njerëz! Ju jeni të varfër e nevojtarë për Allahun, kurse Allahu s’ka nevojë për asgjë dhe është i Denjë për çdo lavd.” (Fatir: 15). “Thuaj: Unë nuk mund t’i sjell vetes as dobi, as dëm, përveçse aq sa dëshiron Allahu. Sikur ta dija të padukshmen, do t’i shumoja të mirat dhe nuk do të më prekte asnjë e keqe. Unë jam vetëm paralajmërues dhe sjellës i lajmeve të mira për njerëzit që besojnë”. (El Araf; 188). Allahu, Zanafillësi ka krijuar krijesa aq shumë saqë nuk e di numrin e tyre askush veç Tij. Disa prej krijesave i ka dalluar ndaj të tjerëve si vende, kohë, persona apo gjendje. Disa krijesa të Tij i ka vënë kundër disa të tjerave për ti nënshtruar nëpërmjet tyre. Tek ai do të jetë kthimi dhe përfundimi. I Lartë është Ai i Cili i vetëm menaxhon çdo gjë. Ai e drejton gjithçka në botën qiellore e në atë tokësore. Ai menaxhon vdekjen dhe jetën, zbritjen e furnizimeve, rrotullimin e ditëve mes njerëzve, largimin e vështirësive, përgjigjen e lutjeve, masat e nevojshme zbresin prej Tij dhe tek Ai ngjiten. Të gjitha krijesat i nënshtrohen krenarisë së Tij, i përulen pushtetit, forcës dhe madhështisë së Tij e ato janë nën vullnetin, gjykimin dhe sundimin e Tij. Ai është i Butë me robërit e Tij. Ai i njeh mirë brenditë dhe fshehtësitë e kështu i çon robërve të Tij atë çka është në të mirën e tyre pa e kuptuar e pa e pritur. Njeriu i vënë ne vështirësi kthehet vetëm tek Ai. Në vështirësi nuk të shpëton vetëm se realizimi i teuhidit (monoteizmit) dhe kthimi i vërtetë tek Ai. Zoti i Lartmadhërishëm me urtësinë e Tij absolute e ka bërë jetën e kësaj bote vendbanim të sprovës e jo vendbanim të qetësisë e të amshimit. Ai e ka bërë dynjanë për krijesat e Tij të vështirë e të parehatshme me qëllim që ata të mos gjejnë strehim e të mos ndihen të sigurtë në të por të synojnë kënaqësinë e përherëshme në vendbanimin e bujarisë pranë Tij. Ai i çon drejt këtij vendbanimi me anë të belave dhe sprovave. I privon që tu japë, i sprovon që ti shpëtojë, i vdes që ti ringjallë. Fatkeqësitë lënduese dhe sprovat që hedh mbi robërit e Tij janë me përcaktimin e Tij e me urtësi absolute. Allahu i Lartësuar nuk krijon të keqe absolute në çdo aspekt por çdo gjë që Ai ka krijuar është në dobi të krijesave dhe në të ka urtësi.

Kjo epidemi që ka goditur njerëzit duke përfshirë qytete e fshatra edhe pse është sprovë, bela dhe kërcënim me të cilin Allahu i tërheq vërejtjen njerëzve, nga ana tjetër ajo është dhuratë sepse ajo dëshmon se Allahu është i Vetmi Krijues, Sundues e Menaxhues. Kjo tregon për gjerësinë e dijes së Tij, madhështinë, mundësinë dhe forcën e Tij dhe se frerët e çdo gjëje janë në dorën e Tij, se vetëm Ai e meriton adhurimin, se zotërimi mbi gjithçka i përket vetëm Atij, se njerëzit janë të dobët e të pamundshëm dhe nevojtarë për Të. Kjo sqaron edhe realitetin e jetës në këtë botë dhe rikujton mirësinë e shëndetit e të shpëtimit. Ajo shërben si zgjim për të përhumburit neglizhentë dhe këshillë për tërë botën.

Ibn Haxher (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Prej dobive të epidemive si murtaja është shkurtimi i shpresës, përmirësimi i veprës, zgjimi prej neglizhencës dhe pregatitja për udhëtimin.

O muslimanë, Allahu qorton robërit e Tij e i frikëson me shenja që ata të ndërgjegjësohen e të kthehen tek Ai. Allahu i madhërishëm thotë: “Ne dërgojmë shenja vetëm për t’i frikësuar njerëzit.” (EL Isra; 59).

A e ndiejmë varfërinë dhe nevojën tonë për Të!? A po kthehemi e ti mbështetemi Atij në të gjitha çështjet tona!?

Shejhul Islam ibn Tejmijeh ka thënë: Vështirësitë dhe lëndimet janë prej mirësive plotësuese të Allahut ndaj robit sepse ato e kthejnë njeriun në besimin e pastër. Kështu njerëzit i luten Atij me sinqeritet e vetëm Atij ia dedikojnë adhurimin, shpresojnë vetëm tek Ai e nuk shpresojnë askund tjetër veç Tij, zemrat e tyre lidhen vetëm me Të e jo me dikë tjetër. Njeriu me to arrin nivel të kënaqshëm në mbështetjen tek Allahun në kthimin tek Ai, në shijimin e ëmbëlsisë së besimit dhe distancimit prej shirkut (idhujtarisë) të cilat janë përfitime më të mëdha se largimi i sëmundjes, i frikës, i thatësirës e i vështirësisë.

Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Allahu sikur mos ti mjekonte robërit e tij me sprova e me bela ata do të tregoheshin të pabindshëm, arrogantë dhe rrebelë. Allahu kur i do të mirën një robi i jep të pijë prej ilaçit të belasë e të sprovës për ta pastruar me të prej sëmundjeve shkatëruese. Pasi e pastron, e pregatit për pozitë më fisnike e cila është robëria ndaj Tij dhe për shpërblim më të lartë që është shikimi i Allahut dhe qëndrimi pranë Tij.

O muslimanë kur vijnë qortimet, të mbulojnë vështirësitë e të rëndojnë fatkeqësitë njeriut i ndodh zgjim i habitshëm dhe ngritje madhështore. Pasi i bëhet e qartë se ai është larg Zotit të tij, se ka lënë pa plotësuar detyrimet ndaj Tij, se ka dëmtuar veten, se ka shumë nevojë për mëshirën e Zotit, atëherë ndjen mall për lumturinë pas së cilës nuk do të ketë më vuajtje. Ai kthehet në rrugën e duhur me zell të madh drejt Zotit të tij. Fillon të llogarisë frymëmarrjet dhe minutat që të mos i harxhojë në diçka tjetër veç adhurimit të Allahut.

I Lartë është Allahu i cili e zgjoi njerëzimin prej gjumit të thellë me këtë bela të madhe e cila ia prishi rehatinë njerëzve, ua ngeci në fyt shijen e jetës, e që shkaktoi zgjim dhe ngritje në shpirtrat e atyre që marrin mësim. Mirëpo ky zgjim duhet të shoqërohet me vetëdijësim, llogari ndaj vetes dhe pendim. I mençuri kur kujtohet zë mend, kur këshillohet vepron sipas saj dhe gjithmonë e ndjen mirsinë e Allahut. Ai i frikësohet qëndrimit para Allahut, e largon fatkeqësinë me devotshmëri ndaj Allahut, e përfiton mëshirën e Allahut të madhërishëm me bindje ndaj tij dhe zbatim të udhëzimit të Tij. Kështu neglizhenca mjekohet me zgjim. Allahut i lutemi të na mbrojë prej gjumit të neglizhencës, prej dehjes së verbërisë dhe prej devijimit të arrogancës.

Është për të ardhur keq, dhe habi e madhe që ngjarjet katastrofike, luftërat, epidemitë, vështirësitë sprovat e të tjera kalojnë te disa njerëz e ata nuk marrin mësim nuk ndërgjegjësohen, nuk i kthehen me lutje përgjëruese Zotit të tyre por tregohen neglizhentë e nuk e vrasin mendjen, vazhdojnë të jenë të pabindur larg rrugës së drejtë siç na tregon Allahu për popujt e ndryshëm nëpër shekuj që qenë përpara tyre.

“Eh, sa shumë shenja ka në qiej dhe në Tokë, pranë të cilave ata kalojnë pa ua vënë veshin!” (Jusuf; 105). “Ne iu kemi dërguar shumë popujve profetë para teje dhe i kemi dënuar ata me skamje dhe fatkeqësi, për t’u bërë të dëgjueshëm. Vetëm sikur të përuleshin kur u erdhi ndëshkimi Ynë! Por zemrat e tyre u bënë gur, ndërsa djalli ua paraqiste si të bukura veprat e tyre të këqija.” (EL En`am; 42,43). “Vallë, a nuk e shohin ata se çdo vit vihen në provë një ose dy herë e prapëseprapë as nuk pendohen, as nuk e mbledhin mendjen?!” (Et Teube; 126).

Sa shumë ngjarje tërheqin vërejtjen e sa i pakët është ndërgjegjësimi i njerëzve. Nëse njeriu nuk ndërgjegjësohet në kohë sprovash e vështirësish kur do të zërë mend? Nëse nuk kthehet tek Zoti e ti përgjërohet Atij në kohë tmerri e katastrofe atëherë kur mund të zgjohet e të kthehet!?

Roja te dera më njoftoi që ti je në gjumë

Por ç`e do se ti edhe kur zgjohesh je prapë në gjumë

Kush mediton në realitetin e njerëzve nxjerr mësime të shumta. I tillë është kujdesi i tyre i madh për tu mbrojtur nga sëmundjet fizike. Interesimi për të shpëtuar trupin, shëndetin dhe sigurinë. Kjo është diçka e natyrshme. Njerëzit për të nuk kritikohen. Udhëzimet fetare ftojnë në diçka të tillë dhe nxisin për to. Kjo është prej mësimeve të bukura të Islamit. Mirëpo nëse njeriu interesohet vetëm për to dhe anashkalon aspektin më të rëndësishëm; sëmundjet morale të cilat sulmojnë zemrat dhe shpirtërat dhe goditen me epidemi vrastare e me sëmundje të rënda të cilat njerëzit e goditur me to nuk i hetojnë. Ata nuk shqetësohen e nuk e vrasin mendjen e jo më të nxitojnë për ta mjekuar apo të kujdesen për ta ruajtur e për të qenë të shëndetshëm nga sëmundje të tilla.

Vëllezër të islamit, në kohë epidemish e vështirësish besimtari ndjen madhështinë e Krijuesit, mbështetet tek i Gjithëpushtetëshmi, Mëshirëplotë. Të gjithë zemrat janë në dorë të Njohësit të fshehtësive i cili është Absolut, i Pastër prej të metave. Kush i drejtohet vetëm Atij ka bërë gjënë e duhur ndërsa ai i cili drejtohet dikujt tjetri veç Tij le ta dijë se ka dështuar.

Në këto gjendje emergjencash është e rëndësishme që personi të marrë masat e mundëshme e të veprojë në përputhje me shkaqet e duhura mbrojtëse, të ketë parasysh rregullat mjekësore të përcaktuara për të ruajtur veten dhe të tjerët nga infektimi epidemik, dhe për tu kujdesur që kjo sëmundje të mos përhapet. Mirëpo këtë e përsos dhe i vë kurorën duke mos neglizhuar atë që kërkon rasti dhe detyrën e momentit që është vetëdijësimi. Për këtë është thënë fjala e urtë:

Nëse njeriu mendon, prej çdo gjëje ai mëson

Mundësia është të mendosh e të reflektosh, të bësh kujdes e të kthjellohesh e të vështrosh se çfarë veprash të mira ke pregatitur për ditën e kthimit, ditën kur do të paraqitesh para Zotit tënd.

Kjo gjendje është një mundësi për të rishikuar punët e rëndësishme, angazhimet, lidhjet, marredhëniet, përparësitë dhe për të përfituar nga koha e lirë.

Me këto fjalë i kërkoj falje Allahut për vete e për ju. Kërkojini falje dhe pendohuni tek Ai. Me të vërtetë Zoti im është Falës e Mëshirëplotë!

Hutbeja e dytë

LEXO  Vlera e Pasurisë - Meka 11.10.2019

Falenderimi i takon Allahut të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Kush mbështetet tek Ai nuk ka nevojë për dikënd tjetër, kush kërkon ndihmë prej Tij, Ai e mbron. Kush kërkon fitore prej Tij, Ai e i jep fitore dhe e shpëton.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, të Vetëm e të Pashoq. Dëshmoj se profeti ynë Muhamed është rob dhe i dërguar i Allahut, nderimet, shpëtimi dhe begatia e Allahut qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij deri në ditën e gjykimit.

O besimtarë, kjo që ka kapluar njerëzit sot, kjo pandemi e stuhishme duhet të shërbejë si nxitëse për tu treguar të mëshirshëm, solidarë dhe bamirës ndaj njëri-tjetrit. Besimtari mbart mirësi dhe mëshirë për njerëzit. Ai ndjen dhimbje për gjendjen e njerëzve dhe kujdeset për ta. Kjo sëmundje që ka prekur të tjerët që janë infektuar mund të zërë edhe atë që është i shëndeshëm. Besimtari shpreson që të

sëmurët të shërohen, të shpëtojnë e të fitojnë në këtë jetë e në jetën tjetër. Ai i lutet Zotit të largojë prej tyre këtë fatkeqësi e ti shpëtojë të sprovuarit. Ai i lutet Zotit që të largojë prej tyre e prej tij këtë bela.

O rob të Allahut, muslimani në këto situata nxiton të jetë sa më i dobishëm për njerëzit. Ai nuk lë asnjë përpjekje që mund ti sjellë mirësi njerëzve duke nxituar ti ofrojë çdo shërbim të dobishëm e të lejuar ndaj tyre. Këtë e përfshin thënia e profetit Muhamed (salallahu alejhi ue selem): Kushdo që mund të bëjë diçka të dobishme vëllait të tij le ta bëjë. Transmeton Muslimi.

“Më i miri i njerëzve është ai që i bën dobi më shumë njerëzve” çdo e mirë që i ofrohet njerëzve konsiderohet sadekah. Largimi i brengave, solidariteti social dhe gëzimi i njerëzve është prej adhurimeve më të mira e më të vlefshme. Le të angazhohemi e të bashkëpunojmë për to për të realizuar mirësinë duke shpresuar të fitojmë pjesën tonë të shpërblimit e të veprave të mira.

O rob të Allahut, Muslimani sikurse distancohet prej lajmeve të rreme e nuk bëhet vegël e përhapjes së shpifjeve në mesin e shoqërisë nga ana tjetër përpiqet të përhapë mirësinë mes njerëzve dhe frymën e optimizmit i cili sjell qetësi në shpirt dhe rehati në zemër, shplodhje dhe aktivizim. Ai kujdeset të ngrejë flamurin e përgëzimit me mirësi dhe të rrugëdaljes së afërt. Ai përpiqet të qetësojë njerëzit që i ka kapluar frika, mundohet ti pakësojë stresin e ti ngushëllojë në të tilla raste kur përhapet një atmosferë ankthi e pasigurie. Suporti psikologjik, ngritja e moralit dhe ndezja e ambicieve janë shumë të rëndësishme dhe ndihmojnë në mjekimin e sëmundjeve fizike e trupore.

Le të jetë motoja jonë: “Përgëzoni e mos trembni, lehtësoni e mos vështirësoni”.

O rob të Allahut, e ardhmja është e fshehtë ne nuk mund ta shohim atë kështu që çfarë na shtynë të jetojmë në gjendje frike e të trembur, në gjendje tmerri e pesimizmi. Pse të trembemi në atë se çfarë do të na ndodhë në ditët tona të ardhëshme, pse të na prishet rehatia, pse të na mbulojë stresi e mendimet, pse të jemi të frikësuar se çka na pret nesër, se çfarë rreziqesh e ngjarjesh do të ndodhin!? Ndërkohë që besimtarit i ka hije qëndresa, forca dhe bindja e sigurtë. Ai nuk duhet të tronditet çfardo që të ndodhë. Besimtari i vërtetë jeton në qetësi, stabilitet e siguri. Ai e di se vulleti i Allahut do të plotësohet, mundësitë e Tij janë absolute. Ai e di se çdo gjë që i ndodh është përcaktim prej Allahut. Ai e di se ajo që e ka goditur nuk mund të shpëtonte prej saj dhe prej fatkeqësive që ka shpëtuar kurrë nuk do të goditej. Ai e di se shpëtim prej Allahut ka vetëm tek Ai. Kështu që atij i duhet vetëm të bëjë durim, të mbështetet te i Gjalli, i Përjetëshmi që zotëron gjithçka e të marrë edhe shkaqet e ligjshme për të shpëtuar.

Nga ana tjetër duhet të bëjë shumë kujdes prej ankesave dhe kundërshtimit të situatave që janë me përcaktim e vendim të Allahut e nuk duhet të shprehë urrejtje ndaj tyre. Abdullah ibn Mes`ud ka thënë: Të mbaj në gojë një copë prushi me zjarr apo ta mbajë atë në dorë derisa të fiket është diçka më e pëlqyer për mua se të them për një gjë që e ka vendosur Allahu; ah sikur të mos ndodhte!

Personi në fatkeqësinë që e godet duhet ta ngushëllojë vetveten duke thënë: “Ti nuk e di se pas kësaj Allahu mund të sjellë ndonjë rrethanë tjetër.” (Talak: 1). Le të mendojë se pas një krize të tillë mund të vijë ndonjë mirësi që i ka munguar më parë. E kështu le të thotë: “Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju.” (El Bekare: 216). Ndërkohë që vazhdon të qëndrojë në shtëpi të kujdeset të bëjë atë që është e dobishme për të. Ta kalojë kohën me programe të dobishme të cilat i shtojnë njohuritë, i zgjerojnë kulturën, i shtojnë eksperiencë, e distancojnë prej boshllëkun vrastar, programe që

angazhojnë mendjen e tij duke mos e lënë të shëtisë aty ku nuk bën dobi si mendimet e tipit: Ajo që nuk ka ndodhur po të ndodhte si do të ishte!?

O rob të Allahut Ai i cili e zbriti këtë sëmundje me aftësinë e Tij, që lejoi epideminë të përhapej me vullnetin e Tij, vetëm Ai e ngren këtë fatkeqësi dhe e largon këtë vështirësi me mëshirën e Tij. Nxitoni për tek kështjella e fortifikuar, tek mburoja ruajtëse që është përmendja e Allahut dhe lutja, kërkimi i faljes, siguria e plotë në Të, mbështetja tek Ai, përgjërimi para Tij, paraqitja e përvuajtjes, e varfërisë, nevojës, poshtërimit dhe dobësisë. Mendoni mirë për Zotin tuaj dhe lidhini me Të zemrat, ëndrrat dhe shpresat tuaja. Lëreni në dorën e Tij çështjen tuaj. Kënaquni me atë që ka ndarë për ju. Kthehuni tek Ai. Kërkoni mbrojtje dhe ruajtje prej Tij. Kujdesuni të thoni vazhdimisht dhikrin dhe lutjet e përcaktuara. Nuk ka gjë më të dobishme në rast epidemie se kërkimi i faljes dhe lutja, durimi dhe kthimi i sinqertë tek Shpikësi i tokës e i qiellit.

O muslimanë kjo që po shohim këto ditë dhe sprova që po përjetojmë nuk është vështirësia dhe sprova e parë që po kalon njerëzimi. Por para saj kanë kaluar shumë sprova të rënda për të cilat dëshmon historia. Edhe kjo krizë do kalojë e do të mbarojë me lejen e Allahut sikurse kanë kaluar të tjerat para saj. Mirëpo nëse ajo mbaron dhe largohet në ç’gjendje do të jemi ne!? Fjalët që përmbajnë këshilla të vyera, porositë e qarta këshilluese të dhëna prej disa dijetarëve të hershëm të umetit për njerëzit e kohës së tyre vazhdojnë edhe sot të përhapin aromë të këndshme, ushqejnë shpirtrat tanë, prekin ndjenjat tona e duken sikur na thonë: O rob të Allahut, pendim, pendim, përpara se të na vijë rradha e vdekjes. Kthim, kthim përpara se të mbyllet porta e pranimit. Zgjim, zgjim përpara afrimit të kohës së mjerimit.

Kjo botë është si një pazar për tregti, si një kuvend këshillues e kritikues, si një natë vere ku agimi është afër, pushteti në të është si një re në verë, mundësia në të si mirazh zhgënjyes, shëndeti në të është si qëndrimi i mysafirit dhe mashtrimi me të është monedhë fallco.

Nxito, nxito se koha është shpatë. Keni kujdes, keni kujdes o rob të Allahut ta vështroni si mjaft të gjatë kohën e fatkeqësisë, e të mërziteni me lutjet e shumta sepse ju jeni sprovuar me këtë fatkeqësi për të kryer adhurim me durim e me lutje. Mos i humbni shpresat prej mëshirës së Allahut edhe nëse fatkeqësia zgjat. Të mos ishin fatkeqësitë do të shkonim në ditën e kijametit të falimentuar. Po të hiqeshin prej jush perdet e të panjohurës do të parapëlqenit fatkeqësitë sikurse ka thënë Profeti juaj (salallahu alejhi ue selem): Ditën e kijametit kur të shpërblehen njerëzit e sprovuar, njerëzit e pasprovuar do të dëshirojnë që lëkurat e tyre në këtë jetë të priteshin me gërshërë. Transmeton Tirmidhiu.

Kështu që priteni sa më mirë sprovën sepse ajo është kalimtare e Allahu është Zot Bujar.

Allahu u mëshiroftë dërgoni salavate dhe selame mbi Profetin i cili ishte gjithmonë i lidhur me Zotin e tij. Ai në vështirësi e në brenga falte namaz. Në brenga lutej me këto fjalë: “Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut të Madhërishmit, Dhuruesit. Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Zotit të Fronit madhështor! Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut, Zotit të shtatë qiejve, Zotit të tokës, Zotit të Fronit fisnik!”

Ndiqni shembullin e tij, veproni sipas porosive të tij, dhe përgjigjuni urdhërit të Allahut për të dërguar salavate dhe selame mbi të.

Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! (surja Ahzab; 56)

O Allah përmende lart Muhamedin, pasardhësit dhe bashkëshortet e tij ashtu sikurse ke përmendur lart familjen e Ibrahimit.

O Allah bekoje Muhamedin, pasardhësit dhe bashkëshortet e tij ashtu sikurse bekove familjen e Ibrahimit. Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.

O Allah forcoje islamin dhe muslimanët, poshtëroje mohimin dhe mohuesit. Ndihmoji robërit e Tu monoteistë, shkatërroi armiqtë e Tu armiqtë e fesë. Bëje këtë vend të qetë e të sigurtë edhe tërë vendet e muslimanëve!

O Allah mbroje vendin e Dy të Shenjtave dhe vendet e muslimanëve, nga çdo e keqe dhe e urryer!

O Allah largoji prej nesh çmimet e larta, epideminë, kamatën, imoralitetin, tërmetet, vështirësitë dhe sprovat e rënda të dukshme e të padukshme veçanërisht nga vendi ynë e prej të gjithë vendeve të muslimanëve!

O Allah na jep siguri në vatanet tona, na i rregullo prijësat dhe qeveritarët tanë.

Udhëheqjen mbi ne mundësoja atij që të frikësohet Ty, që është i devotshëm e që mundohet të fitojë kënaqësinë tënde o Zot i botëve.

O Allah jepi sukses udhëheqësit tonë për atë që ti dëshiron e kënaqesh prej fjalëve e prej veprave o i Gjalli e Kujdestari. Udhëzoje atë drejt bamirësisë e devotshmërisë.

O Allah ty të përket lavdia, tek Ty ankohemi, Ti je ndihmësi, prej Teje vjen ndihma, tek Ty mbështetemi, nuk ka ndryshim dhe forcë veçse prej Teje.

O Allah na ruaj prej mundimit të fatkeqësive, prej rënies në hidhërim, prej fatit të keq dhe prej gëzimit të armiqve!

O Allah na ruaj nga largimi i mirësive të Tua, nga largimi i faljes Tënde, nga befasia e ndëshkimit Tënd dhe nga i gjithë zemërimi Yt!

O Allah na ruaj prej zgjebes, çmendurisë, lebrozës dhe prej çdo sëmundjeje të keqe!

O Allah na largo prej moraleve të ulta, dëshirave të gabuara, punëve të liga dhe sëmundjeve të këqija!

O Allah, njerëzimi dhe tërë vendet janë në një lloj vështirësie të cilën Ti e di më së miri, ne për të vetëm tek Ti ankohemi. O Allah na shpëto prej kësaj situate, na jep lehtësim pas vështirësisë, pas stresit shpëtim, pas ngushtisë rrugëdalje!

O Allah na mundëso përfundim të mirë në gjithë çështjet tona, na mbro prej poshtërimit në këtë jetë e prej ndëshkimit në jetën tjetër!

O Allah zbrit mbi ne qetësi dhe rezistencë, na kthe për tek Ti me kthim të bukur!

O Allah ne kemi besuar andaj na fal e na mëshiro se ti je më i miri Mëshirues!

Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Teje i pastër je prej mangësive e ne jemi të padrejtë!

Zoti ynë ne i kemi bërë padrejtësi veteve tona, nëse Ti nuk na fal e nuk na mëshiron do të jemi prej të shkatërruarve!

O Allah na fal e na shpëto, na shpëto përgjithmonë në fe, në jetën e kësaj bote e në jetën tjetër!

O Allah na ruaj me syrin Tënd i cili nuk fle, na merr nën mbrojtjen Tënde të cilën askush nuk mund ta heqë, na mëshiro me meshiren Tënde, mos na shkatërro se Ti je siguria dhe shpresa jonë!

O Allah largo prej nesh çdo gjë të urryer, me Ty mbrohemi prej çdo të keqeje, o Allah largoje prej nesh këtë epidemi, na ruaj nga e keqja e sëmundjes, na shpëto prej fatkeqësisë me butësinë dhe aftësinë Tënde, Ti je i aftë për çdo gjë!

O Allah na ruaj prej çdo goditjeje dhe murtaje, prej epidemisë e prej të gjitha fatkeqësive!

O Allah largoje këtë fatkeqësi mbi këtë umet dhe zbrit mëshirën Tënde mbi njerëzit, mëshiroji ata dhe largoji brengat e tyre!

O Allah mos na shkatërro me gjynahet tona, e mos na merr në përgjegjësi për atë çka kanë bërë mendjelehtët tanë!

O Allah na shpëto trupat tanë, na ruaj dëgjimin tonë, na ruaj shikimin tonë, nuk ka të adhuruar me te drejtë veç Teje!

O Allah na i shëro të sëmurit tanë, na i shpëto të sprovuarit tanë, ndihmoji të dobëtit me mëshirën Tënde o më i Mëshirëshmi i mëshiruesve!

O Allah ashtu siç e ke zbritur këtë sëmundje me fuqinë Tënde largoje atë me mëshirën Tënde!

O Allah na mbro prej fatkeqësive, mjerimit, të urryerës, na ruaj ne dhe muslimanëve prej çdo fatkeqësie, epidemie e sprove!

Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

 

Post Author: endrit