Mësime nga emigrimi i Profetit SAW – Meka 21.8.2020

Hytbe e Qabes                            02-01-1442 H        21-8-2020

Shejh Bander Abdulaziz Balejleh     Tema: Mësime nga emigrimi i Profetit 

Falenderimi i takon Allahut. Falenderimi i takon Allahut, poseduesit të emrit më të nderuar e më të lartë, poseduesit të pushtetit madhështor e të pakrahasueshëm, i Cili është i pafund e pas tij nuk ka asgjë. Ai ka kapluar çdo gjë me mëshirë e për çdo gjë ka informacion të plotë. I pastër është ai prej çdo të mete. I adhuruar dhe Zot i lartë. Me mundësi të plota dhe gjykatës suprem. Besimtarëve u ka dhënë gjënë më të çmuar kur dërgoi mes tyre profetin më të mirë të arabëve e joarabëve. Ai është më i dëliri e më i afërmi i tyre. Më i larti në prejardhje e përkatësi. Më mendjendrituri dhe plot maturi. Më i larti në bindje e vendosmëri. Allahu e ka pastruar në shpirt e në trup e ka larguar prej tij të metat e shëmtitë. Ai dhuroi atij urtësi e pushtet. Me të çeli zemrat e kyçura, sytë e verbuar dhe veshët e shurdhër. Atë e besuan dhe e përkrahën ata të cilëve Allahu u ka bërë pjesë në arritjen e lumturisë. E përgënjeshtroi dhe i dolën kundër ata të cilëve Allahu u ka shkruar hidhërimin e pashmangshëm.

“Ai, që në këtë botë ka qenë i verbër, do të jetë i verbër edhe në botën tjetër” (El Isra; 72).

Salavatet e Allahut qofshin mbi të shumë e më shumë, mbi familjen dhe mbi shokët e tij.

Kijeni frikë Allahun o robër të Allahut “Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në saje të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu jua shpjegon shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë.” (AL IMRAN; 103)

O Besimtarë, urtësia dhe mëshira e Allahut ndaj krijesave ka bërë që Ai të kujdeset vazhdimisht për to duke dërguar dikënd që interesohet për ta, që i orienton çështjet e tyre, e që i drejton në të mirë të tyre, që i nxjerr prej kotësisë në udhëzim e që kujdeset për natyrshmërinë e tyre. Për këtë Ai ka dërguar tek ta profetë e të dërguar të cilët janë më të mirët e njerëzve, ajka e të Vërtetit, emisarët mes Allahut dhe krijesave të Tij, Ata u kumtojnë atyre shpalljet e Zotit, u mësojnë ajetet dhe kërkesat e Tij, Ata mes njerëzve janë më të moralshmit e me cilësi të larta për të qenë synim i përfituesve dhe model i imituesve. Në këtë rrugë kanë ecur të zgjedhur të shumtë e prej këtij burimi ka pirë një plejadë e kulluar. I fundit i tyre ka qenë flamuri i udhëzimit, zotëria i njerëzimit, vula e profetëve, mëshira e Allahut për të gjithë botët; Muhamedi i biri i Abdullah i biri i Abdulmutalib i biri i Hashim, profeti arabo kurejshito hashimij, pasardhës i Ibrahimit mikut të Allahut prej djalit të tij kurbanit Ismail. Salavatet,selamet dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të. Allahu me të mbylli regjistrin e shpalljes, me të plotësoi dritat e profecisë, atë e bëri derë të hapur për krijesat që të shkojnë drej xhenetit dhe orientues drejt mëshirës së Tij. Allahu pas profecisë së tij nuk pranon fe tjetër veç fesë së tij e nuk pëlqen vijë tjetër veç vijës së tij. Ai me popullin e tij janë të fundit në këtë botë e të parët në ditën e kijametit.

Shembulli i tij (salallahu alejhi ue selem) dhe shembulli i profetëve të tjerë para tij është si shembulli i një personi që ndërton një ndërtesë. Ai e ndërton mirë atë dhe e bën të bukur përveç vendit të një tulle në një prej cepeve të saj. Njerëzit nisin e vështrojnë të mahnitur me të dhe thonë: “Të ishte vendosur dhe kjo tulle”. Ai, bëfsha kurban nënë e babë për të, (salallahu alejhi ue selem) ka qenë kjo tullë e cila plotëson bukurinë e ndërtesës dhe që merr pozicionin e gurit të çmuar në kurorë e kështu ka qenë tulla më e mirë në ndërtesën më të bukur.

Shembulli i tij dhe shembulli i popullit të tij është si shembulli i një personi që ka ndezur një zjarr. Zjarri ndizet dhe ndriçon përreth. Insektet vijnë, bien dhe hidhen në të. Ai mundohet ti largojë prej zjarrit por ato e mundin dhe hidhen në të.

Zoti e dërgoi pasi i kishte mallkuar tërë banorët e tokës; arabë e joarabë përveç disa që kishin mbetur prej ithtarëve të librit. Aso kohe njerëzit në tokë ishin dy llojësh; ithtarë të librit që kishin këmbyer e ndryshuar dhe ithtarë të putave të cilët adhuronin atë që vetë e ndërtonin dhe e pëlqenin.

Njerëzimi aso kohe më së shumti kishte nevojë për dikënd që të largojë prej tij errësirat e degradimit e të kotësisë dhe të ripërtërijë dritat e udhëzimit dhe pishtarët e stabilitetit. Të ripërtërijë atë që është harruar të gjallërojë atë që është fikur e të ndriçojë në fytyrën e të vërtetës atë që është errësuar e vrenjtur. E vërteta i erdhi prej Zotit të tij ndërkohë që ai qëndronte në shpellën Hira. Xhibrili e zaptoi dhe e shtrëngoi fort aq sa spo e përballonte dot më dhe i tha: Lexo! Ai tha: Unë nuk di të lexoj. Pastaj Xhibrili tha:

“Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh, i Cili, me anë të penës ia mësoi, ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte.” (Alak; 1-5).

Zbritja e këtyre ajeteve ishte sinjal i nisjes së profecisë Muhamedane, shenjë e shpalljes qiellore përmbyllëse të të gjithë shpalljeve të mëparëshme që do ti nxirrte njerëzit prej errësirave në dritë. Allahu me të do të udhëzonte për në rrugët e paqes ata që ndjekin kënaqësinë e Tij. Allahu pastaj i zbriti atij ajet pas ajeti që përmbanin vërejtje e përgëzime. Ai i tërhoqi vërejtjen popullit të tij për njëfarë kohen në fshehtësi e pastaj Zoti i tij e urdhëroi ta publikojë haptasi thirrjen e tij për Allahun pa e vrarë mendjen se çdo të bëjnë idhujtarët. Idhujtarët e Mekës e munduan shumë. E përgënjeshtruan dhe i penguan njerëzit prej tij. Ata thanë se Muhamedi është një i mësuar prej dikujt e i çmendur. Ata thanë se është një poet të cilin po e përcjellim gjatë natës. Ata thanë se ky është magjistar i qartë. Ata thanë se i ka ëndrra të kota, e ka stisur, është poet, le të na sjellë një mrekulli ashtu sikundër i është dhënë profetëve të mëparshëm. I dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) pas tërë këtyre mundimeve vetëm se i forcohej qëndresa në të vërtetën ndërsa përgënjeshtruesit e shtonin inatin në të kotën me kundërshti, mendjemadhësi e distancim.

Mes tyre dhe të dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) ndodhën ngjarje të mëdha e megjithatë i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) toleronte dhe falte duke shpresuar që ata të besonin e ta pranonin profecinë e tij. Një ditë, bashkëshortja e tij e sinqerta bija e të sinqertit e pyeti duke i thënë: A ke pasë ditë më të vështirë se dita e Uhudit? Ai (salallahu alejhi ue selem) tha: Me popullin tënd jam përballur shumë. Por më e vështira e tyre ka qenë ajo e ditës së Akabes kur kërkova përkrahjen e Ibn Abdi Jalil Ibni Abdi Kulal por nuk pranoi atë që desha. Unë u largova shumë i brengosur. Erdha në vete vetëm kur arrita në Karrnuthealib. Ngrita kokën lart dhe pashë një re që më bënte hije. Hodha shikimin në të dhe pashë Xhibrilin i cili më thirri e tha: Allahu e ka dëgjuar përgjigjen e popullit tënd ndaj teje dhe mënyrën se si t`u përgjigjën. Ai ka dërguar melekun e maleve që ti ta urdhërosh me ç`të duash kundër tyre. Meleku i maleve më thirri, më dha selam e më tha: O Muhamed nëse dëshiron i plasim mbi ta të dy malet. I Dërguari (salallahu alejhi ue selem) tha: Jo se unë shpresoj që Allahu të nxjerrë prej tyre pasardhës që adhurojnë Allahun të vetëm pa i shoqëruar Atij askënd. Buhariu dhe Muslimi.

Uruetu ibnu Zubejr ka thënë: Unë pyeta Abdullah ibn Amr ibnul As e i thashë: Më trego për mundimin më të rëndë që idhujtarët i kanë shkaktuar profetit (salallahu alejhi ue selem)? Ai tha: Profeti një ditë po falej brenda Qabes. Erdhi Ukbetu ibn Ebi Muajti dhe e mbërtheu për fyti me rroben e tij dhe e shtrëngoi fort. Aty më pas erdhi Ebu Bekri e kapi për supesh dhe e largoi prej profetit (salallahu alejhi ue selem) dhe tha: A po vrisni një njeri që thotë Zoti im është Allahu!? Transmeton Buhariu.

Abdullah ibn Mes`udit r.a ka thënë: E kam përpara syve pamjen e të Dërguarit të Allahut që po tregonte për një profet prej profetëve të cilin e kishte rrahur populli i tij e ai duke fshirë gjakun prej fytyrës së tij thoshte: O Zoti im fale popullin tim se ata nuk dinë! Buhariu dhe Muslimi.

O besimtarë! Kur sprovat u shtrënguan ndaj palës së besimtarëve në Mekë Allahu i dha leje profetit të tij të emigronte për në Medine me qëllim që të ishte i mbrojtur prej sulmeve të kurejshëve. Aty thërriste për tek Allahu dhe ngrente fenë e Allahut, që kish pëlqyer për ta ndër banorët e Medines.

Profeti Muhamed (salallahu alejhi ue selem) dhe shokët e tij emigruan drej Medines grupe grupe dhe e bënë atë vatan të tyre.

Ky emigrim ishte një ndarës me Islamit dhe mohimit. Allahu me të ngriti lart islamin dhe mposhti mohimin duke i dhënë fund një periudhe të gjatë ndërshkimi dhe mundimi që hoqën muslimanët në Mekë. I erdhi koha shtetit islam e u mposht pushteti i mohimit. Fjala e Allahu u bë më e larta dhe fjala e mohimit më e ulta. Mes përkrahësve të islamit dhe mohuesve ndodhën beteja ku u përball e vërteta me të kotë. E kota u mund sepse e kota gjithmonë shkatërrohet. Jeta e muslimanë më pas u kurorëzua me shumë arritje e fitore si dita e Bedrit dhe e Ahzabit. Më parë ata qenë të dobët e të thyer por pastaj mohuesit u thyen të poshtëruar duke mos fituar asgjë.

Allahu i dha mundësinë profetit të tij të çlirojë Mekën vendi më i dashur për të plot krenari, i mbrojtur, me ndihmë, me përkrahës të shumtë e me përkujdesje. Ky çlirim madhështor i cili erdhi në atë formë saqë u harrua çdo lot i derdhur e çdo dhimbje mbi tokën e saj. Çlirimi i Mekës i gjeti të vrarë shumë prej krerëve të mohimit e shumë të tjerë pranuan thirrjen e profetit (salallahu alejhi ue selem) dhe ndoqën rrugën e besimtarëve.

Allahu ia plotësoi me të vërtetë premtimin profetit të Tij:

“Allahu e përmbushi me të vërtetë vizionin e të Dërguarit të Tij, i cili kishte thënë: “Me siguri, ju do të hyni në Xhaminë e Shenjtë, dashtë Allahu, të sigurt, kokërruar dhe flokëshkurtuar, pa kurrfarë frike.” Ai e dinte atë që nuk e dinit ju dhe, veç kësaj, ju dhuroi një fitore të afërt. Është Ai që e ka çuar të Dërguarin e Vet me Udhëzimin dhe fenë e vërtetë, për ta ngritur atë mbi të gjitha fetë. Allahu mjafton si dëshmitar!” (Fet`h; 27,28).

Allahu e bëftë të dobishëm për ne udhëzimin e Librit dhe traditën e Profetit i cili pendohej shumë tek Allahu. Me këto fjalë që thashë i kërkoj falje Allahut për vete e për ju për çdo gjynah, kështu që edhe ju kërkoni falje se Ai është falës i madh.

Hutbeja e dytë

LEXO  Përkujtimi i Zotit të Plotfuqishëm forcë dhe lumturi

Falenderimi i takon Allahut. Falenderimi i takon Allahut i cili e bëri emigrimin fitore për Islamin e humbje e shkatërrim për mohimin e përkrahësit e tij. Unë e falenderoj Atë për mirësitë e tij të njëpasnjëshme.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut i vetëm e i pashoq, zoti i tërë krijesave.

Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. Allahu e ka dërguar përpara mëshirës së tij si përgëzim dhe para ndërshkimit të Tij si qortues. Salavatet dhe selamet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij.

O muslimanë, ngjarja e hixhretit thërret me një zë të cilin e dëgjon njëjtë ai i cili gjendet larg si ai që gjendet afër se vështirësitë nuk janë të përherëshme, se të qenurit i përzgjedhur mbart me vete sprovën, se pozitat e nderit lidhen me gjëra që nuk pëlqehen, se merret mësim prej përfundimeve të suksesshme e jo prej nisjeve të mangëta, se njeriu duhet të bëjë shkaqet e Allahu i jep sukses përpjekjeve, se zgjidhja vjen me durim, fitorja me vuajtje, e me vështirësinë vjen lehtësimi.

Ai është një emigrim që nxjerr në pah se jeta e profetit të udhëzimit me të peshohen veprat, fjalët, situatat dhe se nuk ka mirësi në një udhëzim që kundërshton udhëzimin e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) dhe se fundi i këtij umeti nuk mund të ndreqet vetëm se me atë që u ndreq fillimi i tij, përballja me vështirësitë është rrugë e startimit dhe prej errësirës së dhimbjeve shpërthen drita e shpresave.

Një hixhret që tregon se emigrues i vërtetë është ai i cili distancohet prej gjërave që ka ndaluar Allahu dhe i dërguari i tij (salallahu alejhi ue selem), se emigrimi me trup ndërpritet ndërsa emigrimi me zemra drejt Allahut nuk këputet derisa shpirtrat të jenë në trupa.

Dërgoni salavate dhe selame mbi më të mirin e krijesave të Allahut, i përzgjedhuri për shpalljen hyjnore, emri i të cilit është ngritur lart bashkë me emrin e Allahut në këtë botë, atij që do ti jepet leje të ndërmjetësojë në botën tjetër, ashtu siç ju urdhëron Zoti juaj i madhërishëm.

“Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! (surja Ahzab; 56)

O Allah ngreje lart, shpëtoje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd Muhamedin, familjen e tij dhe shokët e tij. O Allah kënaqësia jote qoftë mbi katër prijësat e drejtë Ebu Bekrin, Umerin, Osmanin dhe Aliun dhe mbi gjithë familjarët dhe shokët e profetit Tënd dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në ditën e Kthimit edhe ndaj nesh bashkë me ta me mëshirën Tënde o Bujar, Fuqiplotë e Dhurues i madh.

O Allahu fenë islame ngreje lart dhe muslimanët bëji krenar.

O Allahu fenë islame ngreje lart dhe muslimanët bëji krenar.

Zhduke idhujtarinë, poshtëroi idhujtarët dhe shkatërroi armiqtë e fesë.

Këtë vend bëje të qetë e të sigurtë po ashtu edhe të gjithë vendet e muslimanëve.

O Allah na përfshij me mirësinë Tënde, na rretho me butësinë Tënde, e na mundëso të vdesim në islam, në sunet e të bashkuar rreth Ehli Sunetit dhe Xhematit!

Na mundëso të vdesim musliman e na bashko me njerëzit e mirë, të pa poshtëruar, të pasprovuar, jo si këmbyes e jo si ndryshues o Zot i botës.

O Allah të kërkojmë udhëzim, devotshmëri, shëndet dhe pasuri!

O Allah çdo të mirë që ta kemi kërkuar na e jep, e atë që nuk ta kemi kërkuar na e dhuro ti vetë e atë që nuk e arrijmë dot me synimit e me veprat tona prej të mirave të kësaj jete e të jetës tjetër na i mundëso ti arrijmë!

O Allah ruaje shtetin e Dy Vendeve të Shenjta, krenar me krenarinë e islamit, me arritje të çdo mirësie, të shpëtuar prej çdo të keqeje, o Zot i botëve!

O Allah jepi sukses prijësit tonë në atë që Ti do dhe kënaqesh drejtoje atë kah bamirësia e devotshmëria mundësoi atij shpurë të dobishme o Zot i botëve!

O Allah jepi sukses atij dhe pasardhësit të tij të bëjnë atë që është e dobishme për vendin dhe njerëzit o ti që ke në dorë dynjanë dhe bota tjetër e tek Ty është kthimi përfundimtar!

O Allah! O i Gjallë e i Përjetshëm me mëshirën Tënde kërkojmë ndihmë na i rregullo tërë çështjet tona e mos lejo të mbështetemi në vetet tona qoftë edhe sa hap e mbyll sytë e as më pak se kaq!

O Allah! O i Gjallë e i Përjetshëm ne të lutemi Ty e emrat e Tu të bukur e me atributet e Tua të larta që këtë vit ta bësh vit të mirësisë, fitores, krenarisë, stabilitetit dhe begatisë për islamin dhe muslimanët!

O Allah na e sill këtë vit tek ne me siguri e me besim, me paqe e me islam, me shpëtim prej shejtanit, me kënaqësi të Gjithëmëshirëshmit, o Zot i botëve!

O Allah na zbukuro me bukurinë e besimit, na i fal ato që kemi bërë në të kaluarën prej gabimeve, gjynaheve dhe shkeljeve o Mëshirëplotë dhe i Gjithëmëshirshëm!

O Allah fali muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, ata që janë të gjallë dhe ata që kanë vdekur Ti o Zoti ynë je dëgjues i afërt dhe Ti i përgjigjesh lutjeve!

O Allah na fal ne, prindërit tanë, dijetarët tanë, ata që kanë të drejta mbi ne, ata që na kanë porositur për lutje të mira, të gjithë përfshiji me mëshirën dhe kënaqësinë Tënde, neve dhe atyre na jep prej mëshirës dhe bamirësisë tënde! Përfundimin tonë tek Ti o Zoti ynë na e jep me falje, tolerancë dhe anmisti dhe shpëtim prej zjarrit!

I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe lutja jonë e fundit është; të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!

 

Post Author: endrit