Mirësitë si ti ruajmë dhe masat ndaj epidemisë – Meka 06.03.2020

Hytbe e Qabes 11-07-1441 H      06-03- 2020 

Shejh Abdullah El Xhuhenij   Tema: Mirësitë si ti ruajmë dhe masat ndaj epidemisë

Falenderimi i takon Allahut, Atë falënderojmë e i kërkojmë ndihmë, Atij i kërkojmë falje dhe tek Ai pendohemi. Allahut i kërkojmë mbrojtje prej të këqijave të vetëve tona e prej punëve tona. Atë që Allahu e udhëzon s`ka kush e humb e atë që Ai e humb s`ka kush e udhëzon.

Dëshmoj se ska të adhuruar me meritë përpos Allahut, ai është i vetëm e pashok.

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij.

“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!” (Sure Ali Imran, 102.)

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj i Cili u krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjellta dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikqyrës mbi ju.” (Nisa:1)

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat dhe do t’jua falë gjynahet tuaja. Kush i bindet Allahut dhe të ërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.” (Sure Ahzab, 70-71.)

Ligjërimi më i bukur është Fjala e Allahut dhe udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (salallahu alejhi ue selem). Gjërat më të këqija janë risitë në fe, çdo risi është bidat e çdo bidat është humbje.

O njerëz kijeni frikë Allahun dhe dijeni se ajo është thelbi i lumturisë dhe rruga e fitores në këtë jetë e në tjetrën.

Allahu thotë: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi)” (Talak; 2).

“Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia lehtësojë çështjen.” (Talak; 4).

O muslimanë! Mirësitë e Allahut mbi ne nuk numurohen e nuk llogariten. Një prej mirësive më të mëdha e më të përkryera është revelata e vulës së profetëvë

Muhamedit (salallahu alejhi ue selem). Falenderojeni Allahun për të e jepini hakun asaj duke e zbatuar atë e duke pasuar profetin e saj.

Allahu i lartësuar thotë: “Ne do ta shkulim urrejtjen nga kraharori i tyre. Te këmbët e tyre do të rrjedhin lumenj dhe ata do të thonë: “Qoftë lavdëruar Allahu që na udhëzoi në këtë. Ne nuk do të ishim udhëzuar, sikur të mos na udhëzonte Allahu.” (A`araf; 43).

Allahu i madhërishëm thotë: “Ata e quajnë si favor për ty që kanë pranuar Islamin. Thuaju: Mos e quani si favor për mua se keni pranuar Islamin; përkundrazi, Allahu ju ka dhuruar mirësi dhe ju ka udhëzuar në besim, nëse ajo që thoni është e vërtetë!” (Huxhurat; 17).

Muslimani kur e percepton si duhet këtë mirësi atëherë ajo do të trondisë ndjenjat e tij, do të njihte madhështinë dhe dobitë e saj. Allahu me të ka hapur zemrat e mbyllura, veshët e shurdhër dhe sytë e verbër. Allahu me të i ka nxjerrë njerëzit prej errësirave në dritë, prej humbjes në udhëzim, prej injorancës në dituri, prej poshtërsive në vlera dhe prej zullumit në drejtësi. Njeriu gjendet gjithmonë mes një mirësie të Allahut për të cilën duhet të falenderojë dhe mes gjynahut për të cilin duhet të kërkojë falje. Këto dy gjëra e shoqërojnë njeriun vazhdimisht.

Ai kalon nga një mirësi e Allahut në tjetrën. E prej tyre është mirësia e Dëgjimit, shikimit dhe e zemrës.

Allahu thotë: “Allahu ju ka nxjerrë nga barku i nënave tuaja e ju nuk dinit asgjë dhe ju dha të dëgjuarit, të parët dhe zemrat, që të jeni falënderues.” (Nahl; 78).

Gjithashtu prej mirësive është edhe siguria në vatan. Nevoja e njerëzve për këtë është më e madhe se nevoja e tyre për të ngrënë e për të pirë. Për këtë Ibrahimi, miku i Allahut (alejhi salatu ue selam) e ka parashtruar atë përpara furnizimit me rrizk.

Allahu thotë: “Kur Ibrahimi u lut: Zoti Im, bëje këtë vend qytet të sigurt dhe furnizoji me prodhime banorët e tij, ata që besojnë.” (El Bekare; 126).

Njerëzit nuk kënaqen me ushqimet e me pijet kur janë në frikë. Allahu, i kujton këtë mirësi Kurejshëve e thotë:

“Prandaj le të adhurojnë Zotin e kësaj shtëpie (Qabes), i Cili i ushqen ata në ditë urie dhe i siguron në ditë frike.” (Kurejsh; 3,4).

Bazat mbi të cilat ndërtohet falenderimi janë pesë:

E para: Përulësia e falenderuesit ndaj të falenderuarit.

E dyta: Dashuria e tij për të.

E treta: Pranimi i mirësive.

E katra: Lavdërimi i tij për to.

E pesta: Të mos i shfrytëzojë ato në diçka që dhuruesi e urren.

Nëse mungon njëra prej tyre atëherë prishet një bazë prej bazave të falenderimit. Turpërimi i robit përpara mirësive të njëpasnjëshme të Allahut është në vetvete falenderim. Pranimi nga ana e tij se ka qenë neglizhent në falenderim konsiderohet falenderim. Njohja e madhështisë së Allahut në butësi e në mbulimin e mangësive është falenderim. Pranimi se mirësitë vijnë vetëm prej Allahut e jo në sajë të meritës është falenderim. Të pranosh se falenderimi është një mirësi prej mirësive të Allahut edhe kjo konsiderohet falenderim. Modestia e hijëshme dhe përulësia në mirësi është falenderim. Pranimi i mirësive me hijeshi duke madhëruar edhe atë që duket e vogël prej tyre konsiderohet falenderim. Veprat dhe fjalët që renditet nën emërtimin e falenderimit janë të pakufijshme.

Falenderimi është mbërthyesi i mirësive dhe ruajtësi i tyre e kur ky mbërthim shkëputet atëherë ato largohen e nuk kthehen më. Muslimi në Sahihun e tij përcjell prej Ebu Hurejres r.a se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Allahu i lartësuar ditën e kijametit i thotë robit: O filan, a nuk jam treguar bujar ndaj teje, të kam martuar, të kam nderuar, të kam nënshtruar kuaj e deve dhe të kam mundësuar të jesh prijës i dëgjuar?! Ai thotë: Po. Ai thotë: A besoje se do të takoheshe me Mua? Robi thotë: Jo. Zoti thotë: Unë të harroj ashtu sikurse më harrove mua.”

Allahu tregon mirënjohje ndaj robërve të tij bamirës edhe pse Allahu i lartësuar nuk ka nevojë për ta, kështu që është më primare që robi të jetë mirënjohës ndaj dikujt që i ofron atij një të mirë. Profeti Muhamed (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Një njeri që dikush i bën një të mirë e ai i thotë atij; Allahu ta shpërbleftë me të mira, në këtë rast e ka kryer falenderimin. Këtë hadith e transmeton Tirmidhiu.

“(Kujtoje) kur Zoti juaj kumtoi: Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia; por, nëse ju mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë”. (Ibrahim; 7).

Allahu na bekoftë me Kurani madhështor e na mundësoftë të kemi dobi me ajetet e urtësitë në të.

Thashë këtë që dëgjuat dhe i kërkoj falje Allahut për veten, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah. Kërkojini falje dhe pendohuni se ai është Falës e mirënjohës.

Hutbeja e Dyte

O Allah, Zoti ynë ty të përket lavdia dhe falenderimi në mënyrën më të plotë, më të bukur e më të begatë, aq sa të mbushen qiejt dhe toka, aq sa të mbushet hapësira mes tyre, e aq sa mbushet çka të dëshirosh Ti o Zot, pas tyre. Ti je i denjë për lavde e për madhështi. Fjala më e drejtë që robi thotë, e të gjithë ne jemi robërit e Tu, askush s’mund të ndalë atë që jep Ti, dhe askush s’mund të japë atë që Ti e ndal; të pasurit apo njeriut me pozitë nuk mund t’i bëjë dobi tek ty pasuria apo pozita por dobi i bën veçse puna e tij.

Nderimet, begatia dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi profetit tonë Muhamed (salallahu alejhi ue selem) i cili ka thënë: “E si mos të jem rob falenderues.”

U porosis ju dhe veten time të jemi të devotshshëm ndaj Allahut në vetmi e në publik.

Nga ibn Abasi r.a transmetohet se Umeri r.a u nis për në Sham e kur arriti në Serga po e prisnin komandantët ushtarakë; Ebu Ubejdeh ibn Xherrah dhe shokët e tij r.a. Ata i treguan se në tokën e shamit kishte rënë epidemi. Ibn Abasi r.a ka thënë: Umeri tha: Më sillni muhaxhirët e parë. I thirri ata për tu konsultuar. Ai u tregoi se në Sham kishte rënë epidemi. Ata dhanë sugjerime të ndryshme. Disa prej tyre thanë: Ti ke dalë për një qëllim dhe mendojmë të mos kthehesh prej tij. Disa të tjerë thanë: Me ty janë njerëzit më të zgjedhur dhe shokët e të dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) e ne mendojmë që ti nuk duhet ti dërgosh ata tek kjo epidemi. Ai tha: Ngrihuni prej meje. Ai pastaj tha: Më sill Ensarët. Unë i thirra e ai u këshillua me ta. Ata u sollën njëjtë me muhaxhirët dhe dhanë mendime të ndryshme si muhaxhirët. Ai tha: Ngrihuni prej meje. Ai pastaj tha; Më sill kë të jetë këtu prej burrave të vjetër të Kurejshëve prej muhaxhirëve të çlirimit. Unë i thirra. Asnjë prej tyre nuk foli ndryshe por të gjithë thanë: Ne mendojmë të kthehesh me gjithë njerëzit e tu e të mos i dërgosh ata tek kjo epidemi. Umeri i thirri njerëzve dhe tha: Unë do nisem për rrugë dhe ju bëhuni gati për tu nisur. Ebu Ubejdeh tha: Për të ikur prej caktimit të Allahut!? Umeri tha: Ta kish thënë dikush tjetër këtë veç teje o Ebu Ubejde!? Po. Ikim prej caktimit të Allahut në caktimin e Allahut. Ti po të kishe deve e të zbrisje me to në një luginë e cila ka dy anë. Njëra anë është e lulëzuar e tjetra e tharë. Po ti kullotësh devetë në anën e gjelbër, a nuk

ndodh kjo sipas caktimit të Allahut?! E po ti kullotësh në anën e tharë edhe kjo a ndodh po me caktimin e Allahut!? Pas kësaj erdhi Abdurrahman ibn Auf r.a i cili kishte qenë larg për të kryer një punë të vetën. Ai tha: Unë kam dije në lidhje me këtë. Unë kam dëgjuar të dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të thotë: “Po dëgjuat se ajo ka rënë në një vend mos hyni aty e nëse bien në një vend e ju jeni aty mos dilni të ikni prej tij.” Umeri r.a falenderoi Allahun dhe u largua. Transmeton Buhariu dhe Muslimi. Ky hadith tregon detyrën e kujdesit nga frika se mos përhapet epidemia.

Nga ky këndvështrim janë marrë edhe masat nga qeveria e Mbretërisë së Arabisë Saudite nën komandën e Shërbëtorit të Dy Xhamive të Shenjta dhe lartësisë mëkëmbësit të tij besnik, Allahu qoftë në mbështetje të tyre, për të ndërprerë përkohësisht Umren dhe vizitën për të kufizuar përhapjen e kësaj epidemie vrasëse. Ky është një vendim i begatë në përputhje me tekstet e (sheriatit) ligjit islam. Ruajtja e jetës së njerëzve është një prej detyrave më të mëdha të qeveritarit. Ai i llogarit këto masa pasi të jetë konsultuar me njerëzit e dijshëm e specialistë. Të gjithë muslimanët e kanë detyrë ti mbështeten Allahut a.xh, ti drejtohen atij me lutje e me përgjërim të largojë atë që ka zbritur mbi krijesat e Tij. Lutja bën dobi në atë që ka zbritur dhe në atë që nuk ka zbritur.

“Thuaj: Zoti im nuk do t’ju përfillte, sikur të mos ishte lutja juaj.” (Furkan; 77).

O Allah ne mbrohemi me ty prej çdo goditjeje, murtaje, epidemije, nga zprova e rëndë në vetvete, familje, pasuri e fëmijë.

Allahu është më i madh. Allahu është më i madh se ajo që kemi frikë e kujdesemi. O Allah na mbro prej zgjebes, çmendurisë, lebrozës dhe çdo smundjeje tjetër të keqe.

Allahu ju urdhëron të dërgoni salavate dhe selame mbi profetin e Tij. Ai ka thënë fjalë prej Krenari e prej të dituri. Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! (surja Ahzab; 56).

Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Kush dërgon mbi mua një salavat të vetëm Allahu me të atij i dërgon dhjetë të tilla.

O Allah nderoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, ashtu sikurse ke nderuar Ibrahimin dhe familjen e Ibrahimit

O Allah bekoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, ashtu sikurse bekove Ibrahimin dhe familjen e Ibrahimit.

Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.

O Allah kënaqësia jote qoftë mbi katër mëkëmbësit e tij të drejtë të cilët gjykuan me të vërtetën dhe me të mbajtën drejtësi Ebu Bekrin e sinqertë, Umerin ndarësin e të pavërtetës nga e vërteta, Osmanin poseduesin e dy dritave dhe Aliun babain e dy nipërve dhe shokët e profetit Tënd Muhamed dhe mbi ata që ecin në gjurmët e tyre dhe zbatojnë traditën e tyre edhe ne bashkë me ta me faljen tënde, bujarinë tënde, bamirësinë tënde ! O më i Mëshirëshmi i mëshiruesve!

O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!

O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!

Zhduke idhujtarinë dhe idhujtarët, shkatërroi armiqtë e Tu, armiqtë e fesë!

O Allah na jep siguri në vatanet tona, na i rregullo prijësat dhe qeveritarët tanë.

Udhëheqjen mbi ne mundësoja atij që të frikësohet Ty, që është i devotshëm e që mundohet të fitojë kënaqësinë tënde.

O Allah jepi sukses udhëheqësit tonë dhe prijësin tonë shërbëtorin e dy Xhamive të Shenjta dhe mëkëmbësit të tij të bëjnë atë që të kënaq ty, drejtoji ata në bamirësi e devotshmëri!

O Allah udhëzoji prijësat e muslimanëve të punojnë sipas librit tend, të zbatojnë ligjin tënd, mundësoji që të kryejnë vepra të mira në dobi të popujve të vendeve të tyre.

O Allah ne të kërkojmë prej asaj që ke Ti, derdhe mbi ne mirësinë Tënde, e përhape mbi ne mëshirën tënde.

O Allah, ti je I adhuruari i vërtetë nuk ka të adhuruar me meritë përveç Teje. Ti je i pasuri e ne jemi të nevojtarë, zbrit mbi ne shi e mos na lër të pashpresë. O Allah na zbrit shi e na ndihmo!

O Allah ne të kërkojmë falje se ti je falësi na sill shit ë dobishëm nga qielli o Zot i botëve!

O Allah ne jemi krijesa prej krijesave të tua mos na e ndal mirësinë tënde për shkak të gjynaheve tona

Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira në jetën tjetër e na mbro prej dënimit të zjarrit!

Rob të Allahut, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin. Përkujtojeni Allahun e madhërishët që Tju kujtojë Ai juve. Falenderojeni për mirësitë e shumta që ju ka dhënë që t`ua shtojë ato. Vërtet që përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.

 

Post Author: endrit