Mos lëndo askënd – Meka 09.10.2020

Hytbe e Qabes                           22-02-1442 H      09-10-2020 

Shejh Saud Shurejm                  Tema: Mos lëndo askënd

Lavdërimi qoftë për Allahun, krijuesin e qiejve dhe Tokës, i Cili i ka bërë engjëjt të dërguar me nga dy, tre dhe katër krahë. Ai ka krijuar gjithçka dhe e ka përpjestuar drejt. Ai ka caktuar fatin e çdo gjëje dhe ia ka rrëfyer rrugën.

Allahun e latësuar e falenderoj e i jam mirënjohës. Tek Ai pendohem dhe Atij i kërkoj falje.

Atij i takon falenderimi aq sa mbushen qiejt dhe toka e aq sa mund të mbushet diçka tjetër që Ai dëshiron. Atij i përket lavdia dhe madhështia. Atë që Ai e jep nuk ka kush e pengon e Atë që Ai e pengon nuk ka kush e jep veç Tij. E askush nuk mund të bëjë dobi para Tij.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të vetëm e të pashoq.

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij, me pozitë të lartë, me moral të ngritur. Ai e kumtori mesazhin e Zotit të tij, e përmbushi amanetin dhe luftoi për Allahun me vërtetësi. Ai na la në një rrugë të ndritur, nata për të është njëjtë me ditën e prej saj nuk largohet vetëm se një i shkatërruar.

Nderimet dhe shpëtimi i Zotit tim qoftë mbi të, mbi pjestarët e familjes së tij të mirë e të pastër, mbi bashkëshortet e tij nënat e besimtarëve, mbi shokët e tij të dalluar e të mbarë e mbi ata që e pasojnë rrugën e tyre me saktësi deri në ditën e gjykimit.

Ligjërimi më i bukur është fjala e Allahut. Udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (salallahu alejhi ue selem). Gjërat më të këqija janë shpikjet në fe sepse çdo shpikje është bidat e çdo bidat është humbje.

Ju porosis të jeni me bashkësinë e muslimanëve sepse dora e Allahut është me bashkësinë. E ai i cili largohet prej tyre shkon drejt zjarrit.

Gjithashtu o njerëz u porosis juve dhe veten time të jemi të devotshëm ndaj Allahut kur jemi në fshehtësi e në publik, kur veprojmë e kur flasim, në atë që marrim e në atë që lejmë.

“Vërtet, besimtarët e devotshëm do të jenë në kopshtet e Xhenetit, ku rrjedhin lumenj në kuvendin e së vërtetës (në Xhenet), tek një Sundues i Plotfuqishëm.” (El Kamer; 54,55).

O rob të Allahut morali i lartë është shenjë e muslimanit të thjeshtë e të butë, të devotshëm e të kulluar, e muslimanit të dobishëm, e muslimanit paqësor, e muslimanit që nuk ka dashakeqësi apo zili, sherr apo mendjemadhësi. Musliman që mbart në qenien e tij të drejtat e vetvetes e të drejtat e të tjerëve.

Musliman mëndjendritur që nuk lë jashtë vëmendjes nevojat vetjake dhe nevojën e shoqërisë së tij për dashurinë dhe mëshirën e jo grindjeve e distancimit.

Musliman i zgjuar i cili është i aftë të sjellë ndërmend gjërat e pacënueshme të të tjerëve dhe që e frenon vetveten e nuk i shkakton të tjerëve lëndime e dëme as pak e as shumë.

Muslimani e ka detyrë të jetë paqësor ndaj vëllait të tij. Ai duhet të jetë një gjymtyrë aktive në trupin unik të umetit të cilit kur i lëndohet një gjymtyrë i tërë trupi angazhohet për të me temperaturë dhe pagjumësi.

Musliman i cili e kupton që një shoqëri e bashkuar nuk e shpërbëjnë problemet përderisa çdo individ i saj nuk lëndon të tjerët me gjuhë e me dorë sepse lëndimi është një e çarë në anijen lundruese të shoqërisë së tij, ku shtimi i lëndimeve midis individëve në të pa dyshim që është shtim i të çarave e pas kësaj nuk mbetet gjë tjetër veçse fundosja e anijes.

Lëndimi o rob të Allahut është çdo veprim apo fjalë që shkakton dëm tek tjetri qoftë fizik apo jofizik.

Fjala lëndim me këtë kuptim është një shprehje që përmban vetëm negativitet e asgjë tjetër. Tek kjo shprehje ska gjë të bukur në asnjë drejtim. Përmendja e kësaj shprehjeje në Librin e Allahut dhe në Sunetit e të Dërguarit të Allahut është përmendur vetëm negativisht si diçka e ulët e po si e tillë është përmendur prej të parëve tanë të urtë e të mençur.

Ajo është një shprehje që vetëm prej shqiptimit të saj njerëzit e natyrshëm, normal e të pastër bezdisen po me rezultatin dhe pasojat e saj si do të jenë!? Një zemër normale nuk mund të anojë drejt lëndimit sepse kjo i përshtatet natyrës së gjarpërinjëve e të akrepave, Allahu na ruajtë të gjithëve prej një gjëje të tillë.

Botëkuptimi i mënjanimit të lëndimit, o rob të Allahut është i gjerë. Ai nuk kufizohet vetëm tek ai që shkakton lëndimin por përfshin të gjithë ata që munden të pengojnë një lëndim tek njerëzit qoftë edhe duke hequr një pengesë nga rruga.

Në hadith të saktë përcillet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Besimi është shtatëdhjetë e ca ose gjashtëdhjetë e ca degë. Më e vlefshmja e tyre është fjala (la ilahe ilallah) nuk të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe më e pakta e tyre është heqja e diçkaje që të lëndon prej rrugës, dhe turpi është një degë e besimit.

Disa dijetarë janë shprehur se; në qoftë se kjo është vlera e heqjes nga rruga e diçkaje që të lëndon atëherë largimi i lëndimeve prej një zemre ka vlerë akoma më të madhe.

Lëndimi sikurse është me fjalë e me vepra po kështu është edhe kur nuk flet e nuk vepron në rast se ka të bëjë me dhënien e së drejtës dikujt apo asgjësimin e së kotës.

Për këtë Buhariu përcjell se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Ndihmoje vëllain tënd kur bën padrejtësi dhe kur i bëhet padrejtësi. Një burrë tha: O i Dërguar i Allahut, atë e ndihmoj kur i bëhet padrejtësi por nëse ai bën padrejtësi si mund ta ndihmoj!? Ai tha: Ta pengosh ose ta ndalosh prej padrejtësisë e kjo është ndihma ndaj tij.

Lëndimin si angazhim e pranojnë vetëm shpirtrat e vegjël sepse ato nuk mund të bëjnë gjë tjetër më mirë. Njeriu më trim është ai që ka frikë të lëndojë. Njeriu më frikacak është ai që guxon të lëndojë. Njeriu i llogjikshëm i përballon lëndimet e njerëzve dhe nuk shkakton lëndime ndaj tyre.

Nëse secili prej nesh sjell ndërmend të peshojë lëndimet që i shkakton të tjerëve me të njëjtën peshore që mat lëndimet që i shkaktojnë atij të tjerët pa dyshim që lëndimet mes njerëzve do të pakësoheshin.

Mjerë për atë që rregjistrat i mbushen me lëndime ndaj të tjerëve, mjerë për të dhe mjerë për të. Ditën e shpagimit do të publikohet rregjistri i falimentimit të tij e kështu do të hidhet me fytyrë përdhe për shkak se humbi dynjanë dhe ahiretin e ky është dështimi i qartë.

Për të gjithë ne është e rëndësishme të dalim të fituar e jo të falimentuar. E llogjikshme është që njeriu të kujdeset për gojën e tij të mos e lëshojë gjuhën të flasë diçka që lëndon të tjerët, diçka që dëmton e nuk sjell dobi. Ai duhet të lëshojë dorën e të shtrijë pëllëmbën e tij për këdo që shtrin dorën paqësisht e jo të godasë me të apo ta zgjasë atë drejt asaj që zemëron Allahun, Zotin e tij.

Në dy sahihet përcillet se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Musliman është ai prej gjuhës e prej dorës së të cilit muslimanët janë të qetë.

Në hadith ka përmendur gjuhën përpara dorës edhe pse dora është më e fortë fizikisht sepse plaga e gjuhës shpon thellë moralisht, psiqikisht dhe në kohëzgjatje aq sa ja kalon plagës momentale të dorës.

Shejhul Islam Ibnu Tejmijeh Allahu e mëshiroftë ka thënë: Disa njerëz i sheh vetëm duke bërë akuza. Ata harrojnë anët e mira të grupeve e të rracave dhe përmendin të metat e tyre, si shembulli i mizës që lë pjesën e shëruar e të shëndoshë e shkon e bien në vendin e plagës së lënduar. Kjo vjen për shkak të degradimit shpirtëror e prej destabilizimit personal.

Sa dështim i madh për një person ku njerëzit rreth tij largohen e ikin të frikësuar prej sulmit të gjuhës së tij e prej goditjeve të dorës së tij.

Sa fitore për një person që nuk lëndon veten e tij, nuk e lëndon komshiun e vet, nuk e lëndon të afërmin e nuk i bën keq asnjë muslimani. Ai ka ndërmend hadithin e Profetit (salallahu alejhi ue selem) në të cilin thotë:

O Allah, Krijues i qiejve e i tokës, Njohës i të fshehtës e të dukshmes, nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç teje, Zot i gjithçkaje dhe Sundues i tyre. Ty të kërkoj mbrojtje prej të keqes së vetvetes, prej të keqes së shejtanit dhe përkrahësve të tij dhe prej të keqes që mund ti bëj vetvetes apo ndonjë muslimani. Transmeton Tirmidhiu.

I fituar është ai që e mban gojën nga përgojimet, thashethemet, ofendimet dhe përqeshjet, që ruan dorën prej lëndimeve, që pastron zemrën e tij prej dashakeqësisë dhe zilisë prej grindjeve dhe rrëmujave, që ka shpëtuar nga akuzimi i të tjerëve me diçka që nuk e kanë, apo survejimi i gjërave të tyre të fshehta dhe gabimeve të tyre duke sharë e duke u gëzuar me fatkeqësinë e tjetrit ndonjëherë apo me kërcënime e ngacmime herë të tjera.

I dalluar është ai që e ka dorën të butë nuk lëndon me të dhe e përmban

E që për ne paraqitet i çelët e i buzëqeshur

Ai përmban gojën dhe e shtrin dorën

Keni frikë Allahun o rob të Allahut e të ketë kujdes secili prej nesh të mos jetë një prej njerëzve të këqinj të cilët i ka treguar Profeti (salallahu alejhi ue selem) në fjalën e tij: Njeriu me pozitë më të keqe tek Allahu ditën e gjykimit është ai të cilin njerëzit e lejnë për tu ruajtur prej të keqes së tij. Transmeton Buhariu.

Allahu na bekoftë në Kuran e në sunet e na bëftë dobi me argumentet, lutjet dhe urtësitë që ka në to.

Me këto që thashë e dëgjuat i lutem Allahut të më falë mua, ju dhe tërë muslimanët dhe muslimanet çdo gjynah e çdo gabim. Kërkojini falje dhe pendohuni tek Ai. Zoti im është Falësi dhe Mëshiruesi.

Hutbeja e dytë

LEXO  Fanatizmi, dëmet e tij dhe mjekimi - Meka 15.11.2019

Falenderimi i takon Allahut me falenderime të shumta e të begata sikurse Ai urdhëron. I dërgoj salavate e selame robit dhe të Dërguarit të Tij më të mirit të njerëzve.

Kijeni frikë Allahun o rob të Allahut dhe dijeni se ka një sadekah madhështore që i bën dobi muslimanit dhe e ngre atë lart. Një sadekah që nuk është nevoja të shpenzosh pasuri, as të shpenzosh mund fizik e as të shprehësh fjalë. Një sadekah para së cilës janë të barabartë i forti me të dobëtin dhe i pasuri me të varfërin. Ajo është sadekaja e personit nëpërmjet mënjanimit të së keqes ndaj të tjerëve.

Nga Ebi Dherri r.a ka thënë: Unë thashë: O i Dërguari i Allahut cilat vepra janë më të mira? Ai tha: Besimi në Allahun dhe lufta në rrugën e Tij. Unë thashë: Cila nga krerët (e skllevërve për tu falur lirinë) është më e mira? Ai tha: Më vyera tek poseduesit e saj dhe më e shtrenjta në çmim. Unë thashë: E nëse nuk e bëj këtë? Ai tha: Të ndihmosh një zanatali ose të ndihmosh një të paaftë. Unë thashë: O i Dërguar i Allahut nëse nuk mundem ti kryej këto vepra çfarë më sugjeron? Ai tha: Mos i bëj keq njerëzve sepse kjo konsiderohet sadekah për ty ndaj vetes tënde. Buhariu dhe Muslimi.

Asnjë i mençur nuk dyshon se prej kërkimit të së mirës është të mos bësh keq. Për këtë është thënë: Si të bësh do ta bëjnë. Është thënë: Shpërblimi është sipas llojit të punës.

Atë që lëndon vëllain e tij musliman do ta kapë lëndimi herët apo vonë.

Imam Malik, Allahu e mëshiroftë ka thënë: Unë në Medine kam parë njerëz që nuk kishin mangësi mirëpo gjetën mangësitë e njerëzve e pastaj iu shfaqën vetë me mangësi. Në Medine gjithashtu kam parë njerëz me mangësi por heshtën ndaj mangësive të njerëzve e u harruan mangësitë e tyre.

Kujdes, kujdes o rob të Allahut, prej pasojave të lëndimeve ndaj të tjerëve. Të lëndosh të tjerët është natyrë shkatërruese dhe vepër e mallkuar, shkakton faj të qartë dhe ndërshkim poshtërues. Allahu në Librin e Tij thotë:

“Pa dyshim, ata që fyejnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, i mallkon Allahu në këtë botë dhe në tjetrën. Ai ka përgatitur për ta ndëshkim poshtërues. Ata që i lëndojnë besimtarët dhe besimtaret, duke i akuzuar për diçka që nuk e kanë bërë, në të vërtetë, i kanë ngarkuar vetes fajin për shpifje dhe një gjynah të qartë.” (El Ahzab; 57,58)

Allahu ju mëshiroftë, dërgoni salavate dhe selame mbi më të mirin e krijesave, më të pastërtin e njerëzimit Muhamedin të birin e Abdullahit poseduesin e Burimit e të Ndërmjetësimit. Allahu u ka urdhëruar me diçka që e nis me Veten e Tij, e më pas me Melaiket e Tij që e madhërojnë lart Shenjtërinë e Tij e pastaj edhe me ju o besimtarë. Allahu i madhërishëm thotë: “O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me selam!” (surja Ahzab; 56).

O Allah bekoje dhe shpëtoje robin dhe profetin Tënd Muhamedin, fytyrëndrituri plot hijeshi.

O Allah kënaqësia jote qoftë mbi katër mëkëmbësit e tij Ebu Bekrin, Umerin, Osmanin dhe Aliun dhe shokët e profetit Tënd Muhamed dhe mbi ata që ecin në gjurmët e tyre dhe zbatojnë traditën e tyre deri në ditën e gjykimit!

O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!

O Allah ndihmoje fenë tënde, librin tënd dhe rrugën e profetit tënd Muhamedit salallahu alejhi ueselem dhe robërit e tu besimtarë!

O Allah na jep siguri në vatanet tona, na i rregullo prijësat dhe qeveritarët tanë.

Udhëheqjen mbi ne mundësoja atij që të frikësohet Ty, që është i devotshëm e që mundohet të fitojë kënaqësinë tënde o Zot i botëve.

O Allah jepi sukses udhëheqësit tonë për atë që Ti dëshiron e kënaqesh prej fjalëve e prej veprave o i Gjalli e Kujdestari përjetshëm.

O Allah përmirësoja nënpunësit e tij të afërm o i Lartmadhërishëm o Fisnik!

Jepi sukses atij dhe pasardhësit të tij që të bëjnë atë çka është e mirë për njerëzit dhe vendin o dëgjues i lutjes!

O Allah na e rregullo fenë e cila është baza e tërë çështjeve tona, na e rregullo dunjanë tonë në të cilën ne jetojmë, na e rregullo ahiretin tonë tek i cili do të jetë përfundimi jonë. Bëje jetën tonë shtim të çdo mirësie, vdekjen rehati prej çdo të keqeje.

O Allah të kërkojmë mirësi që kurrë sbarojnë, e kënaqësi të syve pandërprerë. O Allah të kërkojmë kënaqësinë e shikimit të fytyrës Tënde fisnike, përmallimin në takimin me Ty pa na dëmtuar asgjë e pa ndonjë sprovë që na çon në humbje. O i Madhërishëm e Fisnik!

O Allah na mundëso përfundim të mirë në çdo çështje tonën. Na mbro prej poshtërimit në këtë botë e prej ndërshkimit në botën tjetër.

Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira në jetën tjetër e na mbro prej dënimit të zjarrit!

O rob të Allahut, përmendeni Allahun e madhërishëm që t`iu përmendë Ai, falenderojeni për mirësitë që t`ua shtojë, Pëmendja e Allahut është më e madhja dhe Allahu e di çka veproni.

 

Post Author: endrit